Home Blog Page 2642

Do të vizitonte Luginën e Preshevës, Serbia refuzon kërkesën e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Zveçla

0

Serbia ia ka refuzuar kërkesën ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, për të zhvilluar një vizitë dyditore në komunat në jug të Serbisë, të banuar me shqiptarë.

Kështu bëri të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, e cila tha se Sveçla ishte paraparë që më 23 dhe 24 dhjetor të qëndronte në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc për t’u takuar me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës.

MPJD tha se kërkesa u refuzua edhe pse u ndoqën procedurat e parapara për vizita të tilla në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për vizita zyrtare.

“Si pretekst për refuzim janë theksuar qëndrimet dhe veprimet e ministrit Sveçla, të cilat, sipas Qeverisë së Serbisë, janë të drejtuara kundër komunitetit serb në Republikën e Kosovës si dhe kundër normalizimit, paqes dhe stabilitetit”, u tha në njoftim.

Në janar të këtij viti, Serbia po ashtu kishte refuzuar kërkesën që Sveçla të qëndronte në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, komuna që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës.

MPJD tha se në dy vjetët e fundit, Serbia rregullisht ka refuzuar vizitat e zyrtarëve të lartë qeveritarë të Kosovës, duke përmendur këtu vizitën e fundit që ishte paraparë të zhvillohej nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku më 19 dhjetor.

MPJD tha po ashtu se edhe drejtueses së kësaj ministrie, Donika Gërvalla, i ishte refuzuar pjesëmarrja në pritjen vjetore të pavarësisë së Kosovës që ishte organizuar nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi më 27 shkurt dhe vizita, sipas këtij institucioni, u refuzua “pa asnjë arsyetim të vlefshëm dhe disa orë para se znj. Gërvalla të arrinte në pikën kufitare”.

“Veprime të tilla të Qeverisë së Serbisë kanë për qëllim të qartë mbajtjen e tensioneve me Republikën e Kosovës në shkallë të lartë. Janë pjesë e provokimeve të vazhdueshme, të cilat Serbia i bën në baza të rregullta dhe me qëllim të shkaktimit të konflikteve, ku aktet terroriste në Banjska dhe Ibër-Lepenc janë manifestimi më i dukshëm i këtyre synimeve nga ana e Serbisë”, tha MPJD-ja.

Berisha uron Krishtlindjet: Uroj që magjia e kësaj dite të shndërrohet në mirësi për të gjithë besimtarët

0

URIMI PËR FESTËN E KRISHTLINDJES E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KATDRALEN E ‘SHËN PALIT’

Uroj të gjithë besimtarët katolikë, por edhe të gjithë besimtarët e Zotit se kjo është një ditë e shenjtë për çdo besimtar.
Dita në të cilën lindi hyji, burri që me jetën dhe mendimet e tij bëri më shumë se kushdo tjetër për moralin e qytetërimit perëndimor.
Aleanca e shqiptarëve me Vatikanin është aleanca më e hershme, më jetëgjatë në historinë e kombit shqiptar.
Pata një bisedë shumë të përzemërt, të hapur dhe njëherë uroj që magjia e kësaj dite të shndërrohet në frymëzim, në forcë dhe mirësi për të gjithë besimtarët e Zotit.
Faleminderit!

Parashqevi Simaku viziton Vatrën në Amerikë: Këngëtarja u rikthye në mesin e patriotëve dhe artëdashësve të panumërt

0

Këngëtarja Parashqevi Simaku vizitoi një ditë më parë shoqatën e shqiptarëve në Amerikë, e krijuar në vitin 1912, Vatra.

Në një shkrim të postuar në Gazetën Dielli, kryetari i Vatrës, Elmi Berisha falënderoi kontributin e çmuar të Simakut në muzikën shqiptare dhe përçimin e vlerave më të larta të kulturës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Postimi i plotë
VATRA PRITI DIVËN E MUZIKËS SHQIPTARE PARASHQEVI SIMAKU

Sokol Paja

Vatra priti në një takim të ngrohtë e shumë të përzemërt divën e muzikës shqiptare Parashqevi Simaku. Ajo shoqërohej nga aktivisti i të drejtave të njeriut, biznesmeni Elton Ilirjani, aktivistja Elvira Tata, aktorja Julia Ilirjani e patriotë të tjerë. Në fjalën e ngrohtë e plot dashuri Parashqevi Simaku e rikthyer në mesin patriotëve të saj e artëdashësve të panumërt, shprehu mirënjohjen e saj të thellë ndaj Elton Ilirjanit dhe Elvira Tatës për mbështetjen e fuqishme dhe foli me respekt ndaj Vatrës. Gjatë fjalimit të saj, e ëmbël dhe e buzëqeshur, e dashur dhe e bukur, mirënjohëse dhe falenderuese, ajo rrëfeu me dinjitet pak nga jeta e saj dhe përmallshëm citoi Papa Françeskun duke dhënë mesazhe dashurie. Kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha i shoqëruar nga Ilir Cubi e Kujtim Funiqi e vlerësoi dhe falenderoi divën e muzikës shqiptare Parashqevi Simakun për vizitën në Vatër, kontributin e çmuar në muzikën shqiptare dhe përçimin e vlerave më të larta të kulturës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për vite të tëra Parashqevi Simaku ka qenë gëzimi dhe festa e çdo familjeje e organizate kulturore e atdhetare shqiptare në Amerikë me zërin magjik dhe interpretimet e arrira artistike. “Të gjithë shqiptarët lidhen shpirtërisht me Parashqevi Simakun, këngëtaren e shquar të kombit tonë” tha Dr. Berisha duke shprehur mirënjohjen për vizitën te Vatra. E rikthyer së fundmi mes shqiptarëve, kjo është vizita e parë publike e këngëtares Parashqevi Simaku dhe zgjodhi Vatrën për respektin dhe historinë e çmuar të Federatës si përbashkuesja e vlerave kombëtare dhe energjive atdhetare në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Festat e gjejnë pa djalin 17-vjeçar, ja mesazhi prekës i nënës: Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri nga një zemër që mban brenda një dhimbje të thellë

0

Nga Razie Hysa
Këtë vit, Krishtlindjet për mua kanë një dritë të ndryshme – një dritë që vjen nga qielli, aty ku shpirti i birit tim të dashur shkëlqen mes engjëjve. Edhe pse zemra ime mban një boshllëk të madh, dua t’ju uroj nga thellësia e shpirtit që festat t’ju gjejnë të rrethuar me dashuri, ngrohtësi dhe shpresë.

Le të jenë këto Krishtlindje një kohë për t’u ndalur dhe për të çmuar çastet me ata që doni, për të ndarë kujtime dhe për të krijuar të reja. Dhe për të gjithë ata që mbajnë brenda dhimbje apo mungesa, ju uroj që kjo kohë e shenjtë t’ju japë forcë, ngushëllim dhe besim se ata që nuk janë më fizikisht pranë nesh, jetojnë gjithmonë në zemrat tona.

Djali im ka lënë pas një kujtim të përjetshëm, një dritë që ndriçon çdo hap timin. Dhe ndërsa festat janë të vështira, mësoj të shoh bukurinë në të voglat gjëra, të kujtoj të qeshurat e tij dhe dashurinë që na lidhi gjithmonë. Me këtë dritë në zemër, dua t’ju uroj të gjithë juve që të keni një Vit të Ri plot shpresë, gëzim dhe bekime.

Le të jenë Krishtlindjet një kohë për t’u bashkuar me ata që doni dhe për të ndarë ngrohtësinë e shpirtit, dhe Viti i Ri të jetë një fillim i ri plot dritë dhe gëzim për ju dhe familjet tuaja.

Nga një nënë që mban në zemër dashuri të pafund – për jetën, për kujtimet dhe për shpresën – gëzuar festat!

“Presidenca Polake e BE-Për një Europë në veprim”

0

Ardit GJINALI

Përfundimi i vitit 2024, vit dramatik zgjedhor në vende të ndryshme të hartës politike të botës, vit zgjedhor që përfshiu ankthe, pasiguri, paqartësi dhe më shumë se dilema, jo vetëm mbi rezultatet përkatëse zgjedhore por gjithashtu mbi qëndrueshmërinë politike qeverisëse në skenën kombëtare të shumë aktorëve politikë, të tillë Europianë dhe përtej kontinentit në kontekstin gjeografik, varësisht implikimeve politike në kontekstin ndër-kontinental.

Përfundimet bartin shpeshherë kontekstin dramatik që përcjell termi në vetvete, por “përfundimi i një mandati” nuk përcjell gjithmonë dramaticitet- Presidenca e Bashkimit Europian është shembulli që “përfundimi” është stafeta drejtë një fillimi me filozofi vazhdimësie në vizionin e përbashkët të një Europe më të mirë, më shumë të pranishme politikisht dhe më efektivisht vendimmarrëse. 

Fundi i vitit 2024 shënon dhe përfundimin e Presidencës Hungareze, një vend anëtar i aleancës së Vishegradit,  e tilla në periudhën Qershor-Dhjetor 2024 dhe shënon fillimin e Presidencës Polake, një tjetër vend anëtar i aleancës së Vishegradit, në periudhën e parë gjashtëmujore të vitit të ardhshëm , përkatësisht Janar-Qershor 2025. Mund të përmendim që Sllovakia, Çekia, Hungaria dhe Polonia janë katër vendet që përbëjnë aleancën e Vishegradit, të katër vendet anëtarë të Bashkimit Europian, pas zgjerimit të madh të 2004.

Polonia do të mbajë për herë të dytë Presidencën e Bashkimit Europian në periudhën Janar-Qershor 2025, pas herës së parë, përkatësisht në vitin 2011. Vendi ka përjetuar një përplasje politike të fortë përmes një polarizimi të skajshëm i dukshëm dhe në rezultatin përfundimtar zgjedhor që shënoi ndryshimin e qeverisjes, ku vendi qeveriset nga një qeveri koalicioni reformator nën drejtimin e Donald Tusk, lider i Platformës Qytetare , njeriu që do të drejtojë Presidencën e Bashkimit Europian për shkak të cilësisë si Kryeministër i Polonisë, pas zgjedhjeve të vitit 2023,i njëjti , Donald Tusk, ish-Kryeministër i Polonisë në periudhën  2007-2014 ,  ish- President i Këshillit Europian në periudhën 2014-2019 dhe ish-Kryetar i Partive Popullore Europiane në periudhën 2019-2022, gjithashtu.

Presidenca Polake e Bashkimit Europian do të ndërtojë veprimin e saj institucional bazuar në tri prioritete kryesore përkatësisht ; – Energjia, Mbrojtja dhe Siguria. 

Kryeministri Polak Donald TUSK ka theksuar qartë përmes një zëri të fuqishëm politik, i tilli jo nga tingujt lëshues, por nga statura politike individuale dhe vendit që përfaqëson mbi një Presidencë Polake të veprimit efektiv, e tilla përtej mandatit Polak, por mandati Polak të shërbejë si fillesë e një mendësie të re për Europën ku sipas TUSK -“ Europa nuk mund të qëndrojë në pozita mbijetuese, por në pozita tërësisht politikisht dhe aktivisht vepruese” dhe duke vijuar dhe përsëritur më shumë se një herë që “ Ne do ta bëjmë Europën të mendojë Polonisht në shumë mënyra”.

“Siguria “ do të jetë prioriteti kryesor në të gjithë dimensionet , përfshirë dimensionin e brendshëm përkatësisht në hartën politike të Unionit  si konkurrenca, cilësia e ushqimit, ilaçet thelbësore dhe një studim realist për një  çmim të ri energjie   për bizneset dhe qytetarët dhe   garantimin e sigurisë së furnizimit dhe diversifikimin e energjisë, gjithashtu.  Nga ana tjetër, dimensioni i jashtëm  që tejkalon kufijtë politikë të Unionit  ,  përfshin përkatësisht mbrojtjen e kufijve të Evropës, sigurinë kibernetike, luftën kundër informimit të rremë përmes ndërhyrjeve të huaja  dhe rritjen e industrisë së mbrojtjes së  Unionit në tërësi ku buxheti për mbrojtjen gjatë vitit 2023 ishte rreth 279 miliardë euro, por jetësimi i vizionit mbi mbrojtjen e përbashkët ajrore Europiane do të thërrasë për një angazhim shumë-dimensional të shtuar ku Ambasadorja e Polonisë e akredituar në Tiranë, Agnieszka BARTOL  do të theksonte “ Mentaliteti është ndryshuar rrënjësisht. Tani po flasim për financim të ri për mbrojtjen, që ishte tabu disa vite më parë”. Ky financim i ri për mbrojtjen do të mundësonte një drejtim të ri të Unionit në ecuri të ngjashme  financimi me dy aktorët e tjerë botërorë përkatësisht SHBA dhe Kina.

Në vijim të së njëjtës frymë, Kryeministri TUSK do të deklaronte “Pavarësisht nëse bëhet fjalë për energjinë, klimën, ushqimin, rritjen e aftësive mbrojtëse të Evropës apo bashkëpunimin transatlantik, politikën ndaj luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, kudo do të duhet të kapërcejmë ndarjet tradicionale dhe të kujtojmë se siguria e të gjithë kontinentit varet nga ne”.

Marrëdhënia politike me Gjermaninë dhe Francën mbeten të një rëndësie thelbësore për një Presidencë të suksesshme ku parimi i “ekuilibrit politik” mbetet thelbi i inkurajimit të pro-aktivitetit politik të Unionit gjatë Presidencës. Përtej një kohë politike të pafavorshme, përkatësisht me rrëzimin e qeverisë së kancelarit SCHOLZ  në Gjermani pas votëbesimit negativ në Bundestag dhe zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më Shkurt , 2025 apo dhe paqëndrueshmëria politike në Francë me pamundësinë e vazhdueshme të qeverive për të vijuar për shkak të mungesës së numrave në parlamentin Francez, eksperienca e Kryeministrit Polak TUSK do të jetë thelbësore në dërgimin përpara të agjendës Polake në bashkërendim me boshtin e BE, Francë-Gjermani, si një interes pan- Europian varësisht dinamikave të politikës kombëtare, në Francë, Gjermani apo në Poloni, gjithashtu. 

Vizitat e Kryeministrit TUSK në Shkurt të vitit 2024, përkatësisht në Berlin dhe Paris mbeten shembulli i një ere të re bashkëpunimi që do të ndikojë pozitivisht në përmbushjen tërësore të agjendës së Presidencës Polake të Bashkimit Europian, vizita në Gjermani u realizua nga Kryeministri Tusk varësisht retorikës së fortë politike akuzuese ndaj tij nga opozita konservatore Polake, përkatësisht nga Partia “Ligj dhe Drejtësi”.

Nga ana tjetër, vizita e Presidentit Francez MACRON në Varshavë,  më Dhjetor 2024, ku gjatë takimit me Kryeministrin TUSK u konfirmua angazhimi i përbashkët në mbrojtje të paqes dhe fuqizimit të instrumentave që do të garantonin konsolidimin e mëtejshëm të sigurisë Europiane, ku Polonia mund të konsiderohet si një shembull pozitiv në kuadër të këtij vizioni. Deklaratat e dy liderëve , TUSK dhe MACRON ishin si vijojnë ku përkatësisht Presidenti MACRON do të theksonte; -“ “Ne e kemi një vizion të përbashkët, se e vetmja paqe e mundshme është paqja e qëndrueshme, që do të thotë një paqe e negociuar nga ukrainasit që do t’i lejojë ata të kenë zgjidhje afatgjatë të sigurisë”. Nga ana tjetër , Kryeministri TUSK theksoi që  “Pas diskutimeve, ne vërejmë nevojën e një uniteti absolut në Evropë, për të vepruar në favor të paqes në Ukrainë. Polonia është ajo që pret qendrën logjistike, unike në zhanrin e saj, që shërben për transferimin e ndihmës në Ukrainë. Ne jemi ata që mbajmë barrën e sigurisë së kufirit lindor të BE-së”.

Përtej diskutimeve dhe angazhimeve të përbashkëta për paqen, sigurinë dhe një pro-aktivitet të shtuar Europian, një sfidë polarizuese brenda Bashkimit Europian gjatë këtyre 6 muajve të Presidencës Polake do të jetë implementimi i marrëveshjes së tregtisë mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Mercosur, e nënshkruar mes Presidentes së Komisionit Europian Ursula VON DER LEYEN dhe liderëve të vendeve të Mercosur, përkatësisht të Brazilit, Argjentinës, Paraguajit dhe Uruguajit;- një marrëveshje që pritet të kalojë në një rrugë jo të shkurtër implementimi ku sfida kryesore mbetet miratimi në Parlamentin Europian dhe tejkalimi i skepticizmit të kryesisht dy vendeve më zë të fortë kundërshtues brenda Bashkimit Europian, përkatësisht Francës dhe Polonisë. 

Kjo marrëveshje dhe qëndrimi i Kryeministrit TUSK ndaj së njëjtës mbetet i vështirë për shkak të implikimeve që “PO”- ja ndaj marrëveshjes do të përcillte në skenën e brendshme politike Polake, veçanërisht me zgjedhjet Presidenciale të Majit 2025 apo dhe me mbështetjen publike në rradhët e fermerëve ndaj politikave të qeverisë në tërësi në periudhën vijuese ku polarizimi i fortë politik mund të sjellë ndikime anësore në vendimmarrje të gjera në koherencë me pozicionin politik të BE ndaj aktorëve të tjerë globalë. 

Presidenca Polake e Bashkimit Europian përcjell pritshmëri pozitive mbi inkurajimin e proçesit të zgjerimit ndaj aktorëve politikë, vende në rajonin e Ballkanit në statusin e vendit kandidat apo dhe Ukrainën apo Moldavinë. Presidenti Polak DUDA do të theksonte  gjatë një takimi jo-formal në Krakovë me presidentët  nga disa nga vendet anëtare të BE-së përkatësisht të Italisë, Bullgarisë, Gjermanisë, Kroacisë, Greqisë, Estonisë, Sllovenisë, Letonisë, Hungarisë dhe Sllovakisë si vijon ;-“ “Ne duam në radhë të parë që Ukraina, por edhe Moldavia si dhe vendet e Ballkanit Perëndimor të pranohen në Bashkimin Evropian. Të gjithë shpresojmë që Gjeorgjia të pranohet pas zgjedhjeve të ardhshme. Duhet të ketë po ashtu më shumë rol aktiv nga Shtetet e Bashkuara në marrëdhëniet  me Bashkimin Evropian.”

Presidenti aktual Polak DUDA ka shprehur në një periudhë të mëhershme , përpara zgjedhjeve presidenciale  të mbajtura në SHBA më 5 Nëntor 2024, mbi domosdoshmërinë e mbajtjes së dy samiteve përkatësisht  BE-SHBA dhe BE-Ukrainë gjatë periudhës gjashtëmujore së Presidencës Polake të Bashkimit Europian. Presidenti DUDA theksoi si vijon; -“ Ne duhet të organizojmë dy samite evropiane në Poloni për të theksuar elementët më të rëndësishëm të zhvillimit të Evropës për të ardhmen” dhe vijoi “ Takimi mes BE-së dhe Ukrainës duhet t’i kushtohet rindërtimit të vendit të sulmuar nga Rusia”. Deklarata e Presidentit DUDA është shprehje e një vizioni për inkurajimin dhe fuqizimin e aleancës trans-atlantike, presidenti polak është një aleat politik i zëshëm i Presidentit të zgjedhur të SHBA, TRUMP dhe i konsideruar si një ndër ndërmjetësuesit e mundshëm në secilëm situatë potenciale komplekse negociimi mes Bashkimit Europian dhe SHBA gjatë katër viteve në vazhdim, nëse Presidenti DUDA do të konfirmohet në një mandat të ri në Presidencialet e Majit 2025 që do të mbahen në Poloni.

Përtej polarizimit të skajshëm  në jetën politike kombëtare, vendi përjeton një konsensus të rëndësishëm politik në lidhje me ngjarjet e rëndësishme botërore ku spikat qëndrimi dënues ndaj Rusisë për shkak të sulmit nda Ukrainës apo dhe në inkurajimin e mëtejshëm të zgjerimit të Bashkimit Europian, përkatësisht në vendet e Ballkanit apo për Ukrainën dhe Moldavinë, gjithashtu. Qëndrimet e përbashkëta në funksion të një aleance të konsoliduar Europiane do të inkurajojnë angazhimin e përbashkët institucional për një Presidencë të BE të suksesshme varësisht dallimeve të thella politike mes Presidentit DUDA dhe Kryeministrit TUSK, ku një Presidencë e suksesshme do të rriste reputacionin e Polonisë në arenën ndërkombëtare. Por, zgjedhjet Presidenciale në Poloni, të përcaktuara për tu mbajtur më Maj 2025, ku kandidatët kryesorë do të jenë Presidenti aktual DUDA dhe Kryebashkiaku i Varshavës, përfaqësues i partisë së Kryeministrit TUSK, Rafał Trzaskowski pritet të shndërrojnë dhe Presidencën e Bashkimit Europian në një temë të një fushate që ka pritshmëri të përcjellë një polarizim të përsëritur varësisht natyrës së ndryshme të zgjedhjeve Presidenciale nga të njëjtat Parlamentare.

Vizioni dhe ekspertiza e gjatë e Kryeministrit TUSK në institucionet e Bashkimit Europian në ndërthurje me pro-aktivitetin e Presidentit DUDA dhe marrëdhënien e tij të veçantë me Presidentin e zgjedhur të SHBA, TRUMP do të dërgonin drejtë një Presidence Polake shumë të suksesshme dhe një model referues për secilën presidencë në 6-mujorët pasardhës, por dilema mbetet në shkallën e tejkalimit të ndasive në nivel kombëtar  që dy liderët Polakë do të shfaqin në funksion të një presidence të suksesshme, duke anashkaluar suksesin apo mosarritjet në segmente të Presidencës në funksion të rivalitetit politik në rang kombëtar.

Përtej parashtrimit të aspekteve pozitive apo frenuese të renditura kronologjikisht më lartë, kohezioni politik dhe kombëtar i Polonisë ndaj agresionit Rus në Ukrainë do të ndikojë në inkurajimin e një veprimi politik të fortë nga Presidenca Polake për ta shndërruar Bashkimin Europian, në një aktor të zëshëm dhe veprues në skenën politike botërore ku veprimi politik do të ishte themeli i shëndetshëm  për Europën e dekadës së ardhshme, një aktor global që duhet të përcaktojë zhvillimet botërore në koherencë me SHBA në dritën e një polarizimi të mundshëm botëror si shkak i grupimeve të aktorëve të tjerë botërorë alternativë.  Interesi kombëtar Polak do të tejkalojë dallimet e politikës kombëtare dhe secili prej aktorëve politikë Polakë do të ndikojë në një Presidencë të suksesshme të BE, në një kohë sfidash politike botërore, ku një Presidencë e suksesshme do të  fuqizonte reputacionin politik të Polonisë në arenën ndërkombëtare dhe do ta shndërronte Presidencën Polake në modelin orientues në fund të 20 vjetorit të zgjerimit të madh të BE ku Polonia është shembulli i suksesshëm i zgjerimit, në kontekstin historik, ekonomik dhe në pozicionim politik në mbështetje të aleancës perëndimore dhe transatlantike, gjithashtu.