Gazetari i Bild: Shqipëria, Kolumbia e Europës; zgjidheni vetë rolin e Ramës në këtë fotografi

0

Gazetari i Bild gjerman, Peter Tiede, i cili tronditi qeverinë shqiptare, ka folur për Politiko.al dhe ka sqaruar se pse i intereson Shqipëria dhe çështjet e saj. Tiede habitet me deklaratën e deputetes Gjylameti, dhe thotë se ‘ajo duhet të ketë pirë barin e gabuar shqiptar’. Gazetari nuk e kupton as se, si një deputete, që është zgjedhur për të kontrolluar qeverinë flet në emër të qeverisë.

Tiede ne nje interviste per Politiko.al ngulmon se Shqipëria është Kolumbia e Europës në punët e drogës dhe janë narkotrafikanët dhe paratë e tyre që kontrollojnë vendin. “Nuk kam thënë se Rama është gangster”, sqaron ai, por se, “vendi juaj është në duar gangsterësh”.

Loading...

Tiede, duke e lënë për në fund ‘helmin’, shton: “zgjidheni vetë ju rolin e Ramës në këtë fotografi”.

Z. Tiede, a mund të na tregoni se si iu lindi idea për të ardhur në Shqipëri dhe të shkruani një artikull?  

Për vite me radhë e kam parë Shqipërinë të bëhet metropoli i drogës në Europë. Se si varfëria i bën njerwzit kafshata të lehta për Mafian dhe politikanët e korruptuar. Nuk është hera e parë që kam qenë në Shqipëri. Kam qenë disa herë-përfshirë Maqedoninë, Kosovën. Serbinë dhe shtete të tjera ballkanike-dhe nuk ke se si i shpëton këtij problemi. Por, Shqipëria është, fatkeqësisht, Kolumbia e Europës në punët e drogës. Kështuqë, çfarë bën një gazetar kur sheh një gjë të tillë? Ai hulumton. Këtë bëra edhe unë.

Ju e ndoqët nga afër protestën e opozitës të shtunën. Cilat janë përshtypjet tuaja për situatën në Shqipëri?

Përshtypja ime: nuk është një situatë e lehtë-sigurisht që jo. Nuk ka një shpëtimtar të vetëm për ju. Vendi ka vuajtur nga korrupsioni, Mafia dhe varfëria, jo vetëm që pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës. Por, gjendja së fundmi është përkeqësuar dhe, si gazetar, mua më interesojnë arsyet. Kam qenë duke e vëzhguar gjendjen për vite me radhë…

Deputetja socialiste Blerina Gjylameti, duke folur në emër të qeverisë, iu akuzon se keni marrë para nga opozita shqiptare për atë artikull…

Lëre të të shkrijë në gojë-është një karamele helmuese: Një deputete e zgjedhur flet në emër të qeverisë. Me gjithë mend? Cila është puna e një parlamentari? Në një demokraci me ndarje të pushteteve: të miratojë ligje të cilat qeveria duhet t’i zbatojë-dhe të kontrollojë qeverinë. A nuk mundet qeveria juaj të flasë për veten? A nuk ka një zë të vetin? A ka nevojë qeveria juaj të marrë hua zërin e një deputeteje?

Dhe zonja flet në emër të qeverisë? Dhe, qartësisht, asaj i mungon fantazia për të imagjinuar një shtyp të lirë, gazetari të pavarur. Nuk e di nëse kwsaj zonje i duhet të paguajë për t’u pasqyruar në gazeta, por punëdhënësi im më paguan mua për gazetari të pavarur-askush tjetër. Akuzat e zonjës janë kaq absurde sa, mundem vetëm të hamendësoj se ajo ka pirë barin e gabuar shqiptar. Kjo është krejtësisht absurde dhe qesharake.

Një tjetër deputete e PS, Elona Gjebrea, tha në një emision televiziv se artikulli juaj është ‘fake’ (i rrejshëm) dhe qeveria do t’iu padiste për të. A keni frikë nga kjo?  

Sigurisht, që jo.

A mendoni se shkrimi juaj, ku e konsideroni Ramën dhe qeverinë e tij ‘gangsterë’ dëmton imazhin e Shqipërisë, e cila pret t’i hapen negociatat nga BE?  

Unë vetëm sa përshkruaj gjëra që zbuloj. Pra, kush po ndot çfarë dhe kë? Unë Shqipërinë-apo politika juaj dhe Mafia vendin tuaj? Mos mendoni se unë zgjohem në mëngjes në Gjermani dhe them me vete: epo, cilin vend do të luaj mendsh sot? Oh, jo? Vendi juaj është i mrekullueshëm, kam takuar njerëz të mrekullueshëm dhe të njerëzishëm dhe, gjithashtu shumë gazetarë të mirë të ndershëm dhe të kërcënuar-dhe kam parë shumë varfëri-dhe pasuri shumë të çuditshme. Dhe një mafia të drogës që kontrollon vendin me paratë e saj. Nuk e kam quajtur Ramën gangster. Kam shkruar se vendi juaj është në duart e gangsterëve. Tani zgjidheni vetë rolin e Ramës në këtë fotografi.

BE nuk ka nevojë për mua për të parë se çfarë po ndodh në Shqipëri. Dhe nuk janë artikujt e gazetarëve që ndikojnë shanset europiane të Shqipërisë, por kriteret e thjeshta. Kjo përfshin pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e medias, kornizën ligjore dhe ekonomike, një forcë policore funksionale… Dhe, druaj se, politika shqiptare ka një mal gjigand me punë para vetes.

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.