Home Blog Page 7119

Shpërthim në një lokal në Shën Petersburg, vritet komandanti ushtarak rus, 15 persona të plagosur

0

Një shpërthim në një kafene në Shën Petersburg ka vrarë një komandant ushtarak rus, Vladlen Tatarsky, i cili raportoi nga vija e frontit të Ukrainës, raportojnë mediat ruse.

Nga shpërthimi kanë mbetur edhe 15 persona të tjerë.

vijon

“Babai im, drejtor i parë i Radio-Tiranës, u dënua në ‘Gjyqin Special’ dhe pas dhjetë vitesh në Burrel, e liruan se ishte sëmurë rëndë dhe vdiq…”/ Dëshmia e redaktorit të njohur

0

Nga KLITON NESTURI

Me hapin e tij të qetë, ai hyn në barin pranë shtëpisë dhe vjen drejt tavolinës së tij preferuar. Si gjithmonë, Loredan Bubani është i përpiktë si “një gjerman”. Me vështrimin e tij të thellë dhe buzëqeshjen e ngrohtë, ai vjen drejt meje, e si takohemi përzemërsisht, ulemi pranë njëri-tjetrit. Porosisim nga një kafe dhe fërnet “Branca” dhe nisim bisedën, e cila, ndryshe nga herët e tjera, do të jetë një intervistë.

Cili është “trekëndëshi (i Bermudës)” i jetës së Loredan Bubanit?

Bubanit? (Buzëqesh) E bukur kjo pyetje!… Për mua, “trekëndëshi” brenda së cilës është pështjellë jeta ime, ka qenë dashuria për familjen, miqtë dhe punën time. Jeta ime ka qenë e lidhur pazgjidhshmërisht me këta tre elementë thelbësorë.

Ju jeni djali i Gjergj Bubanit, një prej publicistëve më të spikatur të gjysmës së parë të shekullit XX, drejtori i parë i Radio Tiranës, përkthyes dhe poet. Sa e lehtë apo sa e vështirë ka qenë për ju të rriteshit nën peshën e emrit të babait tuaj?

Gjithmonë për mua ka qenë fat të jem djali i Gjergj Bubanit. Mjafton të përmendësh dhe të sjellësh ndër mend jetën e tij, që i përmendët edhe ju, dhe ndihem krenar për trashëgiminë e madhe të emrit dhe të vlerave njerëzore që la pas im atë. Unë kam qenë i vogël, katërmbëdhjetë vjeç, kur ai u nda nga jeta, dhe nuk dija shumë për aktivitetin e tij, por vazhdimisht ndieja respektin dhe adhurimin për të, të njerëzve që e kishin njohur afër.

Dhe i dënuar padrejtësisht, me gjyqet e kohës ndaj intelektualëve?

Ai ishte një njeri i papërkulshëm dhe kjo e bëri që të mos thyhej edhe kur e dëgjuan në ‘Gjyqin Special’ të vitit 1945, edhe kur e dënuan me burg. I sëmurë, në gjendje të rëndë shëndetësore, e nxorën, pasi kishte bërë gati dhjetë vite dënim, duke e lënë në mëshirë të fatit, ashtu siç ndodhi edhe me shumë bashkëkohës të tij. Deri kur më 1954-ën, ndërroi jetë në moshë shumë të re, 55 vjeç.

Një emër me peshë të rëndë i Gjergj Bubani, si keni mundur ta përballoni?

Unë e kam ndjerë peshën e emrit të tij edhe kur më është dashur të përballoja mjaft sakrifica në jetë, siç kanë qenë ato të shkollimit, diplomimit apo kur fillova punën si mësues në Rrëshen, e më pas si redaktor. Për këtë kam luftuar që të jem më i miri në punën time. Nuk ishte e lehtë të kishe mbi vete hijen e dyshimit dhe të persekutimit të heshtur, që të ndiqte nga pas.

Çfarë keni marrë më shumë nga cilësitë e babait tuaj?

Mendoj se unë kam marrë rigorozitetin në punë, dashurinë për familjen dhe dashurinë për gjuhën shqipe. Ndërsa im vëlla, Dionisi, mori talentin e shkrimit dhe atë të përkthimeve.

Ati juaj, Gjergj Bubani, kishte një aktivitet të pasur si publicist, poet dhe përkthyes, por deri në vitin 1990, të pabotuar në një vepër. Si ndodhi realizimi i veprës së tij në vitin 2007?

Gjithmonë më ka brejtur kureshtja e punës dhe kontributit real të babait tim. Vazhdimisht, ai ishte rritur tek unë në trajtën e legjendës, prej rrëfimeve të të tjerëve. Duke qenë edhe në sferën e botimeve, më shtynte kureshtja për gjetjen e korpusit dhe botimin e veprës së tim eti. Për këtë shpesh, debatonim me tim vëlla, Dionisin; ai nisur edhe nga natyra, mendonte se disa shkrime nëpër gazeta, do të hidhnin dritë mbi kontributin e babait tonë, ndërsa unë, këmbëngulja vazhdimisht për botimin e veprës sa më të plotë. Vetëm kështu do ta njihnim ne bijtë e tij, por edhe shqiptarët. Ishte një borxh që duhet ta përmbushnim edhe për hir të atyre që jetojnë sot, por edhe atyre që do të vijnë më pas.

Sa i vështirë ka qenë realizimi i veprës së tij?

Ka qenë një punë e madhe që u bë për të gjetur, mbledhur gjithçka që ai kishte botuar, shkruar. Fillimisht, unë, së bashku me time shoqe, Nerminin, kemi kërkuar në Arkivin Nacional Rumun, falë edhe ndihmës së një kushërirës sonë që jetonte në Bukuresht. Më besoni, nga dokumentet që kam gjetur aty, jam befasuar nga i gjithë aktiviteti i Gjergj Bubanit, por edhe i mërgatës shqiptare në Rumani, kryesisht në Konstancë dhe Bukuresht. Botime pa fund, aktivitete pa fund. Një pasuri e jashtëzakonshme.

Por edhe në Shqipëri, në shtypin e kohës kishte mjaft botime të tij?

Më pas, në Tiranë ishte një angazhim shumë i madh në lidhje me arkivat. Për këtë, i jam falënderues mikut tim, Halim Maloku, i cili ka qëmtuar me kujdes çdo dokument dhe botim. Ai vinte nga Durrësi dhe ulej me orë të tëra në Arkivin e Shtetit, duke mundur të nxjerrë prej andej mjaft shkrime dhe botime të vyera. Po ashtu, u jam mirënjohës miqve të mi, Ndue Zef Toma dhe Mexhit Prençi. Pas evidentimit të korpusit, realizuam botimin bashkë me botuesin Luan Pengili, të cilit i jam mirënjohës për realizimin dinjitoz të veprës së Gjergj Bubanit. Sinqerisht, jam i qetë që tashmë shqiptarët, mund ta njohin Gjergj Bubanin, nëpërmjet veprës së shkruar që ka lënë, publicistikë, poezi dhe përkthime.

Kush ka qenë njeriu që ju ka qëndruar më afër në të gjithë këtë angazhim?

Ka pasur shumë njerëz që më kanë qëndruar pranë në këtë angazhim, por njeriu kryesor që më ka qëndruar pranë në jetën time ka qenë Nermini, dashuria e jetës sime dhe bashkëshortja ime. Me të jemi dashuruar qysh të rinj dhe që prej momentit të parë nuk jemi shkëputur prej njëri-tjetrit. Kemi kaluar shumë ngjarje bashkë, mjaft vështirësi, krijuam një familje të bukur edhe me dy fëmijët tanë, Elën dhe Gjergjin. Kudo kemi qenë bashkë me Nermimin.

Ajo vinte nga familja dibrane e Jegenëve, një familje e mrekullueshme dhe me tradita, ndërsa unë nga një familje në një farë mënyre e goditur nga sistemi. Nuk ka qenë e lehtë të përballonim vështirësitë dhe sfidat e kohës. Nerminit, i është dashur që krahas punës, të kujdesej më shumë për familjen dhe njëkohësisht të jetonte edhe me problemet e punës sime. I falem Nerminit, për gjithë përkushtimin dhe dashurinë që më ka dhuruar. Nuk e di se si do të ishte jeta ime pa të, por natyrisht jo kaq e bukur.

Përmendët pak më parë Bukureshtin. Ju keni lindur në Bukuresht dhe keni ardhur shumë i vogël në Shqipëri. Si e përjetuat rikthimin në qytetin tuaj të lindjes kur shkuat për herë të parë?

Po, unë kam lindur në Bukuresht në vitin 1939 dhe kam ardhur tre muajsh në Shqipëri. Babai im në atë kohë, ishte drejtori i Radio Tiranës dhe ne u shpërngulëm këtu. Lufta e Dytë Botërore dhe angazhimet e babait, bënë që ne të mbeteshim këtu. Ndërkohë, deri në fund të jetës së tij, babai mbajti korrespondencë me kushërinjtë tanë në Bukuresht. Për mua Bukureshti, ishte një legjendë, deri në çastin që e shkela pas shumë vitesh, kur ra sistemi komunist. Ishte një emocion i pa përshkruar, kur ecja nëpër rrugët e tij. Aty vizitova edhe shtëpinë tonë, të Bubanëve, e cila ndodhet në qendër të Bukureshtit dhe gjithçka që lidhej me historinë e tim eti dhe të familjes sime. Për mua ai qytet u bë dhe do të mbetet i dashur dhe sa herë që e kam vizituar më pas jam ndjerë i lumtur dhe si në shtëpinë time. Në Bukuresht, kam edhe varrin e motrës sime, më të madhe se unë, të cilën nuk e njoha kurrë, pasi kur linda unë ajo nuk ishte më.

Në rininë tuaj, ju keni qenë edhe folës në Radio Tirana. Përse nuk vazhduat të jetonit m mikrofonin e Radios?

E vërtetë. Në vitin 1969, në Televizionin Eksperimental, tek ish-Radio Tirana, u hap një konkurs për folës programesh. Unë shkova dhe fitova. Jepja emisionin e lajmeve. Asokohe kemi bërë edhe emisione me Vitori Xhaçkën, një nga folëset e para në historinë e Radio Tiranës dhe mikeshë e familjes sonë. Ajo më ndihmoi që ta njihja mikrofonin dhe ta zotëroja plotësisht atë. Kujtoj dhe mikun, Beqir Dërhemi, një ndër kameramanët e parë në atë televizion. Punuam disa kohë, por më pas ndodhi që unë u largova prej Radios.

Ju keni një jetë të tërë pranë botimeve, fillimisht pranë Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor, dhe qysh prej vitit 1997 pranë shtëpisë botuese “Omsca-1”. Çfarë ju ka shtyrë të hyni fillimisht në këtë sferë dhe të mbeteni aty përgjithmonë?

Dashuria për gjuhën dhe letërsinë si edhe prirja drejt librit, më ka shtyrë në këtë “sferë”, siç e quani ju. Unë fillimisht kam punuar mësues, pas studimeve, por pastaj me angazhimin tim pranë gazetave dhe revistave, për problemet e gjuhës, më emëruan në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, në të cilën përgatiteshin tekstet për të gjitha nivelet e shkollave të Shqipërisë, që nga “Abetarja” e deri tek arsimi i lartë. Kemi përballuar një punë të madhe, të jashtëzakonshme dhe ndihem i lumtur që, kudo ku më është kërkuar, kam dhënë kontributin tim.

Cili ka qenë teksti që ju ka lënë më shumë mbresa gjatë periudhës në “Librin Shkollor”?

Nuk mund t’i ndash. Secili prej teksteve ka bukurinë dhe vështirësinë e vet. Por unë do të veçoja pjesëmarrjen time në grupin e punës që u krijua për hartimin e “Abetares” nën drejtimin e Profesor Kol Xhumarit, me të cilën mësuan mjaft breza në Shqipëri. Edhe sot, nga pikëpamja shkencore dhe metodologjike, kjo “Abetare” qëndron shumë lart.

Çfarë mendoni për “altertekstin” në botimet shkollore?

Nuk jam partizan i “altertekstit”. Mendoj se botimet shkollore duhet të jenë unifikuara dhe të disiplinuara, duke nisur qysh prej “Abetares”. Në rast të kundërt, fëmijët nuk do të dinë se çfarë të mësojnë dhe se si ta mësojnë dhe ne do të edukojmë një brez pa bosht të qartë. Edukimi dhe shkolla, nuk janë biznes.

Ju njiheni si një redaktor i rreptë, i patolerueshëm ndaj gjuhës shqipe dhe vlerave artistike. Si ka qenë për ju përballja me ambiciet dhe egoizmin e shkrimtarëve që kanë kaluar veprat e tyre “nën duart tuaja”?

Në vitin 1997, botuesi Luan Pengili, i cili sapo kishte hapur Shtëpinw Botuese “Omsca”-n, erdhi tek unë në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, dhe më kërkoi që të punoja për Shtëpinë e tij Botuese. Biseduam gjatë dhe qysh në fillim vendosëm një marrëdhënie mirëbesimi. Te Luan Pengili, më pëlqeu vendosmëria e tij për punën dhe hapësira që ai krijoi, jo vetëm mua në punën time, por edhe me të gjithë stafin që punonte. Kështu që duke u ndjerë zot në punën time, u ndjeva sa i lirë, aq edhe i përgjegjshëm si gjithmonë.

Nga eksperienca juaj, si e mendoni se duhet të jetë marrëdhënia botues-shkrimtar-redaktor?

Meqenëse marrëdhënia mes botuesit dhe shkrimtarit është marrëdhënie mirëbesimi, edhe marrëdhënia e shkrimtarit me redaktorin, është dhe duhet të mbetet marrëdhënie mirëbesimi. Kështu kanë qenë edhe marrëdhëniet që kemi ndërtuar me autorët e ndryshëm që kanë botuar tek “Omsca-1”, apo edhe me autorë të tjerë që kam bashkëpunuar. Të gjithë duhet ta kuptojnë se, redaktori i librit, nuk është xhelati i shkrimtarit, por gardiani i mbrojtjes së gjuhës dhe vlerave artistike, është syri i ftohtë, pa të cilin nuk mund të kalojë një vepër artistike.

Çfarë mendoni lidhur me përkthimet?

Po kështu ka ndeshur edhe me përkthyesit. Krahas botimit të letërsisë shqipe, përkthimet e huaja, zunë një vend të madh në punën e botuesve shqiptarë, aq sa sot zënë një vend të rëndësishëm në tregun e librit. Kam pasur fatin të redaktoj mjaft vepra të përkthyera në shqip dhe sfida ka qenë që vepra të tingëllojë bukur shqip, duke ruajtur origjinalitetin dhe stilin e autorit. Kam pasur fatin që kam punuar me përkthyes të mirë. Kjo ka ardhur edhe nga selektimet që kemi bërë me botuesin. Përkthimet e dobëta nuk i kemi pranuar.

Në sa vepra të botuara keni vënë firmën tuaj si redaktor?

Nuk i kam numëruar. Me siguri janë shumë, ndoshta me tre shifra…

Meqë jemi te mbrojtja e gjuhës, cili është mendimi juaj për standardin gjuhësor të vendosur në Kongresin e Drejtshkrimit në vitin 1972?

Absolutisht për mua është arritja më e madhe në gjuhën shqipe. Asnjëherë nuk duhet harruar fakti se, është gjuha ajo që bashkon kombin. Të gjitha kombet e civilizuara kanë vendosur një standard gjuhësor dhe unë jam i lumtur që edhe ne e kemi. Përfytyroni se si do të ishim sot, nëse nuk do të kishim vendosur standardin; do shkruanim dhe do flisnim ndërmjet nesh dhe nuk do kuptoheshim. As letërsia nuk do ishte kjo që është sot. A janë bërë gabime? Edhe janë bërë. E rëndësishme është që gjuha është gjithmonë në proces zhvillimi. U takon gjuhëtarëve që të evidentojnë dhe shkrimtarëve që ta pasurojnë atë, edhe me trajta dialektore. Në fund, është koha ajo që përzgjedh.

Ndryshe nga vëllai juaj, shkrimtari dhe përkthyesi i njohur, Dionis Bubani, ju nuk jeni përkushtuar shumë në botimet artistike. Megjithatë, ju keni shkruar dhe botuar “Poku çamarrokun”, një libër për fëmijë dhe që mbetet i dashur për çdokënd që e ka lexuar. Pse nuk jeni marrë më shumë me botime?

Letërsia gjithmonë ka fjetur brenda meje. Letërsia për mua është dashuri. Por puna ime si redaktor, nuk më ka lënë shumë hapësira për të shkruar. Megjithatë, jam i lumtur që kam realizuar një personazh si “Poku çamarroku”, i cili mendoj se do të mbetet në letërsinë shqipe për fëmijë. Mendoj se nuk është e rëndësishme se sa boton, por se çfarë lë pas. Sikur edhe një personazh të skalitësh në universin e letërsisë, ke bërë atë që duhet.

Ju keni zhvilluar një jetë shumë të pasur dhe plot gjurmë. A keni ndonjë peng?

(Buzëqesh) Ndonjë peng të vogël edhe mund ta kem, por e rëndësishme është që, unë ndihem i plotë dhe i përmbushur me gjithçka që realizova në jetë, si me familjen time, ashtu edhe me miqtë dhe kontributin që kam dhënë për shoqërinë. Fëmijëve të mi, u lë emrin tim të mirë dhe kujtimet që jetojnë te çdokush që kam njohur. Memorie.al

Gjobë deri në 100,000 euro, qeveria italiane do të penalizojë përdorimin e fjalëve angleze

0

Italianët që përdorin anglisht dhe fjalë të tjera të huaja në komunikimet zyrtare mund të përballen me gjoba deri në 100,000 euro (108,705 dollarë) sipas legjislacionit të ri të prezantuar nga partia e kryeministres Giorgia Meloni.

Fabio Rampelli, anëtar i dhomës së ulët të deputetëve, prezantoi legjislacionin, i cili mbështetet nga kryeministrja.

Ndërsa legjislacioni përfshin të gjitha gjuhët e huaja, veçanërisht i orientuar si “Anglomania” ose përdorimin e fjalëve angleze, për të cilat drafti thotë se “e poshtëron dhe vdes” gjuhën italiane, duke shtuar se është edhe më keq, sepse Mbretëria e Bashkuar nuk është më pjesë e BE

Projektligji, i cili ende nuk ka dalë për debat parlamentar, kërkon që kushdo që mban një detyrë në administratën publike të ketë “njohuri me shkrim dhe gojore dhe zotërim të gjuhës italiane”. Ai gjithashtu ndalon përdorimin e gjuhës angleze në dokumentacionin zyrtar, duke përfshirë “akronimet dhe emrat” e roleve të punës në kompanitë që operojnë në vend.

Subjektet e huaja do të duhet të kenë botime në gjuhën italiane të të gjitha rregulloreve të brendshme dhe kontratave të punës, sipas një drafti të legjislacionit sipas CNN.

“Nuk është vetëm një çështje e modës, pasi moda kalon, por Anglomania ka pasoja për shoqërinë në tërësi”, thuhet në projektligj.

Neni i parë i legjislacionit garanton që edhe në zyrat që merren me të huajt që nuk flasin italisht, gjuha kryesore e përdorur duhet të jetë italishtja.

Neni 2 do ta bënte italishten të detyrueshëm për promovimin dhe përdorimin e mallrave dhe shërbimeve publike në territorin kombëtar. Nëse nuk e bëni këtë, mund të merrni gjoba midis 5,000 € (5,435 dollarë) dhe 100,000 € (108,705 dollarë).

Mos thuaj “bru-shetta” në vend të “bru-sketta”

Sipas ligjit të propozuar, Ministria e Kulturës do të krijojë një komitet, detyra e të cilit do të përfshijë “përdorimin korrekt të gjuhës italiane dhe shqiptimin e saj” në shkolla, media, tregti dhe reklama.

Kjo do të thotë se të thuash “bru-shetta” në vend të “bru-sketta” mund të jetë një vepër e dënueshme.

Lëvizja për të mbrojtur gjuhën italiane i bashkohet një përpjekjeje ekzistuese të qeverisë për të mbrojtur kuzhinën e vendit.

Ajo ka futur legjislacionin për ndalimin e të ashtuquajturës kuzhinë sintetike ose me bazë qelizore për shkak të mungesës së studimeve shkencore mbi efektet e ushqimit sintetik, si dhe “për të mbrojtur trashëgiminë e kombit tonë dhe bujqësinë tonë bazuar në dietën mesdhetare”, tha ministri Orazio Schillaci në një konferencë për shtyp.

“Rrobat lërini te dera’/ Darka ‘private’ ku gratë paguajnë për të ngrënë NUDO

0

E keni menduar se një ditë mund të darkonit me shumë njerëz, teksa ishit plotësisht të zhveshur

Kjo gjë është e mundur, dhe eventi quhet “Darka Fude”.

Kjo darkë  e pazakontë organizohet në qytetin e Nju Jorkut, në lagjen Lower East Side nga artistja dhe modelja Charlie Ann Max, ku pjesmarrësit duhet të paguajnë 88 dollarë, për të darkuar…lakuriq.

Max filloi të eksperimentonte me ngjarje lakuriq në vitin 2020. Darkat fillimisht ishin vetëm me ftesë, por ajo e ndau me njerëzit edhe në Instagrami. Çdo darkë që ajo shtronte u shit shumë shpejt, pasi kishte shumë kërkesa.

Shorti i darkës së zhveshur është i ndryshëm për njerëz të ndryshëm, tha Max. Disa duan të ndihen më të lidhur me trupin e tyre, ndërsa të tjerë duan të bëjnë miq të rinj, shkruan ‘NYT‘.

Në darkën në fillim të marsit, të ftuarit u zhveshën sapo erdhën. Nuk kishte dhomë të zhveshjes, vetëm një raft rrobash dhe varëse rrobash në njërën anë. Salla kryesore e ngrënies ishte e ndriçuar ngrohtësisht dhe e veshur me çarçafë kremi dhe mëndafshi në ngjyrë shampanje. Max tha se ajo i bën ngjarjet e saj të duken si piktura të Rilindjes sepse “ndihet shumë romantike”.

Secili prej të pranishmëve (mosha që varionte nga fillimi i viteve 20 deri në fund të viteve 50) e kishte trajtuar ndryshe sfidën e veshjes për një event lakuriq. Pas zhveshjes, të ftuarit qëndruan në grupe të ndryshme, duke u prezantuar dhe duke biseduar me mirësjellje. Pothuajse të gjithë erdhën vetëm, gjë që Maks tha se ishte tipike.

Ngjarjet Fude nuk janë ekskluzivisht për gratë. Të gjithë të ftuarit e mundshëm duhet të plotësojnë një formular që shpjegon pse janë të interesuar. Formulari gjithashtu pyet për çdo kufizim dietik dhe nëse një aplikant ka qenë i përfshirë në “ndonjë incident që mund të konsiderohet i papërshtatshëm ose mosrespektues gjatë një ngjarjeje nudo ose gjysmë nudo”.

Historia e mësueses nga Klosi që u bë një poete e suksesshme. Ra nga ura 8 metra e lartë…

0

Në nëntor të vitit 1992 Emrie Krosi sapo kishte filluar punë si mësuese. Me ëndrrat e një vajze të re nisej çdo ditë për në punë, edhe pse rruga për atje ishte shume e gjatë. Për të arritur në shkollë çdo ditë Emria dhe koleget e saj duhet të kalonin përmes një ure shumë të lartë.

Emrie tregon se atë ditë kishte një parandjenjë jo të mirë. Kolegia e saj atë ditë nuk pranoi të kalonte ndërsa mësuesja e re vendosi të kalonte. Emi rrëfen edhe momentin më të keq e tragjik në jetën e saj.

“Kam mbaruar shkollën në vitin ’90 dhe isha mësuese. Entuziazmi ishte i madh. Atëherë emëroheshe nga shteti. Nuk zgjati shumë. Mua më ndodhi një aksident, m’u deshën vite për t’u rikuperuar. Isha mësuese dhe duhet të kaloja një tip ure pasarele. Aty ndodhi që rashë, jo në ujë por në gurë. Rreth 8 metra”, thotë ajo.

Nga ajo kohë mban mend shumë pak gjëra i është mirënjohëse njerëzve që e ndihmuan në atë kohë.

“Është një zonë e vogël dhe njihesh. Unë di vetëm njerëzit që më ndihmuan sepse nuk kishte rrugë dhe njerëzit transportoheshin me barela. E kam parë veten në spital“, shton ajo.

Koha në spital ishte shumë e gjatë dhe e vështirë. Por Emrie tregon se mbështetjen më të madhe e gjeti te librat.

“Ajo ishte një kohë që zgjati sepse kam bërë ndërhyrje. Rikuperimi ishte i avashtë. Pastaj vonë, derisa e mora veten konkurrova edhe në 2000 vazhdova studimet për letërsi. Kam botuar edhe një libër me poezi. Aty ishte çdo gjë. Mbështetja ime ishte te librat. Aksidenti ndodhi në një kohë të vështirë. Nuk kishte psikolog, shumë gjëra ishin tabu. E kalova traumën përmes librit.”, shton ajo.

Pas shërimit, Emrie iu rikthye sërish jetës aktive. Erdhi në Tiranë dhe përfundoi studimet e larta për gazetari.

“Pas mbarimit të studimeve kërkoja të punësohesha diku. Fillova punë si gazetare te Albania, pastaj e braktisa sepse iu fokusova praktikës. Unë e adhuroj gazetarinë”, thekson ajo.

Në jetën e saj ka botuar disa libra dhe është vlerësuar me disa çmime.

“Çmimi i parë që kam marrë në Durrës, kur ndodhi tërmeti mu thye. Kam marrë çmime të dyta dhe të treta. Më i rëndësishmi është ai që kam marrë vjet. Revista Kuvendi, në përvjetorin e Fishtës. Kam edhe libra të tjerë. Janë dy studimore dhe një roman. Kam edhe katër libra të tjerë që janë në proces. Krahas poezisë lëvroj dhe prozën.”

Emrie Krosi nga Klosi i Burrelit është mjaft e fortë, intelektuale e zonja por historia e saj është tregues i qartë i vajzës të cilën shpresa e madhe e ka bërë atë të rrallë./abcnews.al