Nga Prishtina në Australi/Galipoli – disfata australiane dhe flijimi absurd i shqiptarëve

0

Nga Gani Mehmetaj

Australianët kanë marr pjesë në luftërat evropiane, në luftën e Vietnamit, Afganistanit dhe në luftërat e rajonit. Ishin të pranishëm kudo që e vlerësonin se duhej të shuanin vatrat e krizës. Gjatë Luftës së Dytë Botërore i sulmoi Japonia, por australianët u mbrojtën mirë. Dhanë shumë ushtarë jashtë kontinentit të tyre, sepse në Australi kurrë nuk pati luftë, kurrë nuk i pushtoi dikush, as ua dogji shtëpitë e pronat. Megjithatë janë vrarë 100. 000 ushtarë australianë jashtë Australisë. Kështu na tha ciceroni turistik derisa e vizitonim Memorialin Australian të Luftës, përballë Kuvendit të Australisë me një ale kilometrike që i lidhte këto dy objekte njërën me tjetrën dhe me projeksionin gjeometrik që të fascinonte.

Loading...

Australia gjeografikisht është shumë larg Evropës, por asnjëherë nuk u nda nga fati e ngatërresat evropiane. Përkujtimorja Australiane e Luftës është kushtimore që të mrekullon me përkushtimin e nderimet që ua kanë bërë të rënëve, por edhe historisë së shtetit e kombit përmes pamjeve nga lufta, dramave individuale, detajeve të jetës ushtarake në llogore, entuziazmit ushtarak e heroizmit në fushëbeteja. Derisa ciceroni, një australian shtatgjatë, biond , me flokë të thinjura e sy të kaltër, shpjegonte për historinë e luftërave australiane, kur u përqendrua në luftën tragjike të Galipolit se si me erdhi, shihja anash mos me kuptonin nga vija. Beteja e Galipolit rëndonte në ndërgjegjen tonë kombëtare. Ciceroni e përmendi Mel Gibsonin e filmin e tij të famshëm “Galipoli”. Ai fliste qetë, me një zë të njëtrajtshëm, rrëfente për 25 mijë ushtarë australianë që u vranë në një ishull të shkretë në Grykën e Dardaneleve. Pamjet të jepnin atmosferën e kohës, vitin 1915 me ushtarë në llogore, australianë e turq, me armë, me pamjen e fushëbetejës në një tokë të zhveshur, gurishte, ku ranë aq shumë ushtarë. Kur e përmendi Uinston Çerçilin e tha një batutë për mënyrën e bërjes së strategjisë që la shumë të vrarë. Në një film artistik për kryeministrin e famshëm thuhet se ai e vuajti dështimin e Galipolot tërë jetën, iu dha alkoolit nga mëngjesi në mbrëmje.

Në betejën e Galipolit (Çanakale) ushtria australiane ishte në kuadër të forcave të Mbretërisë së Bashkuar Britanike, ndërsa luftonte kundër Gjermanisë, Austro-Hungarisë e Turqisë. Turqia një vjet më vonë u dorëzua, anglezët u futën në Stamboll. Derisa fliste ciceroni australian, që më dukej sikur të kishte marr pjesë në atë luftë, grupi i turistëve dëgjonte me vëmendje, mua me mbërthente droja se ciceroni e vizitorët do të kuptonin që bashkëkombësit e mi fatkeq kishin marr pjesë në masakrimin e ushtarëve australianë në anën e turqve.

Ciceronit iu prezantova qe në fillim, sepse me pyeti nga isha, për Kosovën dinte, “kohëve të fundit nuk kam dëgjuar lajm për vendin tuaj, por edhe ky është lajm i mirë”, me tha, “dmth çdo gjë është mirë, kur s’ ka luftë”. Prandaj s ‘kishte si të më ngatërronte me shqiptarët e shkretë që morën pjesë në luftën e Galipolit, sepse australianët konsideronin se luftuan kundër turqve, aleatë të Austro-Hungarisë e Gjermanisë së Kajzerit.

Australianët pas luftës ua ndërtuan përkujtimoren ushtarëve të tyre në fushëbetejë-në Galipol. Ndërkaq, shqiptarëve nuk u ndërtoi përmendore askush, disa emërtime qytetesh me flamur turk mbi varre, ishin fyerje, sepse shqiptarët nuk ishin në anën e askujt, shqiptarët ishin mish për top, ushtarë të paemër, të pa komb, të pa fe e të pa atdhe. Turqia i sakrifikoi si qengjat. Por ciceroni i Përkujtimores Australiane nuk e lidhte Kosovën me ushtarët turq, sepse shqiptarët e angazhuar ishin ushtarë turq të rekrutuar me mashtrime e dhunë.

Lufta e Galipolit paraqitej në ngjyrime të një ngjarje historike, pa emocione, pa eufori: luftuan ushtarët australian në Galipol dhe u vranë. Një vjet më vonë Britania e mori Stambollin, ushtarë australianë u futën nëpër rrugicat e Konstantinopojës. Për këtë betejë i kisha shikuar dy filma “ Galipoli” me Mel Gibsonin dhe filmin “The Water Diviner” me Rasel Kroun ( Russell Crowe).

Muzeu në gjysmë errësirë me efekte të dritës e të hijeve shpalonte pamje të fushëbetejave australiane në Evropë, rekuizita, armë, uniforma, efekte vizuale, armatime të ndryshme, barka, anije të mëdha të luftës, aeroplanët e mëdhenj që morën pjesë në betejat ajrore etj. Gjysmë errësira ta jepte një pamje të veçantë, ndryshe sa ishe mësuar të shihje në muzetë e tjera. Ndërkaq, ndërtesa ishte e madhe, një kushtimore me shumë kate e salla, me gjetje arkitektonike që të mrekullonin.

Përkujtimorja Australiane e Luftës në Kanberra është përkujtim për të gjitha luftërat, për 100.000 ushtarë australianë të vrarë, për gatishmërinë e tyre që të flijohen për atdhe. “Deri vonë”, na tha ciceroni “ushtarët australianë janë varrosur në vendin ku ranë, por vjetëve të fundit u vendos që të vrarit të ktheheshin në atdhe”. Sa shumë histori e lavdi perandorake në një hapësirë, sa shumë respekt për të vrarit, sa shumë përkushtim që kjo gjë t’u paraqitet edhe vizitorëve ( parakalime ushtarake, kurora, mijëra lulëkuqe, që pëtrihen çdo ditë, rojat e nderit, flakadani që nuk shuhet kurrë, paradat e duhura dhe pritja që u bëhen atyre që duan ta shohin e ta njohin historinë australiane). Është një prezantim që të mallëngjen e të mrekullon njëkohësisht, është histori e shtetit që u krijua 20.000 kilometra larg shtetit amë, Britanisë së Madhe, por që e krijoi mëvetësinë e identitetin e Australisë qind për qind.

Ishte dhe është ushtri e fuqishme ushtria australiane, por nuk ka këtu mburrje, patetikë primitive ballkanike, ata ta rrëfejnë historinë por në një mënyrë të veçantë, përmes pamjeve nga ajo kohë, me dramat e tragjeditë njerëzore. Sikur të kishim gatishmëri mund të merrnim shembull nga Përkujtimorja Australiane e Luftës, ta bënim një muze për të gjitha luftërat e flijimet nga antika deri në ditët tona, sepse Dardania kishte historike tragjike e të lavdishme, ndërsa ne i kemi dromcuar shenjat e përkujtimoret në çdo lagje e katund, kemi kushtimore vetëm për luftën e fundit, sikur historia jonë të fillonte e të mbaronte vetëm me luftën e vitit 1998-99.

Për ironi derisa kthehesha nga Singapori ne Prishtinë, në aeroplan e pash një film dokumentar turk për betejën e Galipolit. Autorët turq askund nuk jepnin pamje që pos turqve kishte ushtri tjetër në barrikada kundër australianëve. Bënin mirë që nuk e thoshin, bënin edhe më mirë që filmi ishte vetëm në gjuhën turke, kështu që nuk do ta kuptonin të tjerët turpin e fatkeqësinë tonë që dhamë mijëra viktima për një luftë të huaj, dolëm në mbrojtje të ushtrisë armike. Kanberra, maj 2019

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.