Sot shpërndahet parlamenti i Kosovës, shkohet ne zgjedhje te parakohshme me…

0

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të marrin sot vendim për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë ende pa i skaduar mandati kushtetues, prej katër vjetësh. Propozimi i deputetëve për shpërndarjen e Kuvendit, pason dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës më 19 korrik, pasi që të njëjtën ditë kishte marrë ftesë nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, shpërndarja e Kuvendit në këtë rast, mund të realizohet më dy të tretat e votave të deputetëve (80 vota). Nëse deputetët do të votojnë dhe Kuvendi do të shpërndahet, pritet që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi më pas të caktojë edhe datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Loading...

Në nenin 66 të Kushtetutës thuhet se zgjedhjet e rregullta për Kuvend mbahen më së voni tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit, kurse në raste të shpërndarjes së Kuvendit, jo më vonë se dyzet e pesë (45) ditë pas shpërndarjes.

Që nga dorëheqja e Haradinajt, partitë politike kanë nisur një lloj fushate ende të pashpallur zgjedhore. Ndërkohë që janë arritur edhe koalicionet e para parazgjedhore, si dhe kanë nisur bisedimet ndërmjet partive politike për koalicione eventuale para apo pas zgjedhjeve.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë u mbajtën më 11 qershor, 2017. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i votuesve të regjistruar atë kohë ishte 1.888.059, kurse pjesëmarrja në zgjedhje ishte 43 për qind, apo 779,729 votues. Pas zgjedhjeve të vitit 2017, ishte konstituuar Kuvendi dhe më pas, më 9 shtator, ishte formuar edhe Qeveria e Kosovës, me Ramush Haradinajn kryeministër.

Përfundimi i mandatit të qeverive dhe legjislaturave të Kosovës para skadimit të mandatit kushtetues, katër vjeçar, tashmë është bërë “praktikë”, ngase që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, asnjë qeveri nuk arriti ta përmbyllë mandatin kushtetues, çka sjell si rezultat mbajtjen e vazhdueshme të zgjedhjeve të parakohshme.

Por, para se të marrin vendimin për vetëshkarkim, deputetët pritet të votojnë edhe vendimin e fundit gjatë këtij mandati të shkurtuar. Fillimisht, ata do të shqyrtojnë Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2018 (Instrumenti i Paraanëtarësimit) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Zgjedhjet e Parahohshme me 6 tetor

Kosovarët do t’u drejtohen kutive të votimit të dielën e parë të tetorit, në rast se deputetët votojnë të enjten pro shpërndarjes së Kuvendit.

Datën më të mundshme të zgjedhjeve të parakohshme presidenti Hashim Thaçi ia ka përmendur të mërkurën kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, në një takim që e ka pasur me të.

Një burim i Kohës Ditore ka thënë se, mbështetur në atë çfarë kreu i shtetit ka folur me Dakën, zgjedhjet do të shpallen menjëherë pas shpërndarjes së Kuvendit.

“Presidenti ka thënë se nëse shpërndahet Kuvendi nesër, ai menjëherë të premten ose më së largu të hënën do ta dekretojë datën e zgjedhjeve të parakohshme. Ai është përcaktuar që zgjedhjet të mbahen më 6 tetor”, ka thënë ky burim. “Dinamika e parashikuar mund të ndryshojë vetëm në rast se Kuvendi nuk shpërndahet sipas planifikimit që ka bërë”.

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.