Arsimi dhe shkenca injorohen në Buxhetin 2020!

0

Nga Myqerem Tafaj

Buxheti i vitit 2020 vërteton më së miri që arsimi, shkenca, arti dhe kultura janë sektorë jo prioritarë, madje tërësisht të pa mbështetur financiarisht nga kjo qeveri.

Loading...

Të dhënat për buxhetin që planifikohet për arsimin dhe shkencën në buxhetin e vitit 2020 tregojnë disa prirje shumë domethënëse:

Për arsimin në tërësi planifikohet 2,55 % e PBB, kur premtimi i qeverisë ka qenë 5% ! Në politikëbërje në fushën e arsimit pranohet gjërësisht se, nëse një vend nuk investon të paktën 5 % të PBB për arsimin, nuk ka asnjë mundësi që të realizoj arsim cilësor. Studimi PISA e ka vërtetuar në mënyrë të përsëritur këtë.

Për arsimin e lartë planfikohen vetëm 0,54 % e PBB, ndërkohë që pranohet gjërësisht se shpenzimet minimale duhet të jenë 1 % e PBB për të pretenduar për cilësi ne arsimin e larte. Kjo shifër e investimit është mbi 2 herë më e ulët se sa ajo që investojnë vendet e reja të BE, si Sllovenia, Kroacia, Bullgaria, Sllovakia, vendet Balltike, pa folur për Hungarinë, Cekinë, Poloninë, dhe mbi 3 herë më e ulët se sa mesatarja e vendeve të BE.
Por krahasimi më kuptimplotë është po të krahasohet buxheti i arsimit të lartë me buxhetin për policinë dhe burgjet. Buxheti 2020 planifikon të investoj për arsimin e lartë, pra për rreth 150 mijë studentë dhe pedagogë, vetëm sa gjysma e buxhetit që planifikon për policinë! Për policinë dhe gardën buxheti planifikon 1,03 % të PBB, për burgjet 0,34 % të PBB, ndërsa për 150 mijë studentë dhe pedagogë vetëm 0,54% e PBB. Si do të zhvillohet Shqipëria, me polici dhe burgje apo me universitarë të mirëshkolluar? A kanë shanse reale universitetet publike të vendit tonë të afrojnë arsim të lartë cilësor me këtë financim me pikatore? Prandaj nuk ka laboratorë për studentët, nuk ka laboratorë për kërkim shkencor, nuk ka botime, nuk ka bursa per stuentet e varfer, nuk ka auditore moderne dhe kushte normale mësimi dhe pune për studentët dhe pedagogët. Eshtë tallje dhe mungesë serioziteti që qeveria deklaron në relacion (shih relacionin faqe 34) që në vitin 2022 buxheti për arsimin e lartë do të jetë 2 % e PBB. A dinë aritmetikë të thjeshtë ata specialistë që e kanë shkruar atë shifër në relacion?! Si do të 4-fishohet buxheti për 2 vjet, në nga 0,5% në vitin 2020 në 2 % në vitin 2022??

Investimi për shkencën është qesharak, ai zë vetëm 0,036 % e PBB dhe është 27 herë më ulët se ajo që investojnë vendet e BE për shkencën (mbi 1% e PBB). Ajo që është më kuptimplotë, është se vendi ynë planifikinon të shpenzoj 10 herë më shumë për burgjet (0,337 % PBB) se sa për kërkimin shkencor (0,0036 % e PBB)! Dihet se kërkimi shkencor është motori që prodhon dije, rritje ekonomike, që ul varfërinë dhe garanton zhvillimin e vendit si një shoqëri dhe ekonomi e mbështetur në dije, cka përbën parakushtin themelor, që një vend të integrohet në familjen e vendeve të zhvilluara, dhe konkretisht, Shqipëria të integrohet në BE. Shqipëria pa kërkim shkencor, pa dije bëhet më e varfër, më e paditur, thellon prapambetjen krahasuar me vendet e zhvilluara dhe nuk ka shanse reale për tu bërë antare e BE. Si do të bëjnë kërkim shkencor pedagogët dhe kërkuesit? Nga do të dalin botimet shkencore? Prandaj Shqiëperia është e fundit në Europë për numrin e botimeve shkencore. A mund të presin asistentët e rinj të universiteteve të kualifikohen këtu pa mbështetje për projektet kërkimore? Sigurisht që jo. Cfarë do të bëjnë? Sigurisht që do të largohen nga vendi për tu kualifikuar në universitetet e huaja dhe vështirë që të kthehen, sepse vendet e zhvilluar kanë adaptuar politika nxitëse të thithjes së të kërkuesve të rinj të mirëkualifikuar. Kjo do të thotë që Shqipëria të vazhdoj të humbas edhe kërkues të rinj të kualifikuar.

Në relacionin e buxhetit (faqe 35) shkruhet: “Synohet që fondet për kërkim ekselencë dhe inovacion në vitin 2020 të arrijnë 1% të PBB-së”. Këtë të besojmë, gënjështrën në relacion apo shifrat konkrete në tabela, pra vetëm 0,036 % e PBB.

Investimi për artin dhe kulturën është gjithashtu qesharak. Buxheti 2020 planifikon 0,135 % të PBB për kulturën dhe artin, ose 2,5 herë më pak se sa buxheti për burgjet dhe 8 herë më pak se sa buxheti për policinë dhe gardën. Libri është në krizë dhe kjo u duk qartë edhe në Panairin e fundit të librit, që tregoi ulje të vizitorëve dhe ulje deri në përgjysmim të blerjes së librit shqip. Libri dhe nxitja e leximit, sidomos tek të rinjtë, kërkon mbështetje edhe nga buxheti. Por edhe në këtë buxhet libri është harruar tërësisht. Edhe ky buxhet e injoron librin.

PBB i vendit rritet (edhe ky buxheti parashikon rritje ekonomike 4,1%), por buxheti për dijen, kulturën, shkencën nuk pëson asnjë rritje. Kjo është një prirje kërcënuese për zhvillimin e gjithanshëm të vendit dhe aspiratën e shqiptarëve, që vendi ynë të bëhet pjesë e familjes së vendeve të zhvilluara dhe e BE. Kjo është e pamundur të arrihet me këtë investim krejtësisht të pamjaftueshëm për arsimin, shkencën dhe kulturën.

Nevojat e Shqipërisë janë sigurisht të mëdha në shumë sektorë. Por është më shumë cështje vizioni, se sa thjesht të ardhurash në buxhet. Të mos investohet me përparësi për të shkollimin dhe shkencën do të thotë të dënosh brezin e ri, sepse ai nuk mund të shkollohet me cilësi dhe nuk mund të ketë shanse të mira për të garuar në tregun e punës; do të thotë të kompromentohet e ardhmja e zhvillimit ekonomik shoqëror të vendit, i cili duhet të mbështetet në dije. Ky investim kaq i ulët për arsimin, shkencën dhe kulturën, con në thellimin e prapambetjes së zhvillimit të vendit tone, në krahasim jo vetëm me vendet e BE apo OECD, por edhe të vendeve të Rajonit. Sa më i ulët investimi në arsim dhe shkencë, aq më shumë thellohet prapambetja, aq më shumë i largohet vendi ynë vendeve të BE dhe aq më shumë vështirësohet integrimi i vendit tonë në BE. Shqipërisë i është bërë e qartë se me hapjen e negociatave, kapitulli i kërkimit shkencor dhe tregut të punës, është ndër 4 kapitujt e parë që negociohen.

Buxheti 2020 është ende në fazën e diskutimit në komisionet e Kuvendit të Shqipërisë. Eshtë akoma e mundur që ky buxhet të përmirësohet. Dhe nuk është shumë e vështirë. Nëse do të hiqen investimet për 5 km rrugë të reja, buxheti për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor do të rritej të paktën në masën 50%, ndërsa po të kurseheshin 10 km rrugë të reja, ai do të 2-fishohej! Qytetarët do të pranojnë që më mirë të investohet për shkollimin më të mirë të fëmijëve të tyre, dhe të prisnin edhe pak që të ndërtohen ato 5 km rrugë të reja. Prandaj, buxheti i arsimit dhe shkencës është më shumë cështje vizioni dhe prioritetesh, dhe jo cështje e llogaritjeve të thjeshta aritmetike.

Disa të dhëna nga tabelat shoqeruese te ligjit te Buxhetit të vitit 2020:

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.