Home Blog Page 2627

Në rrugën e “vdekjes” policia rrugore regjistron shpejtësinë e çmendur 200 km/h, ndëshkohet ‘piloti’

0

Aksi rrugor Elbasan Peqin po merr çdo ditë jetë njerëzish.

Dy muaj më parë një fëmijë 8 vjeç humbi jetën teksa u përplas nga një makinë. Vetëm dy ditë më parë një 69 vjeçar këmbësor po ashtu gjeti vdekjen, e të tilla ngjarje shënohen thuajse çdo ditë .

Pasditen e kësaj të premte një tjetër aksident i rëndë, por fatmirësisht pa pasoja për jetën u shënua pranë fshatit Pajovë.
E ndërkohë që shpejtësia maksimale e lejuar në këtë aks rrugor është 80 km/H ka segmente pranë shkollave e zonave të banuara ku shpejtësia dikton 30 km/h.

Në këto kushte Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore regjistron shpejtësinë çmenduri 198 km/h në aksin rrugor Elbasan Peqin.

Në njoftimin e saj policia thotë: “198 km/h deri në 202 km/h në aksin rrugor Peqin -Elbasan, ku shpejtësia e lejuar është 80 km/h, ku trafiku është ende shumë i lartë.

Shpejtësi që rrezikojnë seriozisht jetën e përdoruesve të rrugës.

Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, ka ndaluar dhe ndëshkuar drejtuesit e automjeteve me masa maksimale dhe zbritje deri në 8 pikë nga Leja e Drejtimit.

Policia Rrugore apelon dhe njëherë për të gjithë drejtuesit e mjeteve, për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor.”

Shpejtësi fluturuese e cilëson policia në njoftimin e saj teksa bën apel “ndaluni, para se shpejtësia t’ju ndalë.”

Stop shpejtësisë fluturuese para se aksidenti t’ju ndalojë juve.

Aksi rrugor Elbasan Peqin kalon thuajse në të gjithë gjatësinë e tij në zona të banuara dhe ndërpritet nga shumë segmente të rrugëve të fshatrave. Nëse kësaj i shtojmë edhe drejtuesit e mjeteve të papërgjegjshëm që lëvizin me shpejtësi tej normave, ky aks rrugor kthehet në një njollë të zezë përsa u përket aksidenteve rrugore.

Banorët e Peqinit disa herë kanë protestuar duke kërkuar marrjen e masave për të kufizuar shpejtësinë në këtë aks rrugor, por deri tani asgjë nuk është bërë.

“Për mua është si një vëlla i vogël”, Çalhanollu ka besim te Asllani: Te Interi do të bëhet i rëndësishëm pas meje

0

Hakan Çalhanollu ka besim se Kristjan Asllani do t’ia dalë që të bëhet një emër i rëndësishëm te Interi. Mesfushori turk, i cili është ai të cilin Asllani zëvendëson në rreshtimin e zikaltërve, nuk ka kursyer elozhet për shqiptarin i cili është kritikuar se nuk po arrin të ngjitet në nivelin e titullarit.

Sipas Çalhanollu, Asllani ka mundësitë për t’u bërë një lojtar i rëndësishëm dhe nuk ka ngurruar ta shprehë këtë besim në një intervistë të dhënë për “Corriere dello Sport”.

“Asllani si pasardhës? Duhet t’ia dalë. Për mua është si një vëlla i vogël. Po e ndihmoj dhe duhet të them se ai më dëgjon shumë.

Ka padyshim cilësi të ndryshme, por duhet të përmirësohet dhe është i pari që e di këtë. Edhe për faktin se nëse luan te Interi, duhet të tregosh gjithmonë diçka. Ai po mëson dhe ne jemi këtu për ta ndihmuar. Jam i bindur se pas meje, do të jetë i rëndësishëm”, tha mesfushori turk i Interit.

SPAK kërkon të rikthejë në “arrest shtëpie” Berishën, ja kur do të mbahet seanca e radhës

0

Gjykata do të nisë punën për vitin 2025 më 3 janar, me çështjen e Sali Berishës. Mësohet se seanca do të mbahet në orën 10:00, teksa SPAK ka kërkuar t’i rikthejë demokratit masën “arrest shtëpie”. SPAK i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme që ish-kryeministri Sali Berisha të jetë në “arrest shtëpie”.

Arsim më i mirë për rritje më të fortë ekonomike

0

Nga Dr.Bardhyl Musai
Në Tiranë Banka Botërore promovoi raportin me titullin e mësipërm, i cili në mënyrë më të detajuar u prezantua me një nivel të lartë profesional nga ekspertë të saj. Raporti përmban edhe një kapitull mbi rëndësinë e arsimit të lartë për rritje më të fortë ekonomike.

Në mënyrë të përmbledhur u theksua se cilësia e dobët e arsimit të lartë, kurrikulat e vjetëruara dhe mospërputhja e tyre me tregun e punës, që nuk u siguron të diplomuarve të zotërojnë aftësitë e kërkuara nga punëdhënësit, janë disa nga arsyet e “largimit të trurit” nga Shqipëria, e cila është ende prapa vendeve të BE-së në rezultatet e kapitalit njerëzor. Shqipëria ka 13% të popullsisë me arsim të lartë, në një kohë që 45% e tyre kanë emigruar.

Një nga evidentimet e Richard Record, përfaqësues në detyrë i Zyrës së BB në Shqipëri ishte se “për të siguruar që arsimi i lartë të kontribuojë në mënyrë efektive në rritjen ekonomike, duhet të përqendrohemi në përmirësimin e cilësisë dhe rëndësisë së arsimit. Në veçanti, arsimimi në degët shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë (STEM) në arsimin e lartë është jetësor për zhvillimin e një force pune të kualifikuar, nxitjen e inovacionit dhe adresimin e sfidave globale”.

Në diskutimin tim u ndala në disa nga problemet e mprehta të arsimit në të gjitha nivelet, pasi është e pamundur të përqendrohesh në cilësinë e arsimit të lartë, me studentë me përgatitje të dobët nga arsimi parauniversitar. Rezultatet në PISA janë dëshmi e gjendjes së rëndë ku ndodhet arsimi, ku në çdo 4 nxënës, 3 janë të nivelit dobët, ndërsa ekselentët janë pranë zeros. Ndërsa për krijimtarinë renditemi të fundit.

Kriza e arsimit të lartë publik, midis të tjerash, shprehet edhe në shifrat me mospërputhje të tejskajshme, kur numri i studentëve për një dhjetëvjeçar ka rënë me 61%, ndërsa numri i programeve të studimit është rritur me 72%. Të pretendosh që kjo vjen nga që universitetet i hapin programet bazuar në kërkesat e tregut të punës kur auditoret po zbrazen, është përtej absurdes.

Ministria e Arsimit harton strategji, pa marrë parasysh atë të mëparshmen dhe që devijojnë gjatë viteve nga aktivitetet që përmbajnë këto dokumente, pasi sistemi ka një të metë thelbësore, i mungon monitorimi i vazhdueshëm.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore shprehën përkushtimin për të mbështur Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt një të ardhmeje më të begatë përmes arsimit cilësor, e cila nuk mund të realizohet ndërkohë që qeveria, as në 2025-ën nuk do të përmbushë një nga premtimet e saj para 11 vjetëve për rritjen e buxhetit të arsimit në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Arsimi nuk do të marrë më shumë se 2,36% të PBB, ku 18,4 miliardë lekë është buxheti për universitetet dhe vetëm 0,06% për hulumtimin.

“Ndriçohet” rruga e Arbërit dhe Tuneli i Murrizit – OSSH hap tenderin me fond limit…

0

Drejtoria Rajonale e OSSH Tiranë ka shpallur hapjen e tenderit për zhvillimin e rrjetit 20kv për përmirësimin e cilësisë së furnizimit të zonave përgjatë rrugës së Arbërit dhe furnizimit të Tunelit të Murrizit. Fondi limit i përllogaritur i këtij projeki është 295 milionë e 357 mijë lekë.

Sipas dokumentit, duke marrë parasysh problematikat e shpeshta nga stakimet e ardhura si pasojë e kushteve atmosferike, si dhe duke parë perspektivën e zhvillimit të këtyre zonave, ku kalon rruga e Arbrit, një rrugë nacionale me gjatësi mbi 75 km, e cila po ndërtohet dhe pjesë e saj është edhe ndërtimi i Tunelit të Murrizit, lind nevoja për ndërhyrjen në rrjetin e shpërndarjes me një zgjidhje optimale për zhvillimin e rrjetit elektrik 20 kV, me qëllim përmirësimin e cilësisë së furnizimit të zonave përgjatë rrugës së Arbrit dhe furnizimin e tunelit të Murrizit.

Zona ku kalon gjurma e rrugës së Arbrit, ndodhet në Lindje të qytetit të Tiranës dhe përfshin fshatrat Tujan, Zall Dajt, Besh, Kurte, Zallbastar, Hysaj dhe Maricej, fshatra të cilët aktualisht furnizohen nga një rrjet i tensionit të mesëm 10 kV, tepër i amortizuar dhe i vjetër, ndërsa zona e Murrizit shtrihet në pjesën lindore të Tiranës dhe është zonë periferike e saj e cila karakterizohet nga një terren i vështirë.

Ndërtimi i Tunelit të Murrizit do t’i sjellë nje hov të ri zhvillimit të infrastrukturës së rrugës së Arbrit që krijon akses për zonat lindore të Shqipërisë. Për Tunelin e Murrizit është parashikuar të zhvillohet një infrastrukture elektrike, që të garantojë një shërbim cilësor.

Zhvillimi urbanistik dhe kulturor i kësaj zone ka marrë një vëmendje të vecantë duke bërë që në këtë zonë të ketë ndërtime të reja, komplekse vilash. Ekzistenca e biznesit të restoranteve me gatime tradicionale është një tjetër aset për zhvillimin ekonomik, pasi garanton një treg që edhe pse të vogël, të sigurt për shitjen e prodhimeve të zonës.