Home Blog Page 20674

Tenderët, institucionet nuk respektojnë specifikimet teknike, problem edhe marrja në dorëzim

0

Agjencia e Përgjithshme e Prokurimeve u ka tërhequr së fundmi vëmendjen institucioneve që të jenë të kujdesshme lidhur me tenderët, pasi nga formularët standard të dërguar lidhur me zbatimin e kontratave dhe monitorimet janë vënë re problematika të lidhura me disa aspekte.

Së pari APP vlerëson se nga ana e institucioneve bëhet marrja në dorëzim e mallrave apo artikujve objekt prokurimi, duke mos u shoqëruar me procesverbalin e marrjes në dorëzimi dhe fletëhyrjen konform legjislacionit në fuqi. “Për këtë qëllim sjellim në vëmendje të autoriteteve kontraktore që të dokumentojnë marrjen në dorëzim të objektit të prokurimit nëpërmjet mbajtjes së dokumentacionit përkatës që parashikon legjislacioni në fuqi”, – thuhet në dokumentin e APP.

Nga ana tjetër, kjo e fundit nënvizon se mallrat apo artikujt objekt kontrate, të paraqitura nga operatori ekonomik fitues, nuk janë sipas specifikimeve teknike pjesë e dokumenteve të tenderit mbi bazën e të cilave është paraqitur, vlerësuar dhe shpallur fitues operatori ekonomik. Në këtë rast APP thekson se autoritetet kontraktore që të verifikojnë mallrat/artikujt objekt kontrate të dorëzuara nga kontraktori, nëse ato janë në përputhje me specifikimet teknike të vendosura në dokumentet e tenderit mbi bazën e të cilave është konkurruar.

APP nënvizon se ka konstatuar se autoritetet kontraktore përfituese nuk respektojnë afatin e përcaktuar në rregullat e prokurimit publik për dërgimin e formularit të njoftimit të kontratës së nënshkruar pranë Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara.

“Sjellim në vëmendje të autoriteteve kontraktore se duhet të respektojnë afatin e përcaktuar në nenin 6 të VKM ku shprehimisht përcaktohet se: “Në rastin e prokurimit të përqendruar, autoritetet kontraktore përfituese duhet të dërgojnë njoftimin e kontratës së lidhur pranë organit qendror të blerjes jo më vonë se 5 ditë pas nënshkrimit të kontratës. Organi qendror blerës dërgon për publikim Buletinin e Njoftimeve Publike njoftimin e kontratës së lidhur jo më vonë se 5 ditë pas marrjes së këtij njoftimi nga autoriteti kontraktor”, thuhet në shkresën e APP.

Kush i merr mandatet? Boçi: Parlamenti ka marrë fund, duhet qeveri tranzitore

4

“Djegia e mandatave është një hap i imponuar nga rrethanat politike dhe shënon e kulmon ngritjen e një sipari beteje që mbyllet vetëm me një fund: me zgjedhje të parakohshme”. Për deputetin e PD-së, Luçiano Boçi, në kushtet e demokracisë fasadë të fikur, e pa drita mandatesh, Rama do kapet me thonj pas karrikes, duke u përpjekur të luajë rolin e “viktimës” e populli me opozitën është “xhelati”. Në një intervistë për “Koha Jonë”, i pyetur se çfarë do ndodh me listat e kandidatëve pas djegies së mandateve, Boçi dha këtë përgjigje: “Rama po investohet në këtë drejtim por në optikën time është i lejuar që ta bëjë. Nuk do pjellë as më shumë e as më pak por parlamentin me demek pluralist të ’91, ku PS fitoi e ishte mazhorancë, në aleancë me organizatat jopolitike që u quajtën subjekte zgjedhore”. Ndërsa për qeverinë tranzitore, deputeti demokrat, pohon se “garanton vazhdimin e reformave evropianizuese për të mundësuar çeljen e negociatave dhe realizim e zgjedhjeve të ndershme e të lira brenda një kuadri të plotë ligjor që shmang krimin, hajdutërinë e vjedhjen”.

Përshkallëzimi i opozitarizmit në vend pati kulminacionin me protestën e 16 shkurtit. Përse opozita shkoi tek ky vendim për djegien e mandateve? Si do të jetë vazhdimi?

Protesta gjigande e 16 shkurtit ishte jo vetëm një duf zemërate qytetare e shprehur në të gjithë përmasën e mundshme por njëkohësisht dhe një thirrje e plotë e tyre drejtuar ne si opozitë, për ti dhënë fund maskaradës së një demokracie parlamentare të diskretituar dhe të shëmtuar. Komunikimi ynë për këtë vendim me publikun ka qenë i vazhdueshëm dhe vendimi aspak “rrufe në qiell të pastër”. Djegia e mandatave në kushtet e kriminalizimit të votës së faktuar të vjedhur e të grabitur, ka qenë një kërkesë konstante e parashtruar në shumë forume, opinione, konsiderata e qëndrime.

Kreu i PD e kishte paralajmëruar një masë të tillë në rast të kulmimit të një proteste si kjo e 16 shkurtit. Jo thjesht si veprim simbolik apo si përmbushje oreksesh por si një hap in extremis, i kushtëzuar nga reagimi qytetar e mosreagimi qeverisës, si një vazhdim i protestës dhe kërkesës qytetare me mjete krejtësisht politike. Ushtrimi i opozitarizmit parlamentar si thelb i demokracisë, në kushtet e zaptimit ekonomik, politik e mediatik qeverisës, në kushtet e zënies së çdo hapësire kontrolluese, ligjvënëse e zëdhënëse të opozitës, ka humbur çdo kuptim dhe vlerë. Opozita nuk mund të jetë kurrsesi një kuadrat i puzzl-it të interesave imediate financiaro-korruptive dhe interesave politiko-okulte të një grupi sunduesish që kanë si përfaqësues e drejtues figura të miksura krim-politikë, si ajo e Ramës.

Opozita e opozitarizmi janë zë i qytetarit, janë alternativa e vendit, janë energjia që shtyn e vë para përgjegjësisë morale e politike çdo lloj drejtimi e menaxhimi. Tendenca dhe investimi për të zhdukur, kufizuar, keqpërdorur opozitën bashkë me tendencën për të çimentuar formulat kriminale të blerjes e mbajtjes së pushtetit, konsiderohen si veprime absurde, miope e aventureske. Ato çojnë domosdo në devijim të vlerës së politikës dhe në një konfrontim të pashmangshëm me interesin publik dhe qytetarin e thjeshtë. Në rrethana të tilla, djegia e mandatave është një hap i imponuar nga rrethanat politike dhe shënon e kulmon ngritjen e një sipari beteje që mbyllet vetëm me një fund: Me zgjedhje të parakohshme. Teknikisht nëpërmjet një qeverie tranzitore detyrë e së cilës është garantimi i vazhdimit të reformave të kushtëzuara nga BE e Washingtoni dhe krijimi i të gjithë infrastrukturës ligjore e logjistike për të zhvilluar zgjedhje të ndershme e të drejta. Vazhdimi është i paralajmëruar. Në kushtet e demokracisë fasadë të fikur, e pa drita mandatesh, Rama do kapet me thonj pas karrikes, duke u përpjekur të luajë të gjitha fijet për të bindur përkrahësit jashtë e brenda se ai është “viktima” e populli me opozitën është “xhelati”.

Do bëjë e do tjerrë ture me takime me administratën, për të reklamuar mbështetje. Do bëjë si kalorës i drejtësisë, ndërkohë që propozon ndryshime ligjore për t’i dhënë imunitet deputetëve e ministrave të tij e do akuzojë opozitën, ndërkohë që kjo me vullnetin e saj është zhveshur nga çdo imunitet dhe e gatshme të përballet me çdo formë drejtësie. Do bëjë e ç’nuk do bëjë që si e si mos humbasë privilegjet e grumbulluara me pastrim, vjedhje, korrupsion, offshore, banka e kesh. Por të jeni të bindur që në fund ai nuk e shmang dot fundin prej një sundimtari të shfazuar mentalisht e emocionalisht. Protesta e 16 shkurtit do ketë simotrat e saj dhe aksioni ynë i kulmuar do ruajë ritmet e tij deri në realizimin e vullnetit qytetar.

Opozita thotë se në mënyrë demonstrative do të djeg mandatet të enjten por nëse deputetë të caktuar thonë që nuk i djegim, si i bëhet? Çfarë ndodh me listat e kandidatëve pas djegies së mandateve?

Këtu nuk ka dilema. Djegia e mandateve tashmë ka ndodhur e çdo demostrim tjetër është një shtojcë efektive opsionale. Vendimi politik është marrë dhe formalisht sanksionohet nga vendimi i Këshillit Kombëtar të PD. Partitë e tjera opozitare janë në të njëjtën linjë. Çështja e kandidatëve që ndjekin listën nuk është një çështje nominative. Mandatet nuk janë personal. Ato janë vullnete politike të zgjedhësve të shprehura ndaj programeve e vizioneve të forcave politike. Njësimi i mandatit me një emër është i karakterit formal. Vendimin final e ka forca politike që e ka propozuar. Ligjërisht, ndonëse nuk ka një përcaktim të qartë e që le shteg për diskutime, politikisht çdo gjë është taksative. Djegien e mandateve sot po e bën opozita dhe jo individi. Akti individual pas heqjes së tagrit përfaqësues nuk asnjë vlerë. E kuptojmë që Rama po investohet në këtë drejtim por në optikën time është i lejuar që ta bëjë. Nuk do pjellë as më shumë e as më pak, por parlamentin me demek pluralist të ’91, ku PS fitoi e ishte mazhorancë, në aleancë me organizatat jopolitike që u quajtën subjekte zgjedhore si Frontin, Bashkimet profesionale, Gruaja komuniste, Rinia komuniste etj, etj por që ishte në kundërshtim të plotë, sikurse sot me vullnetin qytetar. Historia dihet më pas me zgjedhjet e parakohshme të 22 marsit.

Çfarë do të ndodhë të enjten? A do të kthehet parlamenti “në arenë”, siç ndodhi tek kryeministria? Do tentojnë qytetarët të hyjnë brenda parlamentit?

Është diçka që e vendosin vetë qytetarët. Forma e reagimit është në dorë të tyre. Ai parlament është i marrë fund dhe i mbaruar kokë e këmbë. Nuk asnjë vlerë. As demokratike e as europiane. Nuk përfaqëson askënd, përveçse interesat e një organizate kriminale që ka pushtuar politikën e njërit krah dhe e përdor ideologjinë e majtë si rreckën për të mbuluar flamurin me kafkë e kokë të një grupimi kleptokratësh e sektokratësh që në vigjilje të tij të grabitjes së votave u vetëquajt Rilindje, me në krye aksidentin më të madh historik të demokracisë sonë , statujën e korrupsionit e degradimit politik, Ramën.

Z.Basha tha se detyra e parë e qeverisë tranzitore është që të arrestojë politikanë për vjedhje votash. Si do të arrihet dhe kush do jetë kryeministër në këtë qeveri tranzitore? Kush është figura që e garanton garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, siç opozita kërkon?

Beteja jonë nuk është çështje emrash. Rama apo klon i Ramës, sepse tek e fundit “të gjithë derrat një turi kanë”. Beteja jonë është çështje sistemi. Çështje e përmbysjes së sistemit qeverisës që vjedh, grabit, dhunon, frustron qytetarin. Sistem që lind nga krimi dhe i shërben krimit. Përfaqësuesi më tipik dhe i parë që duhet të shporret është sigurisht Rama. Pas tij e gjithë ngrehina e ndyrë e shpurës, adjutantëve, servilëve, puthadorëve, shërbëtorëve. Qeveria tranzitore do duhet të garantojë vazhdimin e reformave evropianizuese për të mundësuar çeljen e negociatave dhe realizim e zgjedhjeve të ndershme e të lira brenda një kuadri të plotë ligjor që shmang krimin, hajdutërinë e vjedhjen. Si hap i parë i saj është frymëzimi dhe iniciativa për të mbështetur dërgimin prapa hekurave të arkitektëve që sot shijojnë veprën e tyre të votës së grabitur nga maja e pushtetit, të faktuar me prova prokurorie, e që nesër duhet të kundrojnë e shijojnë procesin të çliruar prej tyre, nga qelitë e rezervuara për to.

Brukseli apelon opozitën se djegia e mandateve, është kundër integrimit në BE. Është koincidencë që aksioni opozitar nis disa muaj para se BE të flasë për anëtarësimin e vendit në BE?

Brukselit do t’i duhet të shohë shkakun që solli djegien e mandateve, sepse aty do gjejë se ku “fle lepuri” dhe i mosçeljes së negociatave dhe nga ana e tij, e shprehur tashmë në shumë forma para verdiktit final të qershorit.

Intervistë për “Koha Jonë” deputeti i PD-së, Luçiano Boçi: Në qeli arkitektët e votës së grabitur nga maja e pushtetit

 

NATO, mbrojtësja e pavarësisë së shteteve

2

Nga Janusz Bugajski

Sivjet shënohet 100 vjetori i lindjes së shteteve të pavarura në Europën qendrore dhe lindore pas rënies së perandorive ruse, gjermane, austriake dhe otomane. Për shumicën e këtyre vendeve pavarësia vazhdoi të pengohej gjatë shekullit 20 deri në rënien e perandorisë sovjetike pothuaj para 30 vitesh. Duke i ditur ambiciet e imperialisti të fundit të Europës – Rusisë – dhe pasojave shkatërrimtare të tolerimit të pushtetit grabitqar, misioni i NATO-s, i fuqizimit të sigurisë së çdo anëtari të saj sot është po aq jetik sa edhe mbrojtja e Europës Perëndimore gjatë Luftës së Ftohtë. Revolucionet politike të viteve1989-1991 siguruan çlirimin e 21 vendeve nga dominimi i Moskës dhe u çliruan edhe 7 shtete të tjera me shpërbërjen e Jugosllavisë.

Derisa komunizmi është një ankth që po zbehet, beteja për ruajtjen e pavarësisë shtetërore vazhdon edhe sot. Regjimi i Putinit kërkon kthimin e transformimeve të epokës së pas Luftës së Ftohtë gjatë së cilës Rusia i humbi satelitët e saj, e humbi epërsinë e saj rajonale dhe hoqi dorë nga roli i saj global.

Moska tenton ta ndajë Perëndimin dhe një nga metodat është të shkaktojë përçarje mes Amerikës dhe Evropës. Historia është kthyer mbrapshtë me pohimet që Uashingtoni e ka kufizuar sovranitetin e vendeve evropiane. Në realitet, gjatë shekullit të kaluar Amerika ka flijuar gjakun e saj dhe pasurinë në mbrojtje të pavarësisë së Evropës dhe mbetet e zotuar ndaj NATO-s si mbrojtësin më efektiv të shtetësisë.

Për të kompensuar inferioritetin e saj ushtarak, Moska eksploron cenueshmërinë e perëndimit përmes sulmeve kibernetike, spiunazhit, dezinformatave, korrupsionit dhe mjeteve të tjera të “forcës së butë”. Ndërhyja e Kremlinit në zgjedhjet presidenciale amerikane është thjesht një maje e ekspozuar e akullnajës së shkatërrimit kundër perëndimor.

Qëllimi është të bëhet ndarja në politikat vendore dhe të paralizohet politika e jashtme. Lufta informative e Kremlinit gjithashtu promovon një agjendë kundër BE-s për ta ndarë Europën dhe për të penguar një front të përbashkët diplomatik ndaj Rusisë. Fushata propaganduese kundër liberalizmit u bën thirrje elektoratit konservator dhe nacionalist në të cilën Rusia është portretizuar si një mburojë e krishterë.

Marrëveshjet për energji dhe joshja për biznes janë projektuar për t’i ngatërruar shtetet në projektet e Kremlinit dhe për të zvogëluar kundërshtimin e tyre ndaj politikës së jashtme të Moskës. Kërcënimet me luftë nukleare janë synuar t’i qetësojnë politikanët perëndimor dhe t’i parandalojnë që ta forcojnë krahun lindor të NATO-s.

Çdo shpërthim nacionalizmi dhe populizmi në Evropë i favorizon objektivat rajonale të Kremlinit duke i dobësuar institucionet demokratike, me ekspozimin e tyre ndaj korrupsionit, dhe duke e minuar ndjekjen e politikës së përbashkët trans-atlantike të sigurisë. Pa një NATO të unifikuar për çka çdo aleat kontribuon sipas mundësive të tyre, pavarësia e çdo anëtari rrezikohet (marrë nga Shekulli).

Basha pritet me entuziazem pas mbledhjes se Keshillit Kombetar nga mijëra njerëz në oborrin e PD

0

Mijëra qytetarë janë grumbulluar në oborrin e selisë së PD-së, duke duartrokitur vendimin e marrë nga Këshilli Kombëtar i PD-së për djegien në mënyrë unanime të mandateve të deputetëve.

Pas mbledhjes së Këshilli, kreu i PD-së Lulzim Basha me një deklaratë para selisë blu, Basha thirri të gjithë shqiptarët në protestën e nesërme që do të mbahet para parlamentit.

Këshilli Kombëtar i PD voton unanimisht djegien e mandateve të deputetëve

3

Këshilli Kombëtar i PD-së ka votuar sot unanimisht për djegien e mandateve të deputetëve të Partisë Demokratike.

Burime bënë të ditur se gjatë mbledhjes së sotme të zhvilluar në selinë blu, asnjë nga të pranishmit nuk është shprehur kundër propozimit të Kryetarit të PD-së, Lulzim Basha për të bërë nul mandatet e ligjvënësve të saj.

Ndërkohë që pritej vendimi për konfirmimin e djegies së mandateve, atmosfera përpara selisë blu ka qenë shumë e ndezur. Aty ishim mbledhur dhjetëra simpatizantë të kësaj force politike, të cilët brohorisnin pro Bashës dhe këtij vendimi. Me një entuziazëm të madh ata kanë pritur edhe ish-kreun e PD-së, Sali Berisha.

Kreu i PD-së Basha bëri propozimin e tij për djegien e mandateve që të dielën e kaluar, propozim i cili u ndoq më pas nga një sërë takimesh si brenda forumit të kësaj parie edhe me aleatët, ndërsa sot ky vendim u zyrtarizua.