Banorët e Matit kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit të Sekës në lumin Zall Gjoçaj, një projekt hidrik që sipas tyre kërcënon mjedisin, furnizimin me ujë të shumë fshatrave si dhe bletarinë dhe blegtorinë në zonën e thellë malore.
Prej gati 2 javësh dhjetëra banorë të disa fshatrave të zonës së Matit, kanë ngritur një çadër dhe kanë bllokuar rrugën e hapur rishtazi nga një kompani koncesionare për ndërtimin e HEC-it të Sekës në lumin Zall Gjoçaj.
“Kemi jetuar mot dhe jetë në këtë zonë dhe të futet uji në tuba është turp dhe gjynah tek Zoti,” thotë 80-vjeçari Ismail Lala, një prej protestuesve. “Të lësh pa ujë gjithë këto fshatra është turp, është hata e madhe,” shtoi ai.
Ngjashëm me Ismailin banorët e zonës tremben se ndërtimi i hidrocentralit do të shterojë burimet ujore të zonës duke prekur mijëra familje në 13 fshatra – të cilat mbijetojnë falë bujqësisë dhe bletarisë, si dhe do të nxjerrë jashtë funksioni disa mullinj me ujë të cilët ato i përdorin për bluarjen e misrit dhe grurit.
Protestuesit ankohen se ato nuk janë konsultuar nga kompania dhe autoritetet përpara fillimit të punimeve për ndërtimin e hidrocentralit dhe kanë marrë dijeni vetëm kur kanë parë makineritë e rënda.
“Kjo masakër që po bëhet është e pa pranueshme për ne,” shprehet kryeplaku i Zall Gjoçaj Adem Gjokola.
“Pas gjithë atyre protestave që kemi bërë, letrave drejtuar të gjitha institucioneve shtetërore, jemi vendosur këtu në çadër, për mos e lejuar kompaninë për të vazhduar punimet.”, shtoi ai.
I pyetur nga BIRN, administratori i kompanisë Seka Hydropower, Sokol Muceku i kundërshtoi akuzat e banorëve për mungesë të konsultimeve publike, duke nënvijëzuar që koncesionari kishte angazhuar një kompani të specializuar për ti realizuar ato.
“Janë përdorur të gjitha kanalet e komunikimit në televizionin lokal dhe në shtypin e shkruar për të lajmëruar dëgjesën,” tha Muceku. “Kompania italiane ka nënkontraktuar një firmë, të specializuar në fushën e mjedisit dhe janë marrë të gjitha hapat e nevojshme,” shtoi ai.
Prej vitit 2002 dhe deri më 2018-n, qeveria shqiptare firmosi 183 kontrata koncensionare për ndërtimin e 524 hidrocentraleve. Mes këtyre kontratave është dhe ajo e lidhur në vitin 2013 nga Ministria e Energjisë me kompaninë koncesionare “Seka Hydropower” sh.p.k., për ndërtimin e HEC-eve Sekë dhe Zais.
Fillimisht kompania koncesionare ka qenë në pronësi të shoqërive “Hydro-Project” dhe “Gener 2”, por menjëherë pas miratimit të koncesionit në shtator 2013, kompania ‘Gener 2’ i ka shitur aksionet tek ‘Hydro-Project.’ Hydro-Project sh.p.k është një kompani me investitorë italianë të specializuar në fushën e energjisë hidrike.
Në tetor të vitit 2018-të, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen e ndërtimit për objektin: “ndërtimi i Hec-it Sekë dhe Zais, në pellgun ujëmbledhës të lumit të Urakës dhe zallit të Melthit”, në bashkinë Mat dhe bashkinë Mirditë. Për ndërtimin e këtij HEC-it edhe bashkia e Matit ka shprehur dakordësinë, duke arkëtuar edhe taksën e ndikimit në mjedis.
Dhimitër Koleci, nga fshati Melth, tregon se banorët që preken nga ndërtimi i HEC-it në Zall Gjoçaj, janë vënë në dijeni për atë se çfarë do të bëhej kur kanë parë makineritë dhe punëtorët që po punonin për hapjen e një tuneli, që do të devijonte ujin nga zalli i Melthit në Mat, në lumin e Urakës në Kurbnesh të Mirditës.
“Dëgjesa nuk është bërë me banorët e këtyre fshatrave që preken nga HEC-i, që janë pjesë e bashkisë së Matit, por është bërë në Rrëshen dhe kanë shprehur dakordësinë banorë që nuk kanë asnjë lidhje me zonën tonë,” tregon Dhimitri, që për vite ka jetuar në Greqi dhe që çdo verë vjen me familjen në Melth për të kaluar pushimet.
“Ne nuk kemi pasur asnjë dijeni.”, shtoi ai.
