Home Blog Page 2650

VIDEO/“E duam lumturinë”, Parashqevi Simaku rikthehet të këndojë në urimin e fundvitit me stafin e…..

0

Tradita e Top Channel vazhdon… dhe këtë vit me një surprizë të madhe për të gjithë shqiptarët.

Këngëtarja e madhe shqiptare, Parashqevi Simaku i rikthehet muzikës disa dekada më pas pikërisht në ekranin më të madh shqiptar, Top Channel.

“E duam lumturinë” kjo është kënga e përzgjedhur për 2024 nga Top Media.

Kënga nis me këngëtaren Parashqevi Simaku dhe më pas vijon me personazhet më të dashur të ekranit, që i shikojmë çdo ditë përmes projekteve.

Në këtë këngë ku në thelb janë fëmijët dhe lumturia, vogëlushët nuk munguan, ku kori i tyre me zërin e brishtë i dha ngjyra të tjera kësaj tradite.

https://youtube.com/watch?v=MaAMOZGYiWc%3Ffeature%3Doembed

Biznesmeni Elton Ilirjani, i cili gjeti në SHBA, këngëtaren Parashqevi Simaku e paralajmëroi këtë pjesëmarrje të ikonës së muzikës në traditën e Top Channel.

Pak ditë më parë ai e zbuloi këtë surprizë gjatë programit “Top Story”.

“Ajo që dua të them është që të mos dorëzohen të na mbështesin… gjithashtu kemi një surprizë, që me datën 24 ju si televizion e bëni, Parashqevi Simaku do të vijë me këngë. Kënga e fundvitit, kënga e Krishtlindjes…”, ka zbuluar Ilirjani, teksa tregonte detajet e përgatitjes së Parashqevisë për këtë surprizë.

“E duam lumturinë” është përzgjedhur nga Top Channel si një himn për krijimtarinë muzikore shqiptare që mbetet ende gjallë sot e kësaj ditë.

Parashqevi Simaku mori pjesë në festivalin e 27 të këngës, ku me këtë projekt arriti të fitojë jo vetëm çmimin, por të gjithë zemrat e shqiptarëve.

Tekstshkruesi i këngës është Agim Doçi, kompozitor Pirro Çaku dhe orkestrues Gjergj Leka.

“E duam lumturinë”, vijon të jetë himn edhe sot e kësaj dite në çdo zemër që ka shpresë dhe lumturi.

Tundohet Evertoni, Broja mund të bëhet telashi i madh i radhës për Pep Guardiolën

0

Ndeshja e të enjtes në Premier Ligë mes Evertonit dhe Mançester Sitit, mund të jetë ajo ku Armando Broja të luajë si titullar për herë të parë me klubin e tij të ri. Sulmuesi shqiptar, ka luajtur pak minuta në dy ndeshje por ka treguar se ka shpejtësinë që kërkohet për të ndryshuar ritmin e një ndeshje e pse jo, edhe për ta vendosur atë.

Mançester Siti është në një krizë të thellë rezultatesh, me situatë shumë shqetësuese sidomos në mbrojtje. Ndaj në mediat pranë klubit të Evertonit, është theksuar rëndësia e Brojës dhe formës që ka treguar ai, ashtu si edhe fakti se është më i freskët në krahasim me Kalvert-Ljuin i cili ka përballuar pjesën më të madhe të ndeshjeve si titullar, por edhe po kalon një formë jo shumë të mirë para portës.

Ndaj bëhet gjithnjë e më reale mundësia që këtë të enjte, Broja ta shohë veten mes titullarëve përballë Mançester Sitit, duke shpresuar që të thellojë rekordin e padëshiruar të Pep Guardiolës, i cili ka fituar vetëm 1 nga 12 ndeshjet e fundit dhe e sheh skuadrën e tij që tani shumë larg luftës për titullin kampion në Premier Ligë.

Donald Trump shprehu dëshirën për ta blerë Grenlandën, vjen reagimi nga Danimarka! Ja vendimi që mori

0

Qeveria daneze ka njoftuar një rritje të madhe në shpenzimet e mbrojtjes për Grenlandën, disa orë pasi presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, përsëriti dëshirën e tij për të blerë territorin e Arktikut.

Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, ka thënë se paketa është një “shumë dyshifrore miliardëshe” në korona, ose të paktën 1.5 miliardë dollarë, raporton BBC.

Ai e përshkroi kohën e njoftimit si një “ironi të fatit”.

Të hënën Trumpi ka thënë se pronësia dhe kontrolli i ishullit të madh ishte një “domosdoshmëri absolute” për SHBA-në.

Grenlanda, një territor autonom danez, është shtëpia e një objekti të madh hapësinor të SHBA-së dhe është strategjikisht e rëndësishme për SHBA-në, pasi shtrihet në rrugën e saj më të shkurtër për në Evropë. Ka rezerva të mëdha mineralesh dhe nafte.

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton del nga spitali, ja si paraqitet gjendja shëndetësore e tij

0

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton ka dalë nga spitali të martën, një ditë pasi u shtrua  për grip, ka bërë të ditur zyra e tij.

Clinton, 78 vjeç, është shtruar në spital të hënën pasdite për disa kontrolle te detajuara, pasi kishte pasur ethe.

“Presidenti Clinton është liruar sot pasi u trajtua për grip. Ai dhe familja e tij janë thellësisht mirënjohës për kujdesin e jashtëzakonshëm të ofruar nga ekipi në Spitalin Universitar MedStar Georgetown dhe nga mesazhet e mira dhe urimet që ai mori”, ka njoftuar zyra e tij në një deklaratë, raporton CNN.

Që kur është larguar nga Shtëpia e Bardhë gati një çerek shekulli më parë, presidenti i 42-të ka pasur disa shqetësime shëndetësore.

Ai ka pasur një operacion në zemër në Nju Jork në vitin 2004 dhe përjetoi një kolaps pjesërisht të mushkërive një vit më vonë. Ai ka pasur një tjetër procedurë në zemër në vitin 2010, duke iu vendosur dy stenta në një arterie koronare.

Ai ishte shtruar në spital në Los Anxhelos për gjashtë ditë në vitin 2021 për shkak të një infeksioni urologjik që u përhap në gjakun e tij.

Festat e fundvitit, policia e Shtetit njofton planin e masave! Shtohen siguria pranë bankave apo pikave të këmbimit valutor

0

Policia e Shtetit ka prezantuar planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë festave të fundvitit.

Për zbatimin e detyrave të përcaktuara në planin e masave, Policia e Shtetit, prej mëngjesit të datës 24.12.2024 deri më datë 03.01.2025, do të jetë në gatishmëri të përforcuar.

Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë ditëve të fundit të këtij viti dhe ditëve të para të vitit 2025, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, për të siguruar mbarëvajtjen e aktiviteteve festive, për të parandaluar incidentet apo ngjarjet kriminale, për të lehtësuar lëvizjen e shtuar të automjeteve dhe fluksin në hyrje/dalje, në pikat e kalimit kufitar, si dhe për të parandaluar tregtimin dhe përdorimin e lëndëve piroteknike.

Masat shtesë parashikojnë prezencë të shtuar të shërbimeve të Policisë, kontroll të plotë të territorit, kontroll ndaj shtetasve me precedentë kriminalë, automjeteve të tyre dhe të ambienteve që ata frekuentojnë, bazuar në inteligjencën informative, sigurimin në kohë të informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Për të eliminuar radhët e gjata në hyrje/dalje, janë marrë masa, janë shtuar sportelet dhe burimet njerëzore në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Po bashkëpunohet me homologët në pikat tokësore, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore, shmangien e radhëve të gjata dhe për sigurimin e lëvizjeve të njëtrajtshme, në të dyja anët e kufirit. Gjithashtu, është rritur kontrolli si në pikat e kontrollit kufitar, ashtu edhe në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.

Masa janë marrë edhe në drejtim të parandalimit të ngjarjeve rrugore, duke shtuar monitorimet në të gjitha akset rrugore, me makina inteligjente, radarë automatikë, dronë inteligjentë, alkooltestues dhe me patrulla të lëvizshme me mjete të pauniformuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Për netët festive të Krishtlindjes dhe të ndërrimit të viteve, si dhe për ditët e para të vitit 2025, që përkojnë me pushime zyrtare, do të ketë rritje të prezencës policore në shëtitore, pedonale, objekte kulti dhe sheshe publike, në të gjitha bashkitë e vendit, për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve duke bashkëpunuar edhe me policitë bashkiake përkatëse.

Gjithashtu, strukturat e Policisë kanë planifikuar masa për mbajtjen në kontroll të sigurisë dhe rendit, në restorante, lokale dhe qendra tregtare, që kanë frekuentim të lartë qytetarësh.

Për të parandaluar ngjarjet kriminale, janë shtuar shërbimet dhe patrullimet në afërsi të bankave, zyrave të këmbimit valutor, tregjeve dhe objekteve të tjera, ku administrohen vlera monetare dhe materiale.

Shërbimet e Policisë do të jenë në gatishmëri të plotë duke bashkëpunuar me strukturat vendore për të ndërhyrë në çdo moment, në rast së është e nevojshme.