Home Blog Page 19477

Presidenti Trump kritikon ish zyrtarët e zbatimit të ligjit

3

Presidenti amerikan Donald Trump sugjeroi të hënën se zyrtarë kryesorë të zbatimit të ligjit kanë kryer “tradhëti” kur në vitin 2017 kanë shqyrtuar mundësinë e përdorimit të një amendamenti kushtetues për ta larguar atë nga detyra, ndërsa do të hapnin një hetim kundër tij për pengim të drejtësisë.

Nga vendpushimi i tij në Florida, Presidenti Trump kritikoi ish-drejtorin në detyrë të Byrosë Federale të Hetimeve Andrew McCabe. Ky i fundit të dielën gjatë emisionit televiziv “60 minuta” që transmetohet në CBS tha se ai dhe zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein kishin diskutuar rreth përdorimit të amendamentin të 25-të Kushtetutës që i jep mundësinë nënpresidentit dhe një shumice prej 15 anëtarësh të kabinetit, të shpallin një president të paaftë për të trajtuar detyrat presidenciale, duke bërë që nënpresidenti të marrë për pasojë pozitën e presidentit në detyrë.

Zoti McCabe tha se me shkarkimin nga detyra të ish-drejtorit të FBI-së James Comey në maj 2017 nga Presidenti Trump “mund të jetë kryer një shkelje e ligjit”. Gjatë kësaj periudhe zoti Comey drejtonte hetimin që po kryente agjencia rreth lidhjeve të zotit Trump me Rusinë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Disa ditë më vonë presidenti Trump tha se po mendonte lidhur “me Rusisë” kur vendosi të shkarkojë zotin Comey.

Vetë zoti McCabe i cili u shkarkua më vonë pas një veprimtarie 21 vjeçare në FBI, tha se: “nëse një president ka penguar drejtësinë, ka shkarkuar drejtorin e FBI-së për të ndikuar negativisht apo për të mbyllur hetimet mbi aktivitetin keqdashës të Rusisë dhe ndoshta në mbështetje të fushatës së tij, si një agjent i kundër-zbulimit, duhet të pyesësh veten, pse do ta bënte këtë një president i Shteteve të Bashkuara?’

“Të gjitha këto fakte na bënë të pyesim nëse ka një marrëdhënie të papërshtatshme, një lidhje mes këtij presidenti dhe armikut tonë më të frikshëm, qeverisë së Rusisë?”, shtoi zoti McCabe.

Ish-drejtori në detyrë i Byrosë Federale të Hetimeve tha se zoti Rosenstein, i cili do të largohet së shpejti nga Departamenti i Drejtësisë, ishte “absolutisht” dakort lidhur me çështjen e pengimit të drejtësisë si dhe hetimin ndaj zotit Trump.

Disa ditë pas shkarkimit të ish-drejtorit të FBI-së James Comey, zoti Rosenstein caktoi Robert Mueller-in si Prokuror të Posaçëm për të marrë përsipër hetimin ndaj Rusisë. Zoti Rosenstein u ngarkua me mbikëqyrjen e hetimit, pasi Prokurori i Përgjithshëm i atëhershëm Jeff Sessions hoqi dorë për shkak të bisedave të tij me ish-ambasadorin rus Sergej Kislyak gjatë fushatës zgjedhore. Një vendim që çoi zotin Trump në shkarkimin e zotit Sessions vitin e kaluar.

“Wow, kaq shumë gënjeshtra deri tani nga drejtori i turpëruar i FBI-së, Andrew McCabe”, tha Presidenti Trump në një postim në Twitter. “Ai dhe Rod Rosenstein, i cili ishte punësuar nga Jeff Sessions (një tjetër bukuri), duket sikur po planifikonin një akt shumë të paligjshëm dhe u kapën”.

Presidenti Trump shtoi se: “Duhen shumë shpjegime për miliona njerëzit që sapo e kishin zgjedhur një president që me të vërtetë e dëshironin dhe që ka bërë një punë të madhe për ta me ushtrinë, veteranët, ekonominë dhe shumë më tepër. Ky ishte një veprim i paligjshëm dhe prej tradhëtari”. https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1097473080253968384

Zoti McCabe tha se kërkesa e Presidentit Trump në fillim të punës së administratës së tij ndaj ish drejtorit të FBI-së James Comey për të ndalur hetimin e FBI-së ndaj ish-këshilltarit të sigurimit kombëtare, Michael Flynn dhe diskutimet e tij me ish ambasadorin rus në Uashington, Kislyak gjithashtu kontribuan në dyshimet e FBI-së ndaj veprimeve të Presidentit Trump.

“Së bashku, këto rrethana ishin fakte që tregonin se mund të ishte kryer një krim “, tha McCabe. “Presidenti mund të thuhet se ka qenë angazhuar në pengimin e drejtësisë me shkarkimin e (drejtorit të FBI-së) James Comey-it.”

Zoti McCabe tha se Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm, Rosenstein në një moment ofroi të pajisej me përgjues për një takim në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Trump për të dokumentuar bisedat e tyre. McCabe tha se komenti i zotit Rosenstein u bë në një bisedë rreth shkarkimit të zotit Comey, por Departamenti i Drejtësisë tha vitin e kaluar se komentet e tij ishin me shaka e jo të një natyre serioze.

Andrew McCabe u shkarkua vitin e kaluar nga Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions, një ditë para se të kualifikohej për të marrë pension të plotë nëse dilte nga puna. Departamenti i Drejtësisë tha se ai u shkarkua për shkak se ai kishte mashtruar hetuesit gjatë një hetimi të brendshëm mbi rrjedhjen e informacioneve për gazetën Wall Street Journal. McCabe ka hedhur poshtë këtë pretendim.

“Unë besoj se u shkarkova për shkak se hapa hetimet për një çështje kundër Presidentit të Shteteve të Bashkuara,” tha ai.

Senatori Lindsey Graham, ligjvënës republikan nga Karolina e Jugut, i cili është një nga mbështetësit më të fortë të Presidentit Trump, tha të dielën se ai ka në plan të hap një hetim për pretendimet e zotit McCabe, se kishte diskutime mbi një përpjekje për të rrëzuar Presidentin Trump në bazë të një amendamenti kushtetues.

“Prokurori i Përgjithshëm e mohon këtë,” tha Graham. “Do të kemi një seancë dëgjimore për të mësuar se kush thotë të vërtetën, se çfarë ndodhi në të vërtetë”.

Graham shtoi: “Ne jemi një demokraci, njerëzit zbatojnë ligjin, nuk mund ta marrin atë në duart e tyre. Pra, a ishte kjo një përpjekje burokratike për grusht shtet? Nuk e di”.

Robert Mueller 21 muaj më parë filloi hetimet mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016, lidhjet e mundshme të fushatës së zotit Trump me Rusinë dhe nëse zoti Trump, në rolin e Presidentit, pengoi drejtësinë duke u përpjekur të pengonte hetimin.

Hetimet e tij kanë rezultuar në dënime për vepra të ndryshme të pesë zyrtarëve kryesorë të Presidentit Trump, përfshirë gjeneralin Flynn, ish-menaxherin e fushatës Paul Manafort dhe zëvendësin e tij, Rick Gates, ish këshilltarin për punët e jashtme George Papadopoulos dhe ish-avokatin Michael Cohen, ndërsa ndaj ish këshilltarit të zotit Trump, Roger Stone janë ngritur akuza kriminale.

Presidenti Trump ka mohuar në mënyrë të përsëritur akuzat për bashkëpunim me Rusinë gjatë fushatës zgjedhore, si dhe akuzat se ka penguar drejtësinë.

Modelet 3-D të zemrës ndihmojnë kirurgët

1

Çdo zemër është e ndryshme dhe kjo mund ta bëjë operacionin të vështirë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kevin Enochs na njeh me një teknologji të re që krijon një model me tre përmasa të zemrës së çdo pacienti për të ndihmuar kirurgun të përgatitet për operacion.

Mjekët e Universitetit të shtetit të Uashingtonit bëjnë operacione duke përdorur kateter.

Tuba të gjatë depërtojnë në zemër dhe u japin mundësi mjekëve që të bëjnë një operacion në zemër pa shkaktuar çarje të thella.

Doktor Mark Reisman e ka më të lehtë tani, pasi bën praktikë më parë me një model me tre përmasa të kësaj zemre, krijuar nga printera me tre përmasa, duke përdorur skanime ultrazanore.

“Këta printer me tre përmasa na japin mundësinë që të shohim fizikisht zemrën dhe të kuptojmë nuancat e anatomisë së saj dhe anatomisë së saj në raport me struktura të tjera”, thotë ai.

Dmitry Levin fut të dhëna ultrazanore në printerin me tre përmasa dhe krijon një model me saktësi dhe shpejtësi.

“Një nga avantazhet e mëdha është se fitojmë shumë kohë, Nga momenti kur unë marr të dhënat deri kur kam në dorë modelin, koha reduktohte në mënyrë drastike nga disa ditë, në disa orë”, thotë ai.

Ky rezultat kaq i shpejtë, i jep mundësi droktorit Reisman, që ta planifikojë opreacionin si kurrë ndonjëherë më parë.

“Me operacionet që bëj unë, më jep mundësinë që të bëjë praktikë paraprakisht, çka është shumë e rëndësishme sepse në vend që të bëj disa procedura dhe të ndacmoj valvolat për here të pare kur bëj operacionin tek pacienti, unë kam mundësinë të praktikoj jashtë trupit të tij”.

Studimet e fundit tregojnë se më shumë operacione të valvolës së aortës po bëhen me katerer sesa me mënyrën më të rrezikshme të hapjes së zemrës.

Kryeministri i Polonisë anulon pjesëmarrjen në takimin e Jeruzalemit

3

Kryeministri i Polonisë e anuloi udhëtimin e tij për në Jeruzalem, ku po mbahet një takim i vendeve të Evropës Qendrore, për shkak të komenteve të Ministrit të Jashtëm të Izraelit, se polakët “kanë bashkëpunuar me nazistët”.

Kryeministri Mateusz Morawiecki i cilësoi komentet e zotit Katz “të papranueshme dhe raciste”.

Këto zhvillime hapin përsëri polemikën mes Polonisë dhe Izraelit mbi qëndrimin e polakëve ndaj hebrejve gjatë pushtimit të Polonisë nga Gjermania naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kryeministri pokal Morawiecki njoftoi dje gjithashtu se Polonia nuk do të merrte pjesë në një takim dy-ditor me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe me udhëheqësit e katër vendeve të Europës Qendrore – Polonia, Hungaria, Republika Çeke dhe Sllovakia, të hënën dhe të martën në Izrael, pas një komenti të zotit Netaniahu javën e kaluar se polakët patën bashkëpunuar me nazistët.

Manchester United mposht Chelsea dhe kualifikohet në çerekfinale të FA Cup

3

Manchester United ka fituar ndaj Chelsea në Stamford Bridge dhe kualifikohet në çerekfinale të FA Cup. 2-0 janë imponuar Djajtë e Kuq në shtëpinë e Bluve që pas humbjes katastrofike 6-0 me Man.City në kampionat sot marrin një tjetër goditje që ka peshën e daljes jashtë FA Cup. Djemtë e trajnerit Ole Gunnar Solskjaer e kanë dominuar takimin duke shënuar dy herë në pjesën e parë. Anderr Herrera ka zhbllokuar shifrat në minutën e 31′, ndërsa goli i dytë ishte një goditje e bukur me kokë e Paul Pogba në të 45′.

Në pjesën e dytë Blutë e Londrës u përpoqën të ndryshojnë situatën, por më kot. Një tjetër natë e errët për trajnerin e Chelsea, Maurizio Sarri që sheh skuadrën të eliminohet nga FA Cup dhe ndjen tokën t’i dridhet nën këmbë. Nga ana tjetër United hakmerret për finalen e 2018, ndërsa Chelsea i mbetet vetëm Kupa e Ligës dhe Europa League për të shpëtuar një sezon negativ.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Cili qe faji i liderëve të opozitës?

1

Nga Mark Marku

Në kushte normale, protes ta e sotme do të ishte konsideruar si suksesi më i madh i opozitës. Mijëra njerëz në shesh, aq sa nuk i kemi parë asnjëherë që prej viteve ‘90, të gjithë me një objektiv të vetëm: rrëzimin e Ramës.

Protesta shprehu edhe një herë se çfarë mllefi popullor zien ndaj Kryeministrit Rama dhe asaj tufe njerëzish qesharakë që ai i quan ministra, ndërkohë që ata, nga ana e tyre, e quajnë Skënderbe, duke krijuar kështu një kllounadë që nuk e ka parë ndonjëherë vendi, edhe pse qeverisjet dhe qeveritë e këqija e kanë shoqëruar historinë shqiptare që nga krijimi i shtetit shqiptar. Protesta ka entuziazmuar dhe zhgënjyer njëherësh shumëkënd, sepse asaj liderët e opozitës i kishin caktuar një objektiv: rrëzimin e Ramës. Një gjë e tillë nënkuptonte që ose Rama vetë, i shtyrë nga protesta e opozitës të prekej, ose frikësohej aq fort sa ta dorëzonte pushtetin, ose opozita ta përmbyste me dhunë Ramën dhe të vinte në pushtet po me dhunë.
Të sqarohemi, me përmbysje me dhunë të pushtetit kemi parasysh atë që në terminologjinë politike quhet ose kryengritje e armatosur popullore, ose një coup d’etat, ose një ndërhyrje e armatosur nga jashtë dhe jo protestat si kjo e sotmja të shoqëruar me akte dhune që nuk kanë asnjë lidhje me tri të parat, por më shumë ngjajnë me skenat e dhunshme të tifozëve nëpër stadiume. Në të dyja rastet, mundësia ishte zero. Pra, nuk kishte asnjë gjasë që Rama të prekej aq fort apo të reflektonte aq fort për këtë protestë, sa të kthehej menjëherë nga Vlora dhe në sytë e përlotur të Elisa Spiropalit të dorëzonte çelësat e zyrës në duart e liderëve të opozitës. Mundësia e dytë, pra, ajo e përmbysjes me dhunë të Ramës (në kuptimin e vërtetë që ka përmbysja me dhunë e pushtetit, me tri rrugët e përmendura më sipër), ishte gjithashtu zero. Sepse marrja e pushtetit me dhunë është po aq e papranueshme sa edhe mbajtja e tij me dhunë (siç po bën Rama) dhe për më tepër nuk mund të bëhet në një vend që aspiron të hyjë në Europë.

Faji i liderëve të opozitës, pra, nuk qëndron në faktin se pse nuk e përmbysën Ramën në një ditë, as pse nuk e morën pushtetin në mënyrë të dhunshme. Faji i tyre ishte se krijuan një pritshmëri të tillë dhe i bënë të besonin gjithë atë mizëri njerëzish të ngarendnin nga të gjitha anët e Shqipërisë me shpresën se do ta hiqnin qafe brenda një dite Kryeministrin Rama dhe gjithë pushtetin e krimit të organizuar të krijuar prej tij në këto gjashtë vite qeverisje.

Krejt ndryshe do të ishte nëse liderët e opozitës do të kishin deklaruar fillimin e aksionit politik për rrëzimin e Ramës dhe protestën si etapën e parë të këtij aksioni. Atëherë, protesta do të ishte konsideruar një sukses pa pikë dyshimi dhe s’do të kishte vend për kritika. Kjo e bën edhe më të vështirë në ditët e ardhshme pozitën e opozitës shqiptare para qytetarëve shqiptarë. Kjo mund ta rrisë edhe më tej mosbesimin e mbështetësve të tyre në verbin dhe aksionin e tyre politik. Kjo mund ta rrisë edhe më shumë armiqësinë apo indiferencën e atyre individëve apo grupeve sociale që kërkojnë sot ndryshimin e qeverisjes dhe largimin e Ramës ndaj aksionit opozitar.

Këto vështirësi fillojnë që me protestën e shpallur të së enjtes. Nuk e di se për ç’arsye, përveçse për të parë se si deputetët e opozitës i djegin mandatet para tyre, do të duhej që qytetarët të mblidheshin para Parlamentit. Mendoni, të kundërtën, pra, që ata të vijnë aty, për të parë se si deputetët e opozitës do të hyjnë në të njëjtin Parlament me kolegët që po vetë i akuzojnë se kanë ardhur aty me paratë e krimit. Do të shndërroheshin menjëherë nga qytetarë të revoltuar në spektatorë të një teatri të shëmtuar. Në këto kushte, opozita shqiptare është para dy alternativash.

Alternativa e parë. Të japë shenja se vendosmëria, serioziteti dhe objektivi i saj nuk është sa për të mbushur një ditë bulevardin, por se ky është fillimi i një beteje të gjatë, serioze për demokracinë, zgjedhjet e lira dhe shtetin ligjor në Shqipëri. Qytetarët dhe mbështetësit e tyre e treguan, me tërë seriozitetin e tyre, se ata janë të gatshëm për të sakrifikuar për një gjë të tillë dhe prandaj erdhën, të shumtë, me kurajë dhe të vendosur. Tashmë, nëse opozita do të tregohet në nivelin e tyre dhe nëse do të tregojë se vërtet do të sakrifikojë për këtë kauzë, do duhet të ndërmarrë disa akte: të deklarojë se nuk do të futet në zgjedhjet lokale me një qeveri që ka treguar me zgjedhjet e para dy viteve se, përmes botës së krimit mund t’i manipulojë sërish ato; të deklarojë se nëse kjo nuk arrihet, opozita do të djegë mandatet dhe me këtë akt do ta hedhë në erë një sistem që nuk ka asgjë të përbashkët me sistemin demokratik.

Alternativa e dytë: të bëjë retorikë boshe, të shkojë gjithnjë duke u rrudhur në protestat e saj dhe të bëjë të njëjtën gjë që bëri para dy vitesh, të hyjë në zgjedhje duke konkurruar me botën e krimit dhe krahun e saj politik, Rilindjen e Edi Ramës, t’i humbë ato, por ama të mos na çajë kokën me angullima postzgjedhore për manipulimin e zgjedhjeve, sepse askush nuk do t’ia varë më, pasi do të konsiderohet jo viktimë, por bashkëpunëtore në manipulimin e zgjedhjeve. Ata që vërtet e kanë seriozisht betejën për demokraci, zgjedhje të lira dhe shtet ligjor, ndahen ose bashkohen me opozitën, varësisht alternativës së dytë dhe s’kanë pse të kenë më iluzione, sepse, nëse e bëjnë një gjë të tillë për herë të dytë, do ishin thjesht budallenj.
/Panorama/