Home Blog Page 2643

Ambasadori britanik Abbott, flet për nongratën e Berishës: Nuk ka të bëjë me politikën…

0

Gjatë intervistës në emisionin “Opinion”, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, iu përgjigj edhe pyetjes për shpalljen “non grata” të disa qytetarëve, mes tyre Sali Berishës.

Ai tha se për t’u ndaluar hyrja në Britani ka një proces ligjor ku disa kushte duhet të ndiqen dhe nuk janë gjëra që politizohen.

Blendi Fevziu: Ambasador, Mbretëria e Bashkuar ka shpallur se disa qytetarë janë të ndaluar të hyjnë në Mbretërinë e Madhe. Pse është marrë ky vendim? Do të zgjerohet lista? Pyetja e tretë lidhet me liderin e opozitës në Shqipëri dhe ish-Presidentin dhe ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha. Le ta nisim nga pyetja e parë, pse kjo listë? Pse është marrë ky vendim?

Nicholas Abbott: Mbretëria e Bashkuar, ashtu si Shqipëria, do të sigurohet se ne duam të mbrojmë sigurinë tonë, se ka transparencë për sa i përket sundimit të ligjit.

Blendi Fevziu: Kjo vlen edhe për shtetet e tjera?

Nicholas Abbott: Edhe për shtetet e tjera…

Blendi Fevziu: Në listë ka njerëz edhe nga shtete të tjera?

Nicholas Abbott: Ky nuk është një proces nëpërmjet të cilët targetojmë persona vetëm nga Shqipëria. Ka edhe njerëz në shtete të ndryshme ku ne shikojmë çështje të ndryshme dhe marrim vendim për to.

Blendi Fevziu: Kjo ishte lista e parë. Ju nuk e bëni listën publike por zoti Berisha, kreu i opozitës dhe ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë tha se i është shpallur ndalim hyrje në Mbretërinë e Bashkuar. Pse Berisha?

Nicholas Abbott: Siç ju thashë, nuk është rutinë që ne të komentojmë mbi çështje individuale. Këto janë procese ligjore, nuk janë gjëra që politizohen. Ky është një proces ligjor ku ka disa kushte të cilat ndiqen. Qartazi, në këtë rast, është ndikuar një individ. Siç ju thashë, ne nuk duam të targetojmë individë të caktuar.

Blendi Fevziu: Por a keni ndonjë listë tjetër e cila do të shpallet se shpejti?

Nicholas Abbott: Mua më duket sikur njerëzit besojnë se ekziston një listë sekrete. Kjo nuk ka të bëjë me lista, por me procese dhe shqetësimet tona.

Blendi Fevziu: Por të gjithë këtu flasin për lista.

Nicholas Abbott: Këtë “listë” nuk e kam te xhepi i pasmë.

Blendi Fevziu: Nuk e keni…

Nicholas Abbott: Nuk e kam në xhep.

U dënua me vdekje, fjalët e fundit të poetit para pushkatimit që drithëroi diktaturën! Ç’ndodhi në seancën ku iu burgos edhe i vëllai

0

NGA VISAR ZHITI

E solla këtu, larg vrasësve të tij

Sido që s’i njoh vrasësit e vërtetë.

Le të jetë larg vrasësve të rinj

Që vrasin fjalën të mos ketë poetë…

Kështu ndodhi. Tani e gjitha frikshmërisht dhe madhërishëm brenda një elegjie.

Bustin e një poeti që e pushkatuan në vendin ku(r) sundonte diktatura më egër në Europën e Lindjes komuniste, por pasi historia deshi të shembej Muri i Berlinit dhe të binte ajo perandori, së voni miqtë e poetit, më saktë ata që do ta donin më pas, edhe pa e njohur, e çojnë në vendlindje. Bustin. Ca bronz nga ajo tragjedi.

Rikthehej poeti tragjik Trifon Xhagjika, që prapë sikur i druhen (shteti) kanë frikë ta kujtojnë. Nuk ka asnjë rrugë me emrin e tij në kryeqytet apo një gur me vargjet e tij…

Çdo popull tjetër, i dalë nga një diktaturë, po ta kishte këtë poet, fjalët e tij do t’i gdhende në gur apo do t’i shkruante mureve, – kështu kam shkruar shpesh…

Gjithsesi, është dhe një kujtesë tjetër, një ndërgjegje tjetër e përgjegjësi, madje dhe një atdhe tjetër, që i ngjan atij të përjetëshmit.

Nën këtë hijezim, gazetari i njohur, por edhe poet, Mero Baze, bashkëfshatar i Trifon Xhagjikës, priu për të çuar bustin e poetit të pushkatuar në vendlindje, në Peshtan, fshati i tyre, ku dhe shtëpitë i kanë pranë njëra tjetrës. Dhe Mero Baze ndjeu të shkruajë dhe elegjinë për të gjithë ne.

* * *

Çdo 23 dhjetor, nata e asaj date, – dhe me kuptimin që të kall datën, – ashtu siç ka yje, mes tyre ka dhe përndjezje plumbash, një përzierje tronditëse vezullimesh. Vranë një poet para më shumë se gjysmë shekullit në vitin 1964 dhe ky imazh, yje dhe plumba, i kthyer në ndjesi, më kap që kur mësova atë emër dhe atë ngjarje. Dhe tani q:e lexoj elegjinë e Mero Bazes…

Në librin tim “Kartela të Realizmit të Dënuar”, një studim për letërsinë tjetër, atë që dogji regjimi, të poetëve dhe shkrimtarëve që pushkatoi e burgosi e internoi, madje dënoi dhe vetë librat dhe cilët përpiqeshin t’i lexonin fshehurazi, është dhe kartela e dhembshur e Trifon Xhagjikës, ku përveç të tjerash, janë përdorur dhe të dhënat që kishte sjellë Mero Baze nga Dosja në arkiv…

KARTELA:

DHE TRIFON XHAGJIKA THA:

“MË JEPNI NJË TOP T’I BIE KOMITETIT QËNDROR”

Këto ishin fjalët e fundit të tij, që po tronditnin trupin gjykues. I pandehuri nuk po kërkonte mëshirë, siç dhe u pëlqente sundimtarëve, që të ndjeheshin të gjithëfuqishëm, gjysmë perëndi, si emblema të dhunës me sopatë në dorë, që drithëronin botën. Jo vetëm që s’kishte kërkuar mëshirë, po kishte kërkuar një top… është artilier… ashtu?… po, po… dhe poet… E dëgjove, e do topin që t’i bjerë Partisë, Komitetit Qendror… ta shembë me gjithë ata brenda, udhëheqjen e lavdishme…. Qenka i çmendur… kam frikë… se mos duhet t’i kërkojmë ne atij mëshirë…

Në sallë arritën dhe dy vëllezërit e të pandehurit, sapo qe dhënë dënimi me pushkatim. U panë sy më sy…

Kokën lart, siç e do nderi i Xhagjikëve! – thirri një nga vëllezërit, më i madhi, Ylli. Po ku është liria? – pëshpëritej gjithandej jashtë sallës së gjyqit, siç kishte thirrur që sapo ishte dënuar me pushkatim. Policët po futnin për në makinë, duke e mbajtur nga krahët fort, egërsisht dhe me një lloj adhurimi të frikshëm. Ç’qenkësh ky kështu?!Dimër i keq. Dhjetor, 1963. Data 23. E pushkatojnë natën… ku-ku?… Dhe pas dy ditësh do të mund të festohej Krishlindja, aq sa lejohej? Dhe pas një jave Viti i Ri, nëse do të vinte… ?

Poeti Trifon Xhagjika

(1932 – 1963)

U lind në Peshtan të Tepelenës në vitin 1932. Familja e tij u shpërngul në Tiranë, në kohë e pushtimit italian në po atë vit, kur në një lagje diku themelohej në ilegalitet Partia Komuniste, ajo që do të sundonte dhunshëm duke pushkatuar dhe poetë.

Pasi përfundoi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, në fillim të viteve 50 u diplomua për oficer i artilerisë kundërajrore dhe për disa vite punoi si oficer në një repart ushtarak në Rrapin e Treshit në Tiranë. Kreu një kurs për Gazetari e Histori, këmbënguli, sepse donte të vazhdonte fakultetin për Letërsi.

Boton poezi nëpër gazeta dhe tërheq vëmendjen e lexuesve e të poetëve të tjerë… E kalojnë me punë në Ministrinë e Mbrojtjes, fillimisht si redaktor në sektorin e botimeve dhe rregulloreve e më vonë në gazetën “Luftëtari”.

Në vitin 1959 i përmblodhi poezitë e tij në një libërth hollak dhe nën kujdesin e kritikut avangardist Drago Siliqi i boton me titullin “Gjurmët”, ku ndihej romantiku dhe rebeli, që seç kërkonte. Gjithsesi është gjurma e tij e parë.

Mjaft nga ato poezi u bënë dhe këngë, madje dhe himnin e shkollës së tij ai e shkroi, kompozim i K. Trakos, dhe do ta këndonin breza të tërë studentësh me uniformë, edhe kur ai s’ishte më..

Sipas rrëfimeve të motrës së tij, “Trifoni kishte ndryshuar kohëve të fundit”, para arrestimit, kuptohet, ishte bërë më i vrenjtur, i shkonte, se vishej dhe bukur, kur dilte civil, Linën, asaj që i kishte kushtuar qindra vargje, e donte siç dinte të donte ai, por po rrinte gjithnjë e më shumë me ata, të pa kënaqurit me sistemin, siç thuhej atëherë, me ata që flisnin kundër, me ata që donin… të arratiseshin. “Njërit prej tyre i gjeti një kamerdare të madhe, që ngjallte dyshime se përse e doje, ia mori një kushëriri dhe e përcolli vetë atë që do të ikte andej nga Liqeni i Pogradecit. Vuante me ata që ishin ndarë me gratë e tyre ruse mbas prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe i ndihmonte që të bashkoheshin me to… të arratiseshin…

Në gjyq e akuzuan për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit dhe… për terror. Terror po bënin ata vetë, gjyqi, shteti, partia. Gjithsesi shpëtim nuk do të kishte… Shkak ishin dhe poezitë e tij të pa botuara, ato kundër… Dhe nuk u pa më… Dhe do të përhapej lajmi gjithandej, në redaksitë e gazetave, në kafenetë ku shkonin shkrimtarë, gazetarë, etj., se atë… kë?… atë që ngjante me Lermontovin, poet ushtarak, që qeshte aq çiltër dhe i shkëlqenin sytë?… e kishin pushkatuar… Ku?… Pse? Ishin grup…andej nga liqeni i Pogradecit, në zona të dyshimta, u kapën në përpjekje për t’u arratisur. I denoncuan shoferët e rrugës, i priste një major me çantë shpine, sipas Shërbimeve Sekrete. Ja emrat e grupit, dy vëllezërit Thoma dhe Stavri Rafaeli, dy gazetarët Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani, por dhe Robert Vullkani, botues e përkthyes, si dhe një tjetër shok i tyre, Franko Sara e bashkë me ta, poeti Trifon Xhagjika.

Të parin dhe të fundit i pushkatuan, të dy ushtarakë, kur në të vërtetë, ky i dyti nuk donte të arratisej, të paktën asaj herë me ata.

Këto të dhëna janë sipas Dosjes që ka hapur gazetari Mero Baze. Trifoni ishte më antikomunisti dhe pro perëndimori, dhe, nëse do te vendoste të ikte, do të arratisej për në Itali, shkruan M. B.

Grupin, siç e kemi parë, e përbënin intelektualë të njohur, të letrave dhe të muzikës, ushtarakë, një pjesë e tyre kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik e në vende të tjera socialiste, kishin dhe gratë të huaja, ruse, hungareze, të rrezikshme pas prishjes së marrdhënieve me ato vende. Trifoni i kishte pajisur me mjetet që do të duheshin për arratisje.

Trifoni ndërkaq kishte botuar një libër. E lehtësonte apo e rëndonte ajo gjendjen e tij? Në dosje do të ishin poezi të tij, disidente, armiqësore, të guximshme deri në tmerr ashtu si traktet që kishin shpërndarë. Të tjerët e grupit, që i lanë gjallë, do t’u jepnin dënime të rënda dhe do të çoheshin burgjeve për t’i pushkatuar më vonë.

* * *

Kur unë vajta në burgun e Spaçit, gjeta një gjendje të rëndë në kamp, të përzishme që ndihej që në ajër, të gjithë të burgosurit më dukeshin si me një plagë plumbi, që e zinin me dorë për të mos u rrjedhur i gjithë gjaku. Ishin pushkatuar dy bashkëvuajtës, gazetarët Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, se kishin dërguar një letër në Komitetin Qendror kundër Enverit. Bashkë me ta ishte pushkatuar dhe i burgosuri tjetër Xhelal Koprenca, pro perëndimor. Bashkëvuajtësi im, Astrit Xhaferri, me të cilin u bëmë miq në Spaç, më tregonte se e kishte njohur Trifon Xhagjikën, i fliste për guximin e poesisë, edhe për gjuhën e saj, fjala duhet gjetur në vuajtjen e popullit, u thoshte.

* * *

Punoja në gazetën e parë opozitare. Kishte rënë Muri i Berlinit dhe pllakat e tij të betonta sikur na kishin zënë nën vete dhe ne po dilnim me mundim.

Ishim ballë për ballë dy të dalë nga burgjet, unë dhe Ylli, vëllai i Trifonit, ai që kishte thirrur në sallën e gjyqit: “Kokën lart!” dhe gjykatesit urdhëruan t’i hidheshin hekurat dhe atij.

Poezitë mbi tryezë. fërgëllonin dritshëm. Po përlotesha edhe unë pas Yllit…

E pashë Atdheun lakuriq,

 vetëm pa miq e shokë)

mundohej të këpuste një degë dafinë

nga lavdia e shekujve.

Atdheun e dija të uritur,

por sa i vogël qenka!

Asnjë degë nuk e këpuste dot.

E mora për dore,

ta rrit në zemrën time…

Vëllezër,

Po e kërkuat Atdheun,

e kam unë.

Ndihmomëni të qesh.

Ndihmomëni të gëzoj!

Atdheu është lakuriq!

1963

Këto poezi Trifoni recitoi dhe në gjyqin e tij, kur i dhanë dënimin me vdekje. Atë vit e kishte shkruar Gjithë dhimbje dhe forcë. Atdheun që e merr për dore për ta rritur në zemër, ndërsa atdheu po e vriste. Që po ta kërkonin atdheun e humbur, e kishte ai. Ku? Nën dhe? Vaj dhe thirrje dhe testament të tillë nuk kishte pasur poezia e re shqipe.

U tronditën dhe ata që e dëgjuan jashtë, të recituar në një takim poetësh në Itali, në një kështjellë në Bari, ua dhashë unë të përkthyer.

“Atdheu është lakuriq”, me këtë titull vendosëm të botonim librin e tij me vjersha, të parin pas rënies së diktaturës, do ta përgatittë poeti Xhevahir Spahiu, ndërsa liriku Jorgo Bllaci dhe unë, ish-të burgosur, bëmë dhe redaktorin, se punonim së bashku në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, aty ku kishte nisur dënimi im. Donim t’i ishim pranë Trifonit, të ringjallnim sado pak diçka nga martirizimi i tij heroik.

Po ku është varri i tij? Bashkë me lulet t’i çonim dhe librin e ri Balta s’tregon asgjë. Veç libri, ama, vërtet kishte vezullime të mermerit… Ndiheshim të lumtur që e botuam. Po ç’lumturi zeza! Dhe do të gjendeshin poezi të tjera, duhej botimi tjetër. Ylli më kërkonte në gazetat, ku bashkëpunoja në Tiranë. Se kush i tha që s’jam. Donin që unë të mos isha. Po Trifoni Xhagjika tani u duhej më shumë të tjerëve, jo vetëm neve, që vinim nga burgjet, që dhe ishim pushkatuar me të, sado pak. Dhe doli “Poezia” e tij e plotë, në shekullin e ri dhe mijëvjeçarin e ri.

Shqipëria ka nevojë për guximin dhe ëndrrën e tij.

Miq!

Dëgjoni trokëllimat e kalit të harbuar?

Jam unë!

Poeti spanjoll Garsia Lorka po vinte kështu? Po dhe atë “si një Krisht mes hajdutësh në Granada e vranë – thotë Ernesto Sabata. – Krim i urryer, simbol i kësaj bote, e cila pas çrrënjosjes së poezisë, lartësoi në vend të saj vrazhdësinë dhe frikën” J

o, po guxonte të vinte i pushkatuari tjetër, Xhagjika ynë. Nuk paskan të njëjtë vetëm fundin tragjik por edhe kalin e poezisë. Trifon Xhagjika ecën dhe reciton “Këngë e verbër”, që ia kishte kushtuar Republikës, ku thotë: Vramë po të duash!/Në netët e tua të gjakosura/do të dëgjosh zërin tim:/”Të urrej o Republikë,/lavire e zotërve gjakprishur!” (Prill 1962)

Vramë po të duash!!! O Zot, e dinte ç’bënte! Mbas një viti do ta pushkatonin.

Në vendlindje, në Peshtan, vendosën një bust të tij miqtë e rinj të pasvdekjes. Por ai duhet të jetë kudo, në kujtesë, në kryeqytetin e dhimbjes, në poezi…

ELEGJIA NË “SHI ME BALTË”…

Elegjia “Trifon Xhagjika” e Mero Bazes është në librin e tij, “Shi me baltë”, që i gjithë i ngjan asaj elegjie, për kohën dhe njerëzit e saj, për veten dhe për të shkuarën tonë, aq të pranishme dhe të ardhmes se mos do t’i ngjajë të tashmes, të lirë për gjithçka, të mirë a të keqe njëlloj, pra, jo vërtet të lirë.

Mero Baze është mjeshtër i përsiatjeve kësisoj, të thukta dhe dëshpëruese, por në emër të një të drejtësie dhe përmirësimi të realitetit, artikujt e tij janë gati të përditshëm, me përditshmërinë turbulluese, që si duhet kthjelluar, duke e turbulluar edhe më?

Me të dalë poezia e Meros, tërhoqi vëmendjen e lexuesit dhe medias. Ishte një befasi? Ky gazetar i guximshëm deri në ashpërsi, i skajshëm deri te e vërteta, të paktën ajo e tij dhe e shqetësimeve që sjell ajo, kërkues i “Thembrës së Akilit” për të ngulur shigjetën e tij pa mëshirë, paska dhe poezi, pambuk të saj për plagët?

Po, Mero Baze është poet. Edhe në gazetarinë e tij dhe prozën eseistike ka poezi të fshehtë, por të tufantë si në një rrugë tjetër, ndërsa në poezinë e tij ka çështje të forta sociale, kontradikta dhe përplasje, madje dhe fjalor të atillë, por si pas xhamave. Por ai nuk kundron, futet në protestë dhe polemizon.

Në këtë libër me poezi, se ata që e njohin Mero Bazen e dinë që ai ka dhe një libër tjetër me poezi të hershme, shohim se ai përdor strofën e rregullt, pra, se brendshmi ndjen nevojën e rregullit, me metrikë të caktuar dhe rima, pra do harmoninë e sprovuar klasike dhe duke ngjasuar në formë, të gjitha poezitë duket se janë këngët e një poeme. Për atdheun tonë, sipas tij, për kohën e tij, sipas nesh, për njerëzit sipas kohës, ku shpesh ata që s’janë, janë më shumë se ata qe janë.

Ja, si elegjia për Trifon Xhagjikën tonë. Plot tension dhe dhimbje therëse. Solemnitet dhe një paqeje të nevojshme që i ngjan një armëpushimi, por jo pushim të luftës, jo me plumba, por me fjalë dhe drejtësi për një të vërtetë më të madhe se të gjithsecilit, të vërtetën që na duhet të gjithëve. Ka pasur një kohë çnjerëzore që bëri njerëz çnjerëzorë, të cilët prapë mund të bëjnë kohë. Që të mbrohemi, duket thirrur Trifon Xhagjika. Që të fitojë njeriu, njerëzisht, na duhet statuja e Trifon Xhagjikës. Por tani nga fshati i tij, të shkojë në kryeqytet, madje dhe në kryeqytetet e Europës, që vuajtën atë sundim, se Trifon Xhagjika nuk është poet nga që e pushkatuan, por me atë pushkatuan një poet.

Dhe koha kishte frikë dhe me atë të vrarë. Dhe bënte krimin tjetër, atë të mbulimit të krimit jo vetëm me dhé, por pa varr, por dhe me heshtje dhe harresë dhe Realizëm Socialist, shkrimtarët mediokër të së cilës, kritikët e mbetur donkishoteskë të saj, s’bëjnë gjë tjetër, por hekurishtet e kalbura të asaj fabrike na i tregojnë si sukses, që duhet montuar ende, pak si ndryshe, etj, dhe gjejnë dhe sulmojnë sabotatorët e saj si dikur partia e tyre, por as vetë s’e kuptojnë se po duan këtë, por mendësia dhe veprimet e tyre janë të tilla: pse na i shkatërruat Realizmin Socialist?! – sikur thonë.

Por vjen dhe poezia e Mero Bazes për Trifon Xhagjikën. Vargjet u ngjajnë atyre shiritave të verdhë që rrethojnë një skenë krimi: Këtu është vrarë një poet, që po duan ta rivrasin. Nuk ka rëndësi në janë po ata vrasës apo të tjerë. Krimi i barazon. Dhe nëse tani nuk vrasin dot poetin, duan të vrasin fjalën e tij, kur poeti në fund të fundit është fjala e tij.

Mero Baze si poet na bashkohet në më të lartën tonë, që vuajtjet dhe martirizimin ta kalojmë jo vetëm nga rrëfim në përvojë, po ta bëjmë dhe art, poezi. Që sjellin drejtësi dhe paqe.

Mos Mero Baze nuk duron dot dhe ka marrë topin që kërkoi në gjyq Trifon Xhagjika si poet?

Gjykata Kushtetutese i tha jo demokratizimit të sistemit politik shqiptar

0

Ervis Iljazaj

Gjykata Kushtetutese refuzoi sot kërkesën e disa partive të vogla për të shfuqizuar ndryshimet e kodit zgjedhor, që sipas tyre cënojnë barazinë e votës dhe përfaqësimin politik. Thelbi i kësaj beteje ishte hapja e listave 100 përqind, me qëllim që shqiptarët të kenë mundësinë që me anë të preferencave të tyre të zgjedhin deputetin që ata dëshirojnë.

Ndryshimet e kodit me paktin e korrikut midis Ramës dhe Berishës, formalisht kanë lënë 2/3 e listës së hapura, por realisht këto lista janë në pjesën më të madhe të mbylluara dhe në zgjedhjet e ardhshme diku te 80 apo 90 përqind e deputetëve do të vazhdojnë të emerohen nga kryetarët dhe nuk do të zgjidhen nga preferencat e qytetatërve.

Gjykata Kushtetuese kishte një mundësi të artë sot, që me vendimin e saj të demokratizonte sistemin politik shqiptar, të garantonte një përfaqësim politik të drejtë dhe të forconte instrumentat e demokracisë përfaqësuese. Sigurisht, vendimet e gjykatave mund të diskutohen, mund të kritikohen, ndërsa ato thjesht zbatohen. Në këtë kuptim, Shqipëria do të shkojë në zgjedhjet e ardhshme me një kod që favorizon qartë partitë e mëdha politike. Por mbi të gjitha, favorizon pozicionin e kryetarit të partisë nga i cili do të varen shumica e deputetëve që do të jenë në parlamentin e ardhshëm.

Pa u futur në disktutime teknike të vendimit, i cili jurdikisht mund të jetë ashtu sikurse ka vendosur Gjykata Kushtetuese, një analizë politike se çfarë ka sjellë deri tani dhe çfarë do të sjellë në zgjedhjet e ardhshme mund të bëhet. Mbyllja e sistemit politik nëpërmjet këtij sistemi zgjedhor që forcon kryetarokracinë është një marrëveshje politike e Sali Berishës dhe Edi Ramës që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Marrëveshje që vazhdon sot e kësaj dite me ndryshimet e kodit në muajin korrik të këtij viti. Nuk ka dyshim që ky kod elektoral ka forcuar pozitën politike të binomit Rama-Berisha, të cilët që nga 2008 e deri më sot vazhdojnë të dominojnë jetën politike të Shqipërisë, dhe me gjasa do të vazhdojnë ta dominojnë akoma. Prandaj marrëveshja midis tyre në këtë drejtim, është e qartë dhe e hapur.

Partia Demokratike kishte një shans të artë që nëpërmjet ndryshimeve të kodit në korrik të jepte një mesazh ndryshe. Nëj mesazh që shkonte në rezonancë me qytetarët shqiptarë që në shumicë deshirojnë listat e hapura. Mirëpo, zoti Berisha, i gjendur në pozita të dobta politike, zgjodhi që të dominonte partinë se sa ta hapte atë duke votuar një kod që është antidemokratik. Duke patur parasysh sondazhet që e tregojnë Partinë Demokratike rreth 30 përqind, ka rrezik që të gjithë deputetët e saj do të dalin nga pjesa, e listës së mbyllur dhe asnjë nga preferencat e qytetarëve. Në këtë mënyrë, ky kod e bënë atë një parti të mbyllur dhe të dominuar totalisht nga Berisha, gjë e cila është dhe qëllimi kryesor i tij.

Sigurisht sistemet zgjedhore, që të gjitha, kanë avantazhet dhe disavantazhet e tyre. Asnjë sistem zgjedhor nuk është absolutisht i mirë, apo absolutisht i keq. Edhe ky që kemi ka avantanzhet e veta. Mirëpo kur në një vend aplikohet një sistem zgjedhor i caktuar, duhen patur parasysh problemet kryesore politike dhe zgjidhet një sistem zgjedhor që i kuron ato probleme. Problemet kryesore që ka Shqipëria sot dhe që ka patur gjithmonë, janë padyshim personalizimi i politikës, reduktimi i parlamentit në organ vartës të qeverisë, si dhe reduktimi, madje degradimi i rolit të deputetit.

Ky sistem zgjedhor që do të shkojmë në zgjedhje, jo vetëm që nuk i kuron këto probleme, por i thekson ato akoma dhe më shumë. Shqiptarët aktualisht nuk votojnë as për pushtetin ekzekutiv, as pushtetin legjislativ, dhe as për pushtetin gjyqësor. Shqiptarët votojnë vetëm për partitë politike. Prandaj ky sistem zgjedhor ka krijuar një partitokraci e cila është e rrezikshme për demokracinë shqiptare. Gjykata Kushtetutese, me vendimin e sotshëm, e humbi shansin për të kuruar problemet e demokracisë dhe sistemit politik shqiptar.

Mosbindja civile, forca shtetërore dhe e drejta për manifestim

0

NGA PËLLUMB NAKO 

Edhe manifestimi i mbrëmshëm i opozitës, i quajtur “mosbindje civile”, edhe përgjigja e shtetit ndaj tij, shfaqën përsëri skenarë të njohur, të pandryshuar dhe të përdorur prej dekadash në realitetin social shqiptar. Fatkeqësisht asgjë e re. Përplasje forcash të kundërta, të cilat janë ngurosur në barrikada, ku njëra palë kërkon demokraci se e ndjen atë të cunguar dhe tjetra, në mbrojtje të demokracisë, sepse e konsideron prishje të rendit publik. Në skena të tilla që përsëriten e përsëriten prej dekadash, duket qartë që asnjë standard demokratik nuk po ndërtohet e jo më të konsolidohet.

Palët në konflikt sjellin në medie e rrjete sociale pamje videosh provokative për t’i treguar opinionit të gjerë publik se kush ka të drejtë e kush jo. Kush ushtron më shumë dhunë e kush më pak. Beteja më pas vazhdon nëpër studio televizive me të njëjtin qëllim, kush ka të drejtë e kush jo. Edhe vetë opinionistët japin argumente pro dhe kundër. Sherr me dëshmitarë. Gjithçka zhvillohet në kundërshtim me rrugën e konsolidimit të vetë demokracisë në vend. Rrugë këto me karakter ligjor, të cilat mundësojnë që të arrihet një standard i shëndetshëm në fushën e manifestimeve publike, në shërbim të lirisë dhe demokracisë. Videot provokative, përplasjet, opinionistët nuk kanë dhe nuk mund të kenë tagrin e ndërtimit të “së drejtës për tubim”.

Në kontekstin e “së drejtës për tubim”, opozita nga ana e saj, si më e interesuara për të pasur sa më shumë hapësira për të manifestuar pakënaqësinë e saj ndaj qeverisjes, duhet të ketë prirjen e fortë për të pasur ligjet e duhura të qarta dhe sidomos jurisprudencë të bollshme në raport me lirinë e manifestimit. Kjo sepse në këtë mënyrë, ajo do të gjente mundësi më të shumta për të ushtruar aksionin e saj antiqeveritar dhe vetë shoqëria shqiptare në tërësi do të gëzonte një standard të qartë të kësaj të drejte.

Përballë bollëkut të jurisprudencës shqiptare dhe të asaj të organizatave ndërkombëtare për të drejtat themelore, shkeljet e mundshme ligjore do të ishin më të dukshme. Opozita shqiptare tashmë e ka kaluar dekadën në këtë pozicion dhe ajo ka organizuar mjaft e mjaft manifestime proteste. Ndërkohë, ajo është edhe pjesë e parlamentit. A ka marrë opozita deri më sot nisma ligjore për garantimin sa më të qartë të së drejtës për manifestim? Madje në këtë drejtim nuk shkëlqejnë as organizatat e panumërta joqeveritare. Kjo, sepse nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por edhe në botën e civilizuar që administrata qendrore dhe lokale e vendit të ketë për tendencë të ngushtojë vendet ku mbahen manifestime. Ato nuk e preferojnë prishjen e qarkullimit rrugor të mjeteve apo këmbësorëve. Aktet e tyre kanë karakter administrativ, të lidhura me sigurinë publike, ndërkohë nga ana tjetër dihet se qëllimi i vetë manifestimit të protestës është pikërisht të turbullojë rendin publik për të tërhequr vëmendjen dhe të flasë më zë të fortë.

Atëherë si duhen trajtuar këto dy tendenca të kundërta?

Ato që këto kohë të fundit po quhen “bllokime rrugësh”, nuk janë të parat që organizohen. Dhe janë militantët e partive, ata që e paguajnë më shtrenjtë këtë mënyrë proteste. Përveç denoncimeve politike nëpër ekrane apo manifestimeve para komisariateve, a ka marrë opozita nisma ligjore për t’u ankuar në të gjithë shkallët e drejtësisë shqiptare, deri në Strasburg e të sqarojnë nëse manifestimi i protestës në rrugë e sheshe ku qarkullojnë automjetet është shkelje ligjore? Nëse deri më sot një fakt i tillë quhet shkelje ligjore, përdorimi i forcës nga ana e policisë nuk është në kundërshtim me ligjin, ose më saktë me mënyrën se si kuptohet ligji dhe nuk është ky organ që ka për tagër marrjen e nismave ligjore për të drejtën e manifestimeve të protestës. Një opinionist mund edhe të thotë se e drejta për të manifestuar në hapësirat publike është një e drejtë themelore, e parashikuar nga Kushtetuta, kurse e drejta për qarkullim me automjet nuk është e drejtë kushtetuese. Kjo do të thotë se në raport me njëra-tjetrën, përparësi ka e drejta për të manifestuar. Ndërkohë, krahas së drejtës së qarkullimit me automjete, është edhe e drejta për qarkullim e këmbësorëve. Edhe kjo i nënshtrohet të drejtës për manifestim. Ndërkohë, ndarja e rrugës për qarkullim automjetesh nga trotuare për qarkullimin e këmbësorëve bëhet për arsye të sigurisë publike dhe jo si të drejta të mbrojtura nga Kushtetuta. Pra, bëhet për arsye sigurie. Këtu problemi komplikohet, pasi kjo përplasje e të drejtave lind prishjen e rendit publik, pasi rrezikohet edhe jeta e manifestuesve, edhe e drejtuesve të automjeteve. Në një kontekst të tillë, natyrshëm ndërhyn shteti.

Cila është natyra e ndërhyrjes së tij?

Ai përdor forcën për të larguar manifestuesit, sepse po pengojnë trafikun, pra po prishet rendi publik. Pra, i jepet përparësi sigurisë publike. Ndërsa diku tjetër, në vende me demokraci më të përparuar, shteti ndërhyn për së siguruar manifestimin dhe devijon trafikun rrugor duke i dhënë përparësi manifestimit. Por këto koncepte nuk japin dot zgjidhje kur ato thuhen nëpër studio televizive apo nëpër gazeta. Pyetjet e dilemat e mësipërme duhet të gjejnë përgjigje nga kolegje gjykatash kompetente. Janë ato që duhet të shprehen nëse manifestimet e protestës kanë karakter antiligjor nëse zhvillohen në sheshe e rrugë ku ka qarkullim automjetesh.

Është drejtësia që nëpërmjet jurisprudencës së saj, i jep rrugë mënyrës se si duhet që autoritet e administratës të menaxhojnë manifestimet dhe trajtimin e tyre me përparësi si një e drejtë themelore. Por që të shprehen, duhet dikush t’u adresohet autoriteteve ligjore në fjalë. Dhe i takon opozitës më shumë të atakojë këtë problem, madje dhe OJF-ve. Në rast se do t’u referoheshim eksperiencave të disa vendeve me demokraci solide, jurisprudenca është e plotë dhe e qartë. Sipas Gjykatës së Apelit të Kanadasë, “rrugët kanë për funksion të përditshëm lejimin e qarkullimit të automjeteve, të çiklistëve dhe këmbësoreve, por ato janë njëkohësisht hapësira për tubim e manifestim kolektiv të domosdoshme për ushtrimin e lirisë për manifestim paqësor”.

Më pas, vazhdohet më konkretisht: “Ndryshimi i përkohshëm nga përdorimi i zakonshëm i rrugës është një pasojë normale dhe nuk përbën pengim për përdorimin e një hapësire publike”. Kurse reporteri special për Kombet e Bashkuara, nga ana e saj thotë: “Në një shoqëri demokratike, hapësirat urbane nuk janë vende vetëm për qarkullim, por edhe vende për pjesëmarrje në tubime”. Ndërsa në vende të tjera demokratike si psh., Franca, koncepti “bllokim rruge”, në jurisprudencë nuk quhet rasti kur ka individë që manifestojnë në të, por kur në rrugë vendosen automjete apo materiale inerte si gomat e makinave që bllokojnë si qarkullimin e mjeteve, edhe atë të këmbësorëve. Nëse opozita do të ndiqte shkallët e gjyqësorit dhe do t’i drejtohej direkt Strasburgut për interpretim, me siguri manifestimi në sheshe publike ku ka qarkullim automjetesh, do të interpretohej si një e drejtë themelore që nuk lidhet me mosbindjen civile, por një manifestim normal.

VIDEO-Tragjike/Rrëzohet avioni plot me 220 pasagjerë! Si ndodhi nga aksidenti ajror

0

Tragjedi ajrore në Kazakistan. Raportohet se një aeroplan me 110 persona në bord është rrëzuar ditën e sotme pranë Aktau, Kazakistan.

Nuk ka ende informacione për viktima apo të lënduar.