Home Blog Page 17

Kapitalizimi i sektorit bankar arriti nivelin më të lartë historik në fund të tremujorit të tretë

0

Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar shënoi një rritje të ndjeshme gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, pas një cikli prej tre tremujorësh radhazi në rënie.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, ky tregues u rrit në 20.3%, nga 19.25% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ka kaluar edhe nivelin prej 20.2% të një viti më parë, duke arritur një rekord të ri historik.

Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve, të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut. Gjatë tremujorit të tretë, rritja e këtij treguesi ka ardhur njëkohësisht nga shtimi i kapitalit rregullator të sektorit dhe nga ulja e vlerës së aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku.

Vlera e kapitalit rregullator të sektorit bankar në fund të shtatorit arriti në 223.2 miliardë lekë, në rritje me 5.1% krahasuar me një tremujor më parë dhe me 10% krahasuar me një vit më parë.

Kapitali rregullator i sektorit bankar shqiptar në pjesën dërrmuese është kapital i nivelit të parë, që përfshin instrumentet më cilësore të kapitalit, kryesisht kapitalin e paguar aksionar, primet e aksioneve, rezervat dhe fitimet e pashpërndara. Kontributin kryesor në rritjen e kapitalit rregullator e ka dhënë zgjerimi i fitimit të sektorit.

Nga ana tjetër, vlera e aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku në fund të tremujorit të tretë zbriti në 1099 miliardë lekë, në rënie me 0.3% krahasuar me tremujorin e dytë, por në rritje me 9.7% me bazë vjetore. Grupi kryesor i aktiveve me rrezik në bilancet e bankave janë kreditë për sektorin privat.

Rënia e vlerës së aktiveve të ponderuara me rrezik mund të lidhet kryesisht me një ngadalësim të rritjes së portofolit të kredisë gjatë tremujorit të tretë, veçanërisht të asaj pjese të tij që klasifikohet me koeficientët më të lartë të rrezikut (për shembull, kredia e ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.

Raporti minimal bazë i mjaftueshmërisë së kapitalit për sektorin bankar është 12%, por pas vitit 2019 ka nisur aplikimi i shtesave të tjera të lidhura me kuadrin e ri makroprudencial, si edhe atë për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme. Kjo i ka rritur ndjeshëm kërkesat për kapital, duke ndikuar edhe në një rritje graduale të niveleve mesatare të këtij treguesi për sektorin.

Duke shtuar edhe shtesën konservuese të kapitalit, prej 2.5%, raporti total i mjaftueshmërisë së kapitalit arrin në 14.5%. Ndërsa duke llogaritur edhe shtesat kundërciklike të miratuara deri tani nga Banka e Shqipërisë, deri në fund të vitit 2025 raporti minimal i mjaftueshmërisë së kapitalit për të gjitha bankat do të arrijë në 15.5%.

Ndërkohë, kërkesat e kapitalizimit janë edhe më të larta për një grup të veçantë bankash, të klasifikuara me rëndësi sistemike Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Banka Credins, Banka Raiffeisen dhe Banka OTP Albania kanë shtesa të tjera në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit, në masën midis 0.5% dhe 1.5%.

Gjithashtu, bankat me rëndësi sistemike dhe banka Intesa Sanpaolo Shqipëri që nga 1 janari 2024 duhet të plotësojnë edhe shtesën e parë të kërkuar të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit që lidhet me kërkesën minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL).

Rritja e kërkesave për kapital i bën bankat më të sigurta ndaj humbjeve të mundshme në të ardhmen. Por, nga ana tjetër, nivelet e larta dhe në rritje të mjaftueshmërisë së kapitalit në parim ndikojnë në uljen e rentabilitetit dhe në rritjen e kostove që i përcillen publikut.

Sektori bankar ka kërkuar me këmbëngulje prej vitesh që së paku kërkesat shtesë për kapital të aplikohen sipër një pragu minimal prej 8%, siç ndodh në Eurozonë. Por, sipas Bankës së Shqipërisë, një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm pas certifikimit të ekuivalencës së mbikëqyrjes bankare në Shqipëri. / Monitor

Presidenti Begaj niset drejt Pragës, do të zhvillojë vizitë zyrtare në Çeki

0

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, u nis sot për në Republikën Çeke, ku do të zhvillojë një vizitë me ftesë të Presidentit Petr Pavel.

Agjenda parashikon takime me Presidentin e Republikës Çeke, Kryeministrin, Zv/Kryetarin e Senatit, Kryetarin e Dhomës së Deputetëve, si dhe autoritete të tjera të larta.

“Gjatë kësaj vizite Kreu i Shtetit ka parashikuar edhe takime të veçanta me të rinj shqiptarë që studiojnë në Republikën Çeke, si dhe një takim me komunitetin shqiptar në Pragë”, njoftoi Zyra për Shtyp e Presidencës.

Nuk ishte në protestë/Ilir Alimehmeti: Këshilli Kombëtar nuk u pyet për aksionin. PD ka nevojë për një census të anëtarësisë së saj

0

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, ka shpjeguar arsyet e mungesës së tij në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë nga PD pasditen e së hënës.

Në A2 CNN, Alimehmeti sqaroi se Këshilli Kombëtar nuk është thirrur dhe nuk është konsultuar për këtë nismë. 

Ai theksoi se aktiviteti i së martës nuk kishte karakter proteste: “U la një mundësi për të folur deputetët që me sa duket kanë vështirësi të mëdha brenda Parlamentit. Nuk mund të quhet protestë.”

Sipas tij, formati i foltores pritet të zhvillohet çdo javë dhe nuk përbën një reagim të mirëfilltë politik. 

Alimehmeti nënvizoi se Këshilli Kombëtar nuk ka diskutuar asgjë lidhur me aksionin dhe se informacioni i ardhur tek anëtarët e tij ishte se bëhej fjalë për një platformë diskutimi mes deputetëve dhe qytetarëve.

“Unë jam pro protestave të qëndrueshme, me kuptim. Kjo nuk ishte e tillë, thjesht një foltore.” 

Ai shtoi se partia ka nevojë për analiza serioze për zgjedhjet, të cilat OSBE/ODIHR i ka cilësuar të pabarabarta.

Alimehmeti theksoi se protesta e madhe kombëtare do të lajmërohet javët në vijim. “Presim javën tjetër për më shumë,” deklaroi ai. 

Një deklaratë të fortë ka bërë demokrati Ilir Alimehmeti në studion e Off the Record, ku ka zbuluar se listat e anëtarësisë së PD janë fiktive.

Përballë gazetarit Danglli, mjeku i njohur Alimehmeti tregon se këto lista shërbejnë për votimet e brendshme në Partinë Demokratike, por që në fakt realiteti është krejt tjetër.

Në fjalën e tij, kandidati për deputet kërkoi një census të ri të Partisë Demokratike.

“Ne kemi disa lista dhe disa realitete fizike. Duke mos thënë që këto lista janë fiktive, që shërbejnë për votimet e brendshme, por që në të vërtetë nuk janë aty. PD ka nevojë për një census. E di që ato lista janë fiktive shërbejnë për votime të brendshme që bëhen lëvizjet që bëhen. Ka mijëra njerëz që kontribuojnë. Por nuk janë sa janë në atë listë. Duhet një riorganizim kokë e këmbë. Më mirë 2 dhe jemi 2 dhe jo 42 dhe nuk janë aty”, tha Alimehmeti. 

Gonxhja: Buxheti 2026 rritje me 20%, kultura merr financimin më të madh

0

Projektbuxheti për vitin 2026 për Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit synon forcimin e turizmit të qëndrueshëm, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e kapaciteteve krijuese dhe sportive në vend.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se buxheti total i MTKS-së për vitin e ardhshëm parashikohet në 7,4 miliardë lekë, një rritje prej 20% krahasuar me 2025.

“Ky projektbuxhet reflekton prioritetet tona strategjike për zhvillim afatgjatë dhe rritjen e ndikimit kulturor, ekonomik dhe social në vend. Investimi më i madh i dedikohet kulturës, por edhe turizmi, sporti dhe politikat rinore marrin fonde të konsiderueshme për zhvillim dhe përmirësim të kapaciteteve”, tha Gonxhja.

Sipas Ministrit, shpërndarja e fondeve për sektorët kryesorë parashikon për kulturën 4,95 miliardë lekë, që përbën 67% të buxhetit të ministrisë, ose 19,4% më shumë financim krahasuar me vitin 2025.

Për sektorin e turizmit projektbuxheti 2026 adreson një fond prej 919 milionë lekë, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit.

Për sportin 834,6 milionë lekë, me një rritje 32% krahasuar me vitin e kaluar dhe për mbështetjen e rinisë do të financohen 285,8 milionë lekë.

Ndërsa për shpenzimet e brendshme të ministrisë, projektbuxheti parashikon: 2,08 miliardë lekë për paga dhe sigurime. 2,64 miliardë lekë për shpenzime operative.
dhe 2,66 miliardë lekë për investime kapitale.

Ministri Gonxhja theksoi se ky buxhet i dedikohet forcimit të infrastrukturës dhe rritjes së aksesit ndaj kulturës, sportit dhe turizmit, si dhe për zhvillimin e projekteve që nxisin pjesëmarrjen rinore dhe promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik dhe kulturor në nivel ndërkombëtar.

PD-PS bien dakord për të bërë mocion me debat në Kuvend për situatën e krimit. Ja pakti në Konferencën e Kryetarëve

0

Është miratuar kërkesa e opozitës për zhvillimin e mocionit me debat për rendin dhe sigurinë.

Mocioni me debat do të zhvillohet më 18 dhjetor. Maxhoraca kërkoi që debati të ishte pikë e fundit në rendin e ditës, por Partia Demokratike e kundërshtoi.

Gazment BardhiNe nuk mund ta shtyjmë, sepse rregullorja përcakton që mocioni duhet të zhvillohet brenda 30 ditëve. Ne kemi dëgjuar institucionet e sigurisë, por mocioni lidhet me qeverinë. Pra, kërkon të njihet dhe të debatohet mbi masat që ka marrë qeveria. Kërkesa vjen në kuadër të raporteve ndërkombëtare që flasin për rritjen e fuqisë së krimit të organizuar dhe çmoj se është pikërisht momenti që të zhvillohet ky debat. Unë propozoj që debatit t’i caktohet data 18 dhjetor, sepse atë ditë parashikohet një seancë që ka vetëm njoftime dhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. Shtoni një pikë në rendin e ditës, që të jetë pikërisht debati për masat e qeverise në raport me krimin e organizuar.