Home Blog Page 18

Shqipëria, interes në rritje si lokacion për xhirime filmash ndërkombëtarë

0

Drejtori i Qendrës Kombëtare Kinematografike, Jonid Jorgji deklaroi sot se “vitet e fundit ka një interesim më të shtuar për ta parë Shqipërinë si një lokacion ku mund të xhirohen filma, por edhe si lokacion ku mund të vendosen studio të mëdha produksioni ndërkombëtare”.

Në një intervistë televizive, Jorgji tha se “kjo vjen prej një sërë faktorësh gjeopolitikë që ndodhin në jo vetëm në rajon, por edhe në Europë dhe Amerikë”.

Sipas tij, është momenti që Shqipëria të thithë këtë interesim para se ta marrin vendet e tjera të rajonit.

Jotgji u shpreh se “jemi në momentin e duhur për t’ia krijuar kësaj industrie këto kushte, siç janë incentivat fiskale, siç janë burimet njerëzore dhe lehtësirat e tjera të ndryshme proceduriale për t’u vendosur në një vend të caktuar”.

“Kam jo më shumë se 3 muaj, 4 muaj, që e drejtoj këtë institucion të cilin e kam realisht jo vetëm pjesë të pasionit tim, por është edhe pjesë e misionit ta çoj këtë industri pak më përpara. Kemi marrë dy iniciativa të menjëhershme që ishin shumë të nevojshme dhe duheshin bërë sa më shpejt. Një është zyra e Albania Film Commission, e cila promovon vendin si një lokacion filmik, por edhe si një vend ku mund të afrohen këto studio të mëdha”, nënvizoi Jorgji.

Ai shtoi se zyra të tilla janë prezente të në gjithë botën, qoftë edhe në qytete të vogla.

“Në Shqipëri kishte nevojë për një zyrë kombëtare, për ta promovuar vendin dhe të ishte një lloj ndërmjetësi për t’i sjellë këto produksione në Shqipëri”, tha ai.

Kreu i QKK-së theksoi se “kemi edhe një iniciativë të dytë, që kishte po aq rëndësi, që është zyra e karrierës. Ne, një nga sfidat që kemi tani janë burimet njerëzore, një pjesë e mirë e atyre kineastëve të njohur janë në një moshë jo aktive, nuk është më ai interes që ka qenë dikur për kinematografinë”.

Shoqata e Përpunuesve të Qumështit kërkon unifikimin e TVSH-së, 10% në blerje dhe shitje

0

Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Financave, ku kërkon reduktimin dhe unifikimin e TVSH-së në nivelin 10% si në blerje, ashtu edhe në shitje për qumështin dhe nënproduktet e tij.

Sipas anëtarëve të Shoqatës, industria përpunuese vijon të përballet me rritje të kostove prodhuese, për shkak të çmimit të shitjes së qumështit si lëndë e parë, që grumbullohet më shtrenjtë sesa vendet e BE-së.

Shoqata argumenton se barazimi i TVSH-së në 10% jo vetëm që do të ulte presionin financiar mbi fabrikat e përpunimit, por edhe do të shmangte rritjen e çmimeve të produkteve të qumështit, duke garantuar stabilitet në tregun e brendshëm.

Po ashtu, theksohet se kjo masë është në përputhje me praktikat e Bashkimit Europian, ku shumica e vendeve anëtare aplikojnë norma të reduktuara të TVSH-së për ushqimet bazë, shpesh në intervalin 5–10%, ndërsa disa vende përdorin edhe normë 0% për kategori të ndjeshme ushqimore si buka, qumështi, vezët dhe frutat e freskëta.

“Objektivi i kësaj politike është të mbështesë konsumatorët, të ulë kostot e jetesës dhe të garantojë akses universal në ushqime të shportës. Kjo do të mundësojë barazimin e TVSH-s në blerje të qumështit nga fermerët e paformalizuar nga njëra anë dhe TVSH-n në shitje nga ana tjetër”, theksohet nga përfaqësuesit e Shoqatës së Industrisë së Përpunimit të Qumështit.

Shoqata shton se procesi i integrimit europian dhe përmbushja e kritereve të Kapitullit 12 do të transformojnë të gjithë zinxhirin blegtoral “nga ferma në tavolinë”, duke unifikuar standardet dhe hapur rrugën për hyrje në tregjet elitare të BE-së.

Në paketën fiskale për 2026, është propozuar projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar” parashikon normë kompensimi 10% për një pjesë të TVSH-së që fermerët paguajnë për inputet, përfshirë për farat, fidanët dhe plehërat në funksion të realizimit të prodhimeve të tyre bujqësore.

Kategoria përfituese e kompensimit do të jenë fermerët të pajisur me NIPT, pra ata që do të shesin të grumbulluesi, përpunuesi apo agroturizmet.

Në relacion theksohet se me zbatimin e skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë synohet të kontribuohet në forcimin e ekonomisë dhe formalizimin e sektorit bujqësor, duke nxitur pajtueshmërinë dhe zbatueshmërinë nga ana e palëve të përfshira në transaksion.

Blerësi detyrohet të lëshojë faturën tatimore të fiskalizuar, dokument ky i nevojshëm për qëllime të njohjes së shpenzimeve tatimore të zbritshme, ndërsa fermeri duhet ta kërkojë dhe disponojë këtë faturë në funksion të përfitimit të kompensimit sipas këtij projektligji.

Duhanpirja, alkooli, obeziteti; Barrë në rritje nga sëmundjet kronike

0

Sëmundjet jo të transmetueshme (SJT), të cilat prej vitesh përbëjnë shkakun kryesor të vdekshmërisë dhe barrës ekonomike në Shqipëri, janë në qendër të programit kombëtar që synon frenimin e faktorëve të rrezikut dhe uljen e vdekshmërisë së parakohshme deri në vitin 2030.

Strategjia e përditësuar, që harmonizohet me kornizën globale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbështetet në analizën e situatës, provat shkencore dhe progresin e deritanishëm, ndërsa synon të reduktojë presionin në rritje që këto sëmundje i shkaktojnë ekonomisë dhe sistemit shëndetësor.

Objektivat vendosin një ritëm të përshpejtuar uljeje të vdekshmërisë së parakohshme: 5% në vit deri në 2023, 10% deri në 2025 dhe 25% deri në vitin 2030, krahasuar me nivelin bazë të vitit 2010, në linjë me Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Për një vend ku SJT-të përbëjnë mbi 90% të vdekjeve dhe rëndojnë financat familjare përmes shpenzimeve të larta nga xhepi, arritja e këtyre objektivave është e lidhur ngushtë me qëndrueshmërinë e sistemit shëndetësor.

Në fushën e faktorëve të rrezikut, strategjia synon ulje të dukshme në disa prej indikatorëve kryesorë. Duhanpirja pritet të reduktohet me 20% deri në vitin 2030, përmes frenimit të rritjes së konsumit tek femrat, uljes së prevalencës tek të rriturit dhe zbutjes së trendit alarmant tek adoleshentët.

Edhe konsumi i dëmshëm i alkoolit synohet të ulet me 10%, duke adresuar abuzimin tek meshkujt dhe “binge drinking” tek të rinjtë, një model që vjen duke u shtuar me pasoja të drejtpërdrejta në shëndet dhe produktivitet.

Sa i përket obezitetit, objektivi është të ndalet rritja e tij, në një kohë kur kostot që burojnë prej tij – nga diabeti tek sëmundjet kardiovaskulare – po rëndojnë gjithnjë e më shumë mbi familjet dhe mbi fondet publike.

Strategjia parashikon gjithashtu ulje me 10% të sedentarizmit tek fëmijët dhe të rinjtë, një nga faktorët me ndikimin më afatgjatë në barrën ekonomike të SJT-ve.

Për hipertensionin, synohet një ulje e prevalencës me 10% në popullatën adulte, me fokus tek grupmoshat mbi 50 vjeç dhe tek të rinjtë, duke rritur gjithashtu ndërgjegjësimin për diagnozën e hershme. Në rastin e diabetit, objektivi është ndalimi i rritjes së prevalencës.

Një komponent i rëndësishëm i strategjisë lidhet me vetë kapacitetin e sistemit shëndetësor, i cili, nëse nuk përforcohet, rrezikon të mos përballojë rritjen e kërkesës për trajtim kronik.

Për këtë arsye, programi parashikon që deri në vitin 2030, të paktën 80% e pacientëve të marrin terapi dhe këshillim me medikamente për parandalimin e aksidenteve ishemike në zemër dhe tru, duke përfshirë kontrollin e glicemisë.

Po ashtu, së paku 80% e mjeteve diagnostike dhe trajtimeve bazë për SJT-të kryesore duhet të jenë të disponueshme në të gjitha shërbimet publike dhe private, një standard i domosdoshëm për të shmangur kostot e larta të trajtimit të vonuar apo të mjekimit jashtë vendit.

Përballë tendencave të rritjes së sëmundshmërisë kronike, strategjia e re kërkon jo vetëm ndryshim sjelljesh, por edhe investime të qëndrueshme në parandalim, diagnostikim të hershëm dhe kapacitete shërbimesh.

Nëse objektivat arrihen, Shqipëria jo vetëm do të ulë vdekshmërinë e parakohshme, por edhe do të frenojë efektet ekonomike të SJT-ve — një prej sfidave më të mëdha të dekadës në shëndetësi./Monitor

Makinat elektrike, DPSHTRR: 42.4% e autoveturave janë me zero kilometra

0

Makinat elektrike po vijojnë të rriten në numër në tregun Shqiptar por pesha e tyre totale në flotën ekzistuese mbetet ende modeste.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor bëri të ditur se nga 2019 deri në tetor 2025, janë regjistruar 10,990 mjete All-Electric, duke shënuar një rritje prej 72% krahasuar me vitin 2024.

“42,4% e autoveturave me km 0 të regjistruara për periudhën Janar – Tetor 2025 janë All Electric, ose + 62% krahasuar me vitin 2024”, nënvizoi DPSHTRR.

Tendenca për mjete me moshë më të ulët ka qenë në rritje nga viti në vit dhe në një njoftim të mëparshëm DPSHTRR bëri të ditur shifrat e përgjithshme të tregut.

“Gjatë periudhës Janar–Tetor 2025, janë regjistruar 16,529 mjete me moshë 0–4 vjeç, duke shënuar një rritje prej 61% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023” nënvizon DPSHTRR.

Sipas kësaj drejtorie gjatë periudhës Janar–Tetor 2025, janë regjistruar për herë të parë 82,814 mjete, duke shënuar një rritje prej 99% krahasuar me vitin 2019. Të paktën 67,603 prej tyre janë autovetura, që përbëjnë 81.6% të totalit të mjeteve të regjistruara.

Blerjet e automjeteve viteve të fundit kanë ndryshuar edhe hartën nga vijnë mjetet ku  sipas DPSHTRR gjatë muajit tetor 2025, u regjistruan mjete me origjinë nga disa prej shteteve më të mëdha prodhuese në botë.

Shtetet kryesore të origjinës së mjeteve të regjistruara: Republika e Koresë – 21.4% ; Itali – 15.5%; Gjermani – 15.5%; Kinë – 8.7%; Zvicër – 8.4%; Shtetet e Bashkuara të Amerikës – 8%.

Kapitalizimi i sektorit bankar arriti nivelin më të lartë historik në fund të tremujorit të tretë

0

Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar shënoi një rritje të ndjeshme gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, pas një cikli prej tre tremujorësh radhazi në rënie.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, ky tregues u rrit në 20.3%, nga 19.25% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ka kaluar edhe nivelin prej 20.2% të një viti më parë, duke arritur një rekord të ri historik.

Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve, të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut. Gjatë tremujorit të tretë, rritja e këtij treguesi ka ardhur njëkohësisht nga shtimi i kapitalit rregullator të sektorit dhe nga ulja e vlerës së aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku.

Vlera e kapitalit rregullator të sektorit bankar në fund të shtatorit arriti në 223.2 miliardë lekë, në rritje me 5.1% krahasuar me një tremujor më parë dhe me 10% krahasuar me një vit më parë.

Kapitali rregullator i sektorit bankar shqiptar në pjesën dërrmuese është kapital i nivelit të parë, që përfshin instrumentet më cilësore të kapitalit, kryesisht kapitalin e paguar aksionar, primet e aksioneve, rezervat dhe fitimet e pashpërndara. Kontributin kryesor në rritjen e kapitalit rregullator e ka dhënë zgjerimi i fitimit të sektorit.

Nga ana tjetër, vlera e aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku në fund të tremujorit të tretë zbriti në 1099 miliardë lekë, në rënie me 0.3% krahasuar me tremujorin e dytë, por në rritje me 9.7% me bazë vjetore. Grupi kryesor i aktiveve me rrezik në bilancet e bankave janë kreditë për sektorin privat.

Rënia e vlerës së aktiveve të ponderuara me rrezik mund të lidhet kryesisht me një ngadalësim të rritjes së portofolit të kredisë gjatë tremujorit të tretë, veçanërisht të asaj pjese të tij që klasifikohet me koeficientët më të lartë të rrezikut (për shembull, kredia e ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.

Raporti minimal bazë i mjaftueshmërisë së kapitalit për sektorin bankar është 12%, por pas vitit 2019 ka nisur aplikimi i shtesave të tjera të lidhura me kuadrin e ri makroprudencial, si edhe atë për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme. Kjo i ka rritur ndjeshëm kërkesat për kapital, duke ndikuar edhe në një rritje graduale të niveleve mesatare të këtij treguesi për sektorin.

Duke shtuar edhe shtesën konservuese të kapitalit, prej 2.5%, raporti total i mjaftueshmërisë së kapitalit arrin në 14.5%. Ndërsa duke llogaritur edhe shtesat kundërciklike të miratuara deri tani nga Banka e Shqipërisë, deri në fund të vitit 2025 raporti minimal i mjaftueshmërisë së kapitalit për të gjitha bankat do të arrijë në 15.5%.

Ndërkohë, kërkesat e kapitalizimit janë edhe më të larta për një grup të veçantë bankash, të klasifikuara me rëndësi sistemike Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Banka Credins, Banka Raiffeisen dhe Banka OTP Albania kanë shtesa të tjera në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit, në masën midis 0.5% dhe 1.5%.

Gjithashtu, bankat me rëndësi sistemike dhe banka Intesa Sanpaolo Shqipëri që nga 1 janari 2024 duhet të plotësojnë edhe shtesën e parë të kërkuar të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit që lidhet me kërkesën minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL).

Rritja e kërkesave për kapital i bën bankat më të sigurta ndaj humbjeve të mundshme në të ardhmen. Por, nga ana tjetër, nivelet e larta dhe në rritje të mjaftueshmërisë së kapitalit në parim ndikojnë në uljen e rentabilitetit dhe në rritjen e kostove që i përcillen publikut.

Sektori bankar ka kërkuar me këmbëngulje prej vitesh që së paku kërkesat shtesë për kapital të aplikohen sipër një pragu minimal prej 8%, siç ndodh në Eurozonë. Por, sipas Bankës së Shqipërisë, një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm pas certifikimit të ekuivalencës së mbikëqyrjes bankare në Shqipëri. / Monitor