Ambasadori gjerman jep këshillat për politikën në Tiranë: Për zgjedhje të mira, dialog dhe depolitizim

0

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf, teksa ka komentuar procesin zgjedhor në Kosovë, ka lëshuar edhe disa mesazhe për politikën në Tiranë.

Si pjesë të zgjidhjes së problemeve që mbartin proceset zgjedhore në Shqipëri, diplomati gjerman përmendi edhe depolitizimin e komisioneve që administrojnë procesin.

Loading...

“Unë nuk kam një formulë magjike për të gjetur zgjidhjen. Një nga elementët e zgjidhjes do të ishte bashkëpunimi në kuadër të Reformës Zgjedhore. Kemi konstatuar një kontakt të parë dhe do të gëzohesha nëse do të mbërrihej në një dialog konstruktiv”, është shprehur ndër të tjera Zingraf.

Pjesë nga intervista për A2 CNN:

Kosova i mbylli zgjedhjet brenda 24 orëve, ndërsa në Shqipëri rezultati zgjat me muaj. A mendoni se do të ishte zgjidhje depolitizimi i administratës zgjedhore?

Sigurisht që votat në një proces zgjedhor do të duhej të numëroheshin sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo është mjaft e rëndësishme për ruajtjen e besimit të qytetarëve në strukturat demokratike dhe për këtë bëjnë fjalë edhe rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe për këtë kanë folur për një kohë të gjatë opozita dhe qeveria. Ekspertët kanë përpunuar tashmë propozimet e tyre, të cilat do të përbëjnë bazën e bisedimeve të mëvonshme.

Në konferencën e fundit për shtyp, thatë se eksperti gjerman i kishte vendosur në tryezë Komisionit të Reformës Elektorale një draft me propozime. Çfarë ndodhi me to? Ku konsistonin?

Nisur nga puna në Parlament në të shkuarën, ndër të tjera edhe nga ekspertë gjermanë, janë nxjerrë disa përfundime që janë përpunuar në formën e projektligjeve, të cilat sigurisht merrnin në konsideratë edhe rekomandimet e OSBE/ODIHR. Në këto propozime parashikohet edhe mekanizmi i depolitizimit të strukturave apo komisioneve zgjedhore.

Po shkojmë drejt dy qyteteve në veri të vendit, të cilat prodhuan problematika gjatë zgjedhjeve të shkuara. Kryebashkiaku i zgjedhur i Shkodrës u largua prej dekriminalizimit, ndërsa i Lezhës përmendet në përgjimet e Bild. Mendoni se diku është gabuar?

Këtë që ju përmendët, unë e kam cilësuar si bllokadë politike, që ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Institucionet kësisoj janë shndërruar në institucione bosh që nuk mund të udhëheqin politikisht qytetarët pikërisht si pasojë e këtyre zhvillimeve. Kandidatët të cilët supozohet se kanë shkelur ligje të caktuara kanë dhënë tanimë dorëheqjen pas zgjedhjeve dhe janë autoritetet e drejtësisë që do të duhej të ndërmerrnin veprime të mëtejshme.

Pas denoncimeve të shumta të opozitës për kryebashkiakët socialistë, mendoni se deri diku aksioni i saj ka qenë i justifikuar? 

Detyra e opozitës është pikërisht kjo, të monitorojë ruajtjen e ligjit dhe procedurave ligjore dhe kjo është një pjesë mjaft e rëndësishme e demokracisë. Por, opozita ka braktisur Parlamentin dhe unë shpresoj shumë që ato të mund të gjejnë rrugën e kthimit drejt Parlamentit, të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme, që dy partitë kryesore të jenë të përfaqësuara, pa u dashur që opozita të ndahet në parlamentare dhe joparlamentare.

Çfarë duhet të bëjë mazhoranca e opozita për të arritur një zgjidhje?

Unë nuk kam një formulë magjike për të gjetur zgjidhjen. Një nga elementët e zgjidhjes do të ishte bashkëpunimi në kuadër të Reformës Zgjedhore. Kemi konstatuar një kontakt të parë dhe do të gëzohesha nëse do të mbërrihej në një dialog konstruktiv.

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.