Home Blog Page 2618

“Një nga gjërat më të bukura që po më ndodh”/ Xumi: Ndiej diçka për Eglin! Artistja: S’më pëlqen si ka vepruar, shkoi direkt te trëndafilat në shtrat

0

Xumi, që në ditët e para të qëndrimit në shtëpinë e “Big Brother VIP 4” ka shprehur pëlqim për Eglin, madje nuk ka kursyer surprizat për të.

Por, kjo ana tjetër, Egli është ndierë vazhdimisht e bezdisur nga kjo situatë. Ndërsa në një diskutim gjatë spektaklit të sotëm, Egli u shpreh se është bërë protagoniste e historisë, pa qenë vetë e përfshirë. Nga ana tjetër, Xumi pohoi se ndjen diçka për Eglin.

Xumi: Pa dashur ta përfshij Eglin në këtë lloj situate, kjo gjë është vetëm unë dhe asaj që ndiej përbrenda. Në momentin e parë që e kam parë, më ka pëlqyer jashtëmase çdo gjë në paraqitjen e saj. Kur kam dëgjuar një pjesë të historisë së saj, kam parë ngjashmërinë me vete. Kam ndjerë diçka përbrenda. Ekziston diçka brenda meje për Eglin, por nëse ajo është ndjerë e bezdisur, unë i kërkoj falje. Është diçka që ashtu e kam ndjerë me zemër dhe ashtu kam vepruar. Unë tërhiqem, por momentalisht kam dëshirë të mbajmë një lloj miqësie mes njëri-tjetrin, pse jo ta njohim pak më mirë njëri-tjetrin. Por nuk dua t’i jap këtë lloj ngjyre që mori.

Egli: Unë e di shumë mirë që një histori dashurie në BBV krijon polemika dhe gjendje pasigurie. Në të gjithë këto banorë, ajo që ka qenë protagonistja e kësaj historie, ka qenë njeriu më i papërfshirë në këtë histori. Unë besoj që Xumi është një djalë me indicie të mira, nuk është i djallëzuar. S’më pëlqen që Xumi ndan shumë detaje me shumë banorë. Pse duhet t’u thotë si i bëhet mishi kokërr. Xumi shkon dhe bën të fundit, vendos trëndafila në shtrat, që s’ma ka bërë askush pa e njohur mirë më parë. Nuk më bind me mënyrën si ka vepruar. Xumi ka zgjedhur të shkojë direkt te trëndafilat me inicialin tim në shtrat. Unë ndiej një lloj sikleti kur Xumi vjen ulet dhe të gjithë sytë drejtohen aty. Të gjithë merren më po të njëjtën situatë. Unë kam për detyrë të mbaj përgjegjësi për atë që unë nxjerr nga goja.

Xumi: Është situatë serioze, por është ai gëzimi si një fëmijë i vogël, që kur merr një dhuratë do ta ndajë me të tjerët. Nuk kam dashur ta bezdis, pasi ndodhën shumë shpejt ato gjërat, dje dhe sot kemi pasur pak mundësi për të filluar njohjen mes njëri-tjetrit. Unë jam shquar për një person që nuk dorëzohet kollaj. Kjo mund të jetë një nga gjërat më të bukura që po më ndodh kohët e fundit në jetë.

Shifrat/ Të ardhurat nga puna jashtë vendit arritën në 458 milionë euro për nëntë muaj

0

Të ardhurat e shqiptarëve nga puna jashtë vendit u rritën përsëri në tremujorin e tretë të vitit 2024.

Sipas Bankës së Shqipërisë, të ardhurat në Bilancin e Pagesave nga ky zë për tremujorin e tretë arritën në vlerën e 190 milionë eurove, 15% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për të gjithë 9-mujorin 2024, të ardhurat nga puna arritën në 488 milionë euro, në rritje me 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në terma neto (duke zbritur të ardhurat e jorezidentëve nga puna në Shqipëri), të ardhurat nga puna kishin vlerën e 458 milionë eurove, me një rritje prej gati 18% krahasuar me 9-mujorin e vitit 2023.

Sipas metodikës së Bilancit të Pagesave, të ardhura nga puna jashtë vendit klasifikohen kompensimi i punonjësve, që përfshin pagën, shpërblimet dhe përfitime të tjera, të fituara nga individët jorezidentë në një ekonomi, për punën e kryer për rezidentët e kësaj ekonomie.

Në këtë kategori, përfshihen punonjësit sezonalë apo ata që punësohen për një periudhë afatshkurtër, më pak se një vit, si dhe punëtorët kufitarë të cilët e kanë qendrën e interesit të tyre ekonomik në vendin e tyre të origjinës.

Në analizat e flukseve hyrëse nga jashtë, shpesh të ardhurat nga puna jashtë vendit u bashkëngjiten dërgesave të emigrantëve dhe klasifikohen si pjesë e të ardhurave totale nga remitancat në ekonomi.

Për 9-mujorin 2024, dërgesat e emigrantëve kishin vlerën e 772 milionë eurove, në rritje me 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Duke mbledhur remitancat dhe të ardhurat nga puna, kontributi i tyre total në ekonominë shqiptare arriti në 1.23 miliardë euro për gjashtë muaj, shifër kjo 15% më e lartë krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.

Të ardhurat nga puna dhe remitancat së bashku mbulonin rreth 30% të deficitit tregtar në mallra për 9-mujorin 2024.

Puna ka qenë faktori dominues ku janë mbështetur eksportet e ekonomisë shqiptare në dekadat pas rënies së komunizmit.

Përveç të ardhurave direkte nga puna jashtë, një kontribut të rëndësishëm ka dhënë historikisht jep edhe regjimi i përpunimit aktiv të mallrave (fasoneria).

Për 9-mujorin, ato arritën në 498 milionë euro, 19% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Fasoneria në dy vitet e fundit ka marrë një goditje të rëndë nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit valutor, por megjithatë vazhdon të jetë një burim i rëndësishëm të ardhurash për balancimin e deficitit të jashtëm të ekonomisë./Monitor

Dogjën qëllimisht dy automjete, policia zbardh ngjarjen. Vihen në pranga autorët, shpallet në kërkim një person tjetër

0

Policia e Durrësit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në shtator, ku u dogjën në mënyrë të qëllimshme dy automjete.

Në pranga kanë rënë dy autorët 18-vjeçarë, ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tyre, një 32-vjeçar.

“Këta shtetas në bashkëpunim me njëri -tjetrin, më datë 23.09.2024, kanë djegur qëllimisht dy automjete. Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim”, thotë policia.

Njoftimi: 

Identifikohen dhe vihen në pranga 2 autorë, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre si dhe procedohet penalisht një i mitur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh, pas informacioneve të marra se në lagjen nr. 13, është djegur një automjet dhe një tjetër pjesërisht, kanë organizuar punën për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Mbas një pune hetimore dhe  profesionale, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, djegia e qëllimshme e dy automjeteve.

Në vijim të veprimeve u  bë identifikimi, kapja dhe arrestimi  shtetasve E. H., 18 vjeç dhe A. G., 18 vjeç, të dy banues në Durrës.

U shpall në kërkim shtetasi E. R., 32 vjeç, si dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. Gj.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri -tjetrin, më datë 23.09.2024, kanë djegur qëllimisht dy automjete.

Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

“Një pasuri që i përket gjithë botës”- Rama publikon video: “K’cimi i Tropojës” të pret e përcjell në Aeroportin “Nënë Tereza”

0

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamjet nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku priten dhe përcillen me atmosferën e traditës shqiptare, K’cimin e Tropojës.

“MIRËMËNGJES dhe me këto pamje të mirëseardhjes në tokën shqiptare që t’pret e t’përcjell me K’cimin e Tropojës, një pasuri që i përket gjithë botës tashmë, ju uroj një të diel të paqtë”, shkroi Rama.

“K’cimi i Tropojës” është futur edhe zyrtarisht në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO në fillim të këtij muaji.

Analiza e DW: Pesë sfidat kryesore të ekonomisë botërore në vitin 2025 që pritet të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në mirëqenien globale

0

1. Donald Trump 2.0 fillon në janar
Mënyra se si do të shkojë viti 2025 për ekonominë botërore varet kryesisht nga një njeri: Donald Trump, presidenti i zgjedhur i ekonomisë më të madhe në botë. Kjo do të thotë se zhvillimet e mëtejshme – edhe përtej vitit 2025 – janë të paparashikueshme dhe të vështira për t’u vlerësuar.

Pasojat e të ashtuquajturit koncept “Amerika e Para” do të shtrihen shumë përtej kufijve të SHBA-së dhe humoret e Trump-it do ta ndryshojnë rendin global që njohim.

Prosperiteti, globalizimi dhe luftërat e largëta do të vendosen kryesisht në kryeqytetin amerikan të Uashingtonit. E re është vetëm pasiguria dhe kaosi që mund të shoqërojë vendime të tilla.

Trump ka vënë në dyshim bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ka kritikuar ashpër aleatët dhe NATO-n. Aleanca të reja tregtare dhe një Amerikë e orientuar nga vetja mund të kenë pasoja të gjera. Mungesa e një roli të qartë udhëheqës të SHBA-së do t’u japë mundësi vendeve si Kina, India dhe Rusia të mbushin boshllëqet ushtarake, politike dhe ekonomike.

2. Doganat, luftrat tregtare dhe çmime më të larta
Kompanitë preferojnë të planifikojnë paraprakisht dhe prandaj kërcënimi që mund t’u vijë nga rritja e doganave është shqetësues. Trump e sheh idenë e tij si një mundësi për të ndëshkuar vende të tjera për deficitet tregtare të SHBA-së. “Fjala tarifë doganore është fjala më e bukur në fjalor”, tha ai në tetor.

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024, Trump kërcënoi me tarifa të përgjithshme prej 10 deri në 20 përqind për të gjitha mallrat e importuara në SHBA dhe deri në 60 përqind për mallrat kineze që nga dita e tij e parë në detyrë. Kohët e fundit, ai ka thënë se synon një tarifë prej 25 përqind për të gjitha mallrat nga Meksika dhe Kanadaja. Për mallrat kineze do të vendosej vetëm një tarifë prej 10 përqind. Meksika ndërkohë ka kërcënuar me tarifa doganore për prodhimet amerikane. Kina mund të bëjë të njëjtën gjë. Kryeministri i Kanadasë vizitoi Trump-in në Florida për të parandaluar një gjë të tillë.

Për kompanitë e përfshira në zinxhirët globalë furnizimit, një rritje e taksave doganore do të ishte një lajm i keq. Ato do të dëmtonin fqinjët e Amerikës dhe me gjasë do të shkatërronin marrëveshjen e tregtisë së lirë midis SHBA-së, Meksikës dhe Kanadasë (USMCA), e cila u përfundua gjatë mandatit të parë të Trump-it.

Aktualisht, rreth 80 përqind e eksporteve meksikane dhe mbi 75 përqind e eksporteve kanadeze shkojnë në SHBA. Më shumë se gjysma e importeve amerikane të frutave dhe perimeve vijnë nga Meksika. SHBA importon çdo ditë dru dhe miliona fuçi naftë të papërpunuar nga Kanadaja.

Në fund, konsumatorët amerikanë do të përballen me çmime më të larta ose me rafte bosh nëpër dyqane. Ka zëra që pretendojnë se Trump do ta përdorte kërcënimin e tarifave kryesisht si mjet negocimi. Por një blof i tillë mund të çojë në masa hakmarrëse dhe të përshkallëzohet shpejt në një luftë globale tregtare.

3. Imigrimi në kritikë në mbarë botën
Nuk janë vetëm mallrat që mund të përballen me një mur tarifash ndëshkuese. Edhe migracioni global po përballet gjithnjë e më shumë me mure – në kuptimin e plotë të fjalës. Udhëheqësit e shteteve dhe qeverive në mbarë botën ndiejnë nevojën për të treguar se kanë kontroll mbi kufijtë e tyre, duke vepruar më ashpër ndaj emigrantëve. Kjo do ta bëjë botën më pak të hapur dhe më pak dinamike.

Gjatë fushatës zgjedhore në SHBA, republikanët premtuan të kryejnë “deportimin më të madh në historinë amerikane”. Këtë ide e ka përvetësuar edhe Trump.

Përveç deportimeve dhe një qëndrimi më të ashpër në kufirin me Meksikën, ai premtoi në një intervistë në fillim të dhjetorit se do të heqë shtetësinë automatike për të gjithë ata që lindin në SHBA.

Presidenti amerikan ka kompetenca të gjera kur bëhet fjalë për migracionin e parregullt. Megjithatë, shumica e propozimeve të tij pritet të përfundojnë në gjykatë. Ai gjithashtu ka fuqinë për të vështirësuar migracionin e ligjshëm, duke kufizuar numrin e migrantëve ose duke ndërlikuar procesin e dhënies së vizave apo të Green Cards.

Mbajtja larg e imigrantëve – ose kthimi i tyre në vendet e origjinës – do të ndikonte në tregun e punës në vend. Të korrat mund të kalben dhe sipërmarrësit mund të zhvendosen në vende të tjera.

Një kufi më i mbyllur me Meksikën do të ketë ndikime tek njerëzit nga Amerika Latine, veçanërisht nga vende si Kuba, Haiti dhe Venezuela.

SHBA-të nuk janë të vetmet që i bëjnë rezistencë migracionit. Bashkimi Evropian ka premtuar të luftojë kundër migracionit të parregullt. Italia po përpiqet të trajtojë kërkesat për azil të refugjatëve në Shqipëri dhe në zgjedhjet e ardhshme në Gjermani, imigracioni do të jetë një temë e rëndësishme.

4. Lufta në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe përtej
Gjatë kalimit në vitin 2025, bota po përballet me një seri konfliktesh të armatosura. Këto luftëra kanë shkaktuar shkatërrime dhe katastrofa humanitare. Përveç kësaj, ato konsumojnë fonde që mund të përdoren në mënyrë më produktive.

Trump ka deklaruar se do ta përfundojë luftën e Rusisë në Ukrainë brenda 24 orëve. Ai mund të ndërpresë ndihmën financiare amerikane që ka mbajtur vendin në këmbë që nga pushtimi tre vjet më parë. Meqenëse SHBA-ja është financuesi më i madh i Ukrainës, kjo mund ta detyrojë Ukrainën të ulet në tryezën e negociatave.

Lufta e Izraelit kundër Hamasit, e cila po zhvillohet në Rripin e Gazës dhe kohët e fundit edhe në Liban, gjithashtu vazhdon dhe mund të përhapet më tej. Në Azi, Republika Popullore e Kinës vazhdon të kërkojë të drejta mbi Tajvanin demokratik, i cili ka frikë nga një pushtim i afërt.

Për dekada, lidershipi i SHBA-së ka formësuar politikën botërore. Megjithatë, Trump ka vënë në pikëpyetje rolin e Amerikës si “polici i botës”. Nëse Amerika nuk i ndihmon aleatët e saj të mbrohen, kjo politikë e trashëguar ndër dekada mund të shuhet. Një rend i ri botëror i tillë mund të inkurajojë Iranin ose Korenë e Veriut të testojnë kufijtë e veprimeve të tyre ushtarake.

5. A do të shpërthejë tani bota e Inteligjencës Artificiale (IA)?
Lansimi i ChatGPT nga OpenAI në fund të nëntorit 2022 shënoi fillimin e një përdorimi më të gjerë të Inteligjencës Artificiale (IA). Brenda pak javësh, kjo platformë arriti 100 milionë përdorues.

Megjithatë, IA ka ndryshuar jetën e punonjësve dhe bizneseve vetëm gradualisht. Përdorimi i kësaj teknologjie për zhvillimin e ilaçeve ose mbështetjen e mbrojtjes ushtarake mbetet një sfidë e madhe. Kompanitë duhet të përcaktojnë si dhe kur të përdorin IA – dhe të nxisin punonjësit e tyre ta përqafojnë atë.

Për të mbajtur hapin me zhvillimet, ofruesit e IA-së po investojnë masivisht në qendra të mëdha të dhënash. Për t’i ftohur dhe mbajtur ato në funksion, nevojiten sasi të mëdha energjie. Microsoft po mbështet planet për rifillimin e një centrali bërthamor në Pensilvani, ndërsa Google po investon në reaktorë të vegjël bërthamorë për të furnizuar qendrat e tij të të dhënave.

A do të jetë viti 2025 ai kur IA më në fund do të sjellë ndryshimin e premtuar nga mbështetësit e saj? Investitorët, zhvilluesit dhe përdoruesit do të duhet të presin për të parë nëse i gjithë ky konsum energjie do të justifikohet – ose thjesht mund të pyesin ChatGPT për këtë./DW