Erdhi “Histori e Mendimit Shqiptar”, libri-vaksinë i Ndriçim Kullës kundër tallavasë së mendimit të disave

0

Nga Ilir Nikolla

Ndriçim Kulla i ka dhënë këto ditë lexuesit librin e jetës, fryt i një angazhimi 25 vjeçar, në lexime, hulumtime, punë studimore e në kërkim shkencor. “Histori e mendimit shqiptar” është një shkrim sintetik sa s’ka më, një përpjekje e Kullës për të përmbushur jo vetëm nevojën urgjente që ka lexuesi modern për të patur një tekst përmbledhës të historisë së mendimit shqiptar, por edhe për t’ju përgjigjur nevojave divulgative që ka një tekst që shkruhet për së pari, nëse marrim parasysh veç traditën e shkrimit të historive në periudhën pas daljes nga kufijtë e totalitarizmit doktrinar. Studiuesi Kulla e tregon vetë në shënimin filologjik që shoqëron librin se si arriti deri tek pjekja e mendimit se i takonte atij barra për ta shkruar këtë tekst. Ai i është qasur kësaj dege të ndërlikuar, njëherë si mbledhës, studiues e botues i publicistikës (dhe mendimit) të viteve ’30, dhe më pas, e ka vijuar misionin, duke publikuar Antologjinë e Mendimit Shqiptar, një produkt që ishte i kushtëzuar nga emergjenca që përjetohej në këtë fushë, për shkak se asnjë përmbledhje e tillë s’ishte hartuar, duke e lënë lexuesin të thahej në detin e publikimeve politike, ku mendimtarët marksistë-leninistë shkartiseshin me disa mendimtarë “përparimtarë” të dekadave pak më herët dhe më pas publikimi spërkatej në fund me disa mendimtarë të Rilindjes, për të cilët më shumë flitej për të metat e mendimit të tyre, sesa për vetë mendimin e Rilindjes Kombëtare.
Antologjia erdhi njëkohësisht edhe me publikimin e disa përmbledhjeve të veçanta për mendimin e Lumo Skëndos, At Anton Harapit, Vangjel Koçës, Branko Merxhanit, At Zef Valentinit e ndonjë tjetri, ku Ndriçim Kulla kishte herë rolin e redaktorit të botimit e herë atë të përgatitësit të përmbledhjes, por në 100 % të rasteve, ai ishte në rolin e mecenit, i etur për të përmbushur boshllëkun që jo veç ai, por të gjithë intelektualët e rritur në diktaturë, e trashëgonin prej dekadash e nëse dikush s’do të ndërmerrte një sipërmarrje titanike, ky boshllëk do na shndërrohej në një mutacion gjenetik, pasi e dimë se shteti asnjëherë s’e luajti rolin që i takonte në këtë fushë.
Pas mbylljes edhe të këtij cikli, një heshtje shtetërore mbizotëroi për vite në fushën e botimeve për mendimin shqiptar. Institucionet, si gjithmonë, nuk ishin në lartësinë e detyrës, dhe fati e desh që Ndriçim Kulla të mos i trembej sfidës dhe pas një pune të mundimshme dhe mjaft më të ndryshme sesa puna e dekadës së parë, ku mbledhësi dhe meceni mbizotëronin, na jep një tekst përmbledhës, i cili na rrëfen për Historinë e Mendimit Shqiptar, si lindi ai në terrenin pjellor të ideve, kulturës e lëvizjes që ofronte Mesdheu, si u bashkua, u nda, u tret e u ri-precipitua në tallazet e Perandorive që kalon nëpër Shqipëri, për të mbërritur deri tek periudhat më të njohura, kur historia e mendimit shqiptar u bë në njëfarë mënyre edhe historia e kombit shqiptar. Në të gjithë historinë e Kullës spikat ndërveprimi, roli përcaktues që ka luajtur gjeogafia në mendimin shqiptar. Unë që i kam ndjekur shkrimet e Kullës prej dekadash mund të them se libri “Histori e Mendimit Shqiptar” përbën njëfarë thyerjeje në kredon e punës së autorit. Deri vonë ai mendonte se shqiptarët kishin qenë shumë të vonuar në zhvillimin e tyre dhe në njëfarë mënyre ndante idenë e një tjetër historiani të shkëlqyer të mendimit dhe Historisë së Shqipërisë, Stavro Skëndit, të cilin Kulla e solli së pari për publikun shqiptar përmes botimit të “Zgjimi i vonuar i shqiptarëve”, por në prurjen globale të fundit, analiza e tij ka shqyrtuar fakte të reja, në epoka kohore të cilat padrejtësisht nuk janë shumë të ndriçuara nga historiografia jonë. Përqendrimi tek historia e mbijetesës dhe e shkrimit të shqipes, si dhe ndërtimi i një linje të pandërprerë nga 5B-të e mendimit humanist tek përpjekjet mbarëkombëtare për shkrimin e shqipes e kanë nxjerrë mendimin tonë (dhe të Ndriçim Kullës) për historinë e mendimit shqiptar nga depresioni i vonesës, i kushtëzuar fuqimisht nga pushtuesi osman, duke e riklasifikuar aty ku e meriton dhe ku gjeografia i jep vend (në kufijtë e botës perëndimore dhe në periferinë më të luhatshme të perandorisë osmane).
Më tej, tradita e mendimit të shqipes shfaqet si pararendëse e mendimit të Rilindjes, e cila arrin themelimin e shqiptarizmës, duke çelur rrugën kështu për tek “homo ethnicus”-i. Përqasje mjaft të vlefshme janë ato që bëhen mbi dëshmitë e hartimit të fjalorëve të shqipes që në Voskopojën kozmopolitane të mesit të shekullit 18 apo të abetareve shqipe që në vitet 20 të shekullit 19, duke e rreshtuar shkrimin e shqipes në kohë me popujt e tjerë të Ballkanit. Vëmendja e veçantë që autori u kushton përpjekjeve të intelektualëve ortodoksë shqiptarë për t’u shkëputur nga diktati i Patriarkanës apo më vonë i Kishës Ortodokse Greke e jep edhe më të plotë tablonë e historisë së mendimit shqiptar në shekullin e 19-të, i cili s’ishte hiç i vonuar, por i vonoi triumfi për shkak të vështirësive shtesë me të cilat u përball.
Ndriçim Kulla thotë në shënimin filologjik në fillim të librit se si bërthamë dhe shtysë për sipërmarrjen e shkrimit të “Histori e Mendimit Shqiptar” u bë “brezi i argjendtë” i mendimtarëve të viteve ’30 (të shekullit XX). Ata të parët u përpoqën të ngrinin një sistem ku të mos bjerrej as gjuha, as shpirti e as e ardhmja e shqiptarëve, por e djeshmja t’i shërbente të nesërmes. Është në fakt ëndrra e çdo shteti të drejtë dhe e çdo kombi për pjesëtarët e vet. Ndriçim Kulla e ka mishëruar këtë ëndërr në përpjekjen e tij shumëvjeçare për të prezantuar në mënyrë sistemike “Historinë e Mendimit Shqiptar”, si një histori e kulturës fillimisht, më pas si histori e shqipes e së fundmi edhe si histori e politikës dhe e mendimit. Në këtë sipërmarrje, Historia… e Ndriçim Kullës shndërrohet në fakt në një histori të themelimit të disiplinave (e ndërdisiplinave) të tjera, si e etnologjisë, folkloristikës, leksikografisë, antropologjisë, muzikës, bile edhe teologjisë.
Duke qenë një sprovë pioniere në këtë fushë, teksti që Kulla u jep lexuesve duhet të shërbejë si një doracak, pra si i kudogjindshëm dhe i gjithëpërdorshëm. Ai është si një libër orësh, ku në çdo orë të ditës e për çdo pyetje, gjejmë përgjigjet e duhura nga paraardhësit tanë. Emigrantët sidomos mund ta gjejnë shumë të frytshëm ta konsultojnë shpesh e më shpesh, se kështu mund t’u japin edhe më mirë përgjigje pyetjeve të stërmundimshme për identitetin e shqiptarëve, afërsinë me të tjerët, marrëdhëniet e tyre me religjionin, e në një shkallë të përgjithshme mund të rrëfejnë si duhet për qytetërimin që ata përfaqësojnë. Po them për emigrantët, por mjaft boshllëk gjendet edhe brenda kufijve tanë, për shkak të boshllëkut të gjatë të botimeve në këtë fushë si dhe për shkak të flamës kozmopolite që po bie si bombë bërthamore mbi çdo gjë shqiptare.
Kundër tallavasë së mendimit të disave, “Historia…” e Ndriçim Kullës është vaksina më e mirë. Unë jam i sigurtë se libri do ta gjejë hullinë e vet dhe me kalimin e kohës do të bëhet gjithmonë e më i vlefshëm, por nëse institucionet japin një ndihmë në zanafillë, mund të lajnë duart si Pilati për 30 vite zbrazëtirë që lanë në fushën e historisë së mendimit kombëtar. Pak shpresa ka, por pse e përsërisim apelin, s’bëjmë gabim.
“Histori e Mendimit Shqiptar” është publikuar nga enti botues “Plejad” dhe ka për redaktor të botimit, profesorin e njohur Gjergj Sinani.

Loading...

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.