Home Blog Page 2683

FOTOT/Jo vetëm s*ksi, por edhe të sukesshme! Kush janë baskebollistet binjake që kanë “pushtuar” listën e revistës Forbes

0

Ato nuk janë vetëm të njohura në SHBA por edhe shumë të suksesshme. Bëhet fjalë për motrat binjake Haley dhe Hana Cavider, 23-vjeçe, të cilat u bën super yje në moshë të re.

Arritjet e tyre në fushën e basketbollit, por dhe jashtë tij, u kanë dhënë atyre një vend në listën “30 nga 30” të revistës së famshme amerikane Forbes.

Revistë në të cilën pranohen personalitete të suksesshme nga sporti, arti, biznesi, shkenca apo teknologjia që janë nën 30 vjeç.

Motrat binjake që luajnë basketboll në Universitetin e Miami dhe kanë mbi 6.5 milionë ndjekës në TikTok dhe Instagram, janë ndër historitë më të mëdha të suksesit të sporteve të kolegjit.

Vetëm vitin e kaluar, ato kanë bashkëthemeluar markën e kozmetikës Hustle Beauty dhe aplikacionin e fitnesit TËOgether dhe kanë investuar në prodhimin e pijeve Slate Milk.

Ndonëse motrat thuhet se kanë fituar disa milionë dollarë vetëm nga reklamat, sporti nuk i ka lënë të largohen. Pasi të dyja kishin përfunduar tashmë karrierën e tyre në kolegj, ata u kthyen për sezonin 2024/2025, vetëm për kënaqësinë e fansave të tyre.

Moment i artë në karrierë, Mirlind Daku shpallet sportisti më i mirë i Republikës së Tatarstanit

0

Mirlind Daku po kalon një moment të artë në karrierën e tij. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare është shpallur sportisti i vitit në Republikën e Tatarstanit në Rusi. 

Këtë e ka konfirmuar vetë klubi i tij, Rubin Kazani përmes një postimi në rrjetin social “Instagram”. 

”Sulmuesi ynë, i cili u bë një nga golashënuesit më të mirë të elitës së futbollit rus, dhe ishte një nga lojtarët kyç të skuadrës, është shpallur sportisti i vitit 2024 në Republikën e Tatarstanit nga Business Online”, shkruan klubi i Rubin Kazanit. 

Daku në këtë sezon të garave ka nëntë gola e katër asistime në Superligën e Rusisë

Miratohet bonusi i pranverës, ja shuma dhe si ndahen kategoritë që përfitojnë. Zbardhet vendimi i qeverisë

0

Ashtu siç u premtua, vetëm pak muaj pas bonusit të fundvitit, pensionistët do të kenë gati një tjetër shpërblim, vlera e të cilit u miratua një ditë më parë në një mbledhje të posaçme qeverie.

Vlera e 20 mijë lekëve pension mujor do të jetë përcaktuese edhe në këtë rast për të bërë diferencimin e shpërblimit të radhës. Kështu, ata me pension baras ose mbi këtë fashë do të përfitojnë 5 mijë lekë bonus, ndërsa pensionet më të ulëta do marrin 10 mijë. Mbi 6 miliardë lekë do t’i kushtojë buxhetit të shtetit ky vendim, ndërkohë që 2.2 miliardë të tjera do të shpërndahen për kategoritë më vulnerabël të shoqërisë.

Më konkretisht, personat që trajtohen me Ndihmë Ekonomike, Personat me Aftësi të Kufizuar (PAK), si dhe kujdestarët e tyre. Në rishikimin e tretë që i është bërë buxhetit, Këshilli i Ministrave vendosi të japë edhe 1.4 miliardë lekë shtesë për fermerët për të vijuar me pagesat për përfituesit nga Skema Kombëtare si dhe janë shtuar me 1.6 miliardë lekë fondet për pushtetin vendor për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.

VENDIMI

Këshilli i Ministrave në një mbledhje të posaçme ditën e enjte, miratoi Aktin Normativ për disa ndryshime në Buxhetin e Shtetit për vitin 2024, vendim të cilin e bëri publik të nesërmen. Përmes ministrit të Financave, Petrit Malaj, u dhanë me tepër detaje mbi vendimin në fjalë që u mor pas analizës së ecurisë së ekonomisë dhe treguesve fiskalë për periudhën janar – nëntor 2024.

“Në këtë prag fundviti, e gjithë vëmendja jonë shkon në mbështetje të shtresave më në nevojë, kryesisht pensionistëve dhe familjeve me të ardhura të ulëta. Do të shpërndajmë 2.2 miliardë lekë në formën e shpërblimeve të menjëhershme për disa nga kategoritë sociale më vulnerabël”, – deklaroi Malaj në një video të shpërndarë për mediat.

Sipas ministrit, konkretisht do të jenë përfitues të bonusit prej 15 000 lekësh të gjitha familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, Personat me Aftësi të Kufizuar (PAK), si dhe kujdestarët e tyre, ndërkohë që u ndal edhe te bonusi i pranverës, masa e të cilit u përcaktua me këtë akt nromativ.

“Nga ana tjetër do të vëmë në jetë premtimin për garantimin e bonusit të pranverës, duke siguruar krijimin e një llogarie speciale në Bankën e Shqipërisë, në mbështetje të pensionistëve në të cilën do të transferohet një fond prej 6,3 miliardë lekësh”, – njofton ministri, i cili shtoi se në pranverë do të përfitojnë bonus në masën 10 mijë lekë ose 100 euro të gjithë ata pensionistë, pensioni mujor i të cilëve është nën 20 mijë lekë dhe 5 mijë lekë ose 50 euro të gjithë ata pensionistë, vlera e pensionit mujor të të cilëve është mbi 20 mijë lekë.

“Me një fond shtesë në masën 1.4 miliardë lekë do të mbështesim fermerët, duke siguruar investim të vazhdueshëm për një nga sektorët më prioritarë të ekonomisë, bujqësinë”, – shtoi ministri teksa bëri me dije se do të alokohet një fond shtesë prej rreth 1,6 miliardë lekë për të mbështetur bashkitë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, si dhe për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve.

“Angazhimi i Ministrisë së Financave mbetet i pandryshuar për të siguruar edhe në vijim trajektoren rënëse të nivelit të borxhit publik në raport me PBB-në, si dhe për të garantuar konsolidimin fiskal e qëndrueshmërinë e ekonomisë në tërësi”, – nënvizoi ministri i Financave, Petrit Malaj.

SHPERBLIMET QE DO NDAHEN

  • 2.2 miliardë lekë në formën e shpërblimeve të menjëhershme për disa nga kategoritë sociale më vulnerabël.
  • 15,000 lekë për të gjitha familjet që trajtohen me Ndihmë Ekonomike, Personat me Aftësi të Kufizuar (PAK), si dhe kujdestarët e tyre.
  • 6.3 miliardë lekë për garantimin e bonusit të Pranverës, duke siguruar krijimin e një llogarie speciale në Bankën e Shqipërisë, në mbështetje të pensionistëve në të cilën do të transferohet një fond prej.
  • Bonus në masën 10 mijë lekë ose 100 euro të gjithë ata pensionistë, pensioni mujor i të cilëve është nën 20 mijë lekë dhe 5 mijë lekë ose 50 euro të gjithë ata pensionistë, vlera e pensionit mujor të të cilëve është mbi 20 mijë lekë.

EMRAT/Do të vrisnin dhëndrin e Qazim Sejdinit, dënohen me 27 vjet burg 3 “ushtarët” e Nuredin Dumanit

0

Gjykata e Posaçme bëri me dije ditën e djeshme se ka dënuar me 27 vjet burg së bashku Elvis Koçin, Ilirjan Feçin dhe Agim Gjinin, pjesë e dosjes “Plumbi i Arte” të shpallur fajtor për grabitje dhe sigurim kushtesh për vrasje.

Të dënuarit Ilirian Feçi, Elvis Koçi dhe Agim Gjini, të cilët u shpallën fajtorë për “Vjedhje me dhunë” e “Sigurim kushtesh për të kryer vrasje”, mes të cilave atë të Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut të ndjerë të Elbasanit, Qazim Sejdini. Ngjarjet kishin ndodhur më 2011, 2013 dhe 2020 në Elbasan, Kavajë dhe Vorë.

Treshja u gjykuan me procedurë të shkurtuar dhe do të përfitojnë zbritjen me 1/3 e dënimit. Vendimi u dha nga gjyqtari Ardit Mustafaj, i cili miratoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, teksa u dënuan përkatësisht: Elvis Koçi, me 7 vite burg, për “Sigurim i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Sokol Sanxhaktari, në periudhën 25-30 korrik 2020, në qytetin e Elbasanit, e kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Ilirian Feçi, me 10 vite burg, për “Vjedhje me dhunë”, në dëm të shtetasit Skënder Roshi, e kryer në Kavajë në datën 28.04.2011 kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. Agim Gjini, me 10 vite burg, për “Vjedhje me dhunë” në dëm të shtetasit Astrit Ademi, e kryer në datën 31 maj 2013, në fshatin Marikaj, Bashkia Vorë, në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Më 4 tetor 2022, SPAK njoftoi se zbuloi përfshirjen e Ilirian Feçit edhe në një tjetër ngjarje që hetohet më vete, në grupin që do vriste Aleksandër Lahon në Shijak, i njohur edhe si “Rrumi”, me motive hakmarrjeje dhe luftë mes bandash kriminale, si kundërshtar i Kasandër Nogës. Shumat që paguheshin shkonin deri në 150 mijë euro. Pretenca u dha më 5 nëntor. Për pjesën tjetër të grupit, vijon gjykimi i zakonshëm për shkak se akuzohen për vepra më të rënda penale. Pjesë e këtij grupi janë Nuredin Dumani, Henrik Hoxha, Skerdi Tase, Enver Diva, Besjan Xhixha etj..

Dy viktima dhe 68 të plagosur, kush është mjeku saudit që kreu sulmin në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg?! 50-vjeçari e kishte marrë BMW-në me qira

0

Reagime të tronditura pas sulmit të së premtes në Magdeburg, Gjermani, ku humbën jetën dy vetë dhe u plagosën 68 të tjerë. Një i dyshuar është arrestuar. Hetimet vazhdojnë.

Sulmi i së premtes vonë në Magedburg (20.12.) ka tronditur Gjermaninë dhe ka shkaktuar reagime të mëdha. Kancelari,  Olaf Scholz  pritet të vizitojë të shtunën vendin e ngjarjes. Scholz shkroi në X: “Mendimet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre. Ne qëndrojmë krah tyre dhe pranë njerëzve në Magdeburg”. Kancelari gjerman shprehu falënderimin e tij për “forcat e përkushtuara të shpëtimit në këto orë ankthi”.

Edhe Presidenti i Gjermanisë,  Frank-Walter Steinmeier u shpreh i prekur thellë lidhur me mësymjen e një automjeti në tregun e Krishtlindjes në Magdeburg, që mendohet se mund të jetë një sulm. “Gëzimi për festën e Krishtlindjes u pre”, shkroi presidenti në platformën X. “Me mendje jam pranë viktimave dhe të afërmve të tyre. Falenderoj të gjitha forcat e shpëtimit për angazhimin e tyre.” Steinmeier tërhoqi vëmendjen, se ende “nuk është zbardhur i gjithë sfondi i këtij akti të tmerrshëm.”

Reagime vijnë edhe nga Europa.  Presidenti francez, Emmanuel Macron u shpreh në platformën X mjaft i tronditur, dhe shkroi se Franca ndan trishtimin me popullin gjerman. Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen dënoi aktin “brutal dhe frikacak” dhe theksoi se “ky akt dhune duhet të hetohet dhe të dënohet ashpër.” Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s,  Mark Rutte tha gjithashtu se ai kishte kontaktuar kancelarin Scholz dhe i kishte shprehur ngushëllimet e tij.

Kryeministri i landit të Sakoni-Anhalt, Reiner Haseloff (CDU) bëri fjalë për një tragjedi dhe katastrofë të tmerrshme për qytetin e Magdeburgut dhe Gjermaninë. Ai shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, uroi shërim të shpejtë dhe falënderoi shërbimet e emergjencës për punën e tyre. Edhe politikanë të tjerë gjermanë reaguan të tronditur pas sulmit në Magdeburg dhe shprehën ngushëllimet e tyre. Ndër të tjera, kandidati për kancelar i Unionit Friedrich Merz, kandidati i Gjelbër për kancelar Robert Habeck, dhe kandidatja e AfD Alice Weidel, si edhe kandidati kryesor i FDP për kancelar, Christian Lindner.

Nga ana e saj, Arabia Saudite dënoi aktin në Magdeburg dhe shprehu solidaritetin e saj me Gjermaninë. Qeveria në Riad shpreh “solidaritetin e saj me popullin gjerman dhe familjet e viktimave” dhe thekson “refuzimin e dhunës”, deklaroi Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite në shërbimin online X.

Çfarë ndodhi?

Një makinë u përplas në një turmë në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg të premten, e sipas informacioneve në një raport të brendshëm nga policia e Magdeburgut thuhet se kjo ndodhi pak pas orës 19:00. Kryeministri i landit Saksoni-Anhalt, Reiner Haseloff (CDU) tha për median gjermane, se dy persona u vranë. Bëhet e ditur, se rreth 68 persona u plagosën. Sipas administratës së qytetit të Magdeburgut, 15 prej tyre u plagosën rëndë. Një i dyshuar është arrestuar. Shoferi i një BMW-je të zezë të marrë me qira u fut në turmë “të paktën 400 metra mbi tregun e Krishtlindjeve”. Tregu i Krishtlindjeve u mbyll.

Kush është i dyshuari?

I dyshuari i arrestuar mësohet se është një mjek 50-vjeçar, Taleb A., i cili vjen nga Arabia Saudite dhe ka ardhur në Gjermani në vitin 2006. Sipas hulumtimeve të WDR dhe NDR, ai thuhet se është një figurë shumë e spikatur në komunitetin e migrantëve sauditë dhe konsiderohej person kontaktues për azilkërkuesit, veçanërisht gratë. Ai ka statusin e azilit si refugjat politik që nga viti 2016. Nuk ka informacione për motivin. Kryeministri i landit, Haseloff tha se hetimet janë në vazhdim.

Sipas informacioneve nga qarqet e sigurisë, të cilave u referohet agjencia e lajmeve dpa, i dyshuari i arrestuar nuk ishte i njohur më parë për autoritetet gjermane si ekstremist. Deklaratat e deritanishme që burri mësohet se ka bërë deri para pak kohësh në rrjetet sociale japin dëshmi se ai mund të jetë ndjerë i përndjekur. Sipas hulumtimit të WDR, ai ishte jashtëzakonisht kritik ndaj islamit në internet dhe se i frikësohej islamizimit të Gjermanisë. Në platformën X ai shprehte urrejtje të hapur për islamin dhe e quante veten “kritikun më agresiv të islamit në histori”/DW