HomeOP EDTsipras dhe leksionet që nuk marrin liderët tanë, pengmbajtës të demokracisë

Tsipras dhe leksionet që nuk marrin liderët tanë, pengmbajtës të demokracisë

Nga Ardi Stefa
Alexis Tsipras sot, tre ditë pas humbjes në zgjedhjet e 25 majit, dha dorëheqjen e tij nga drejtimi i SYRIZA-s dhe garantoi se nuk do të jetë kandidat në procesin e zgjedhjes së lidershipit të ri.
Me tone dramatike dhe me një element të fortë personal, lideri i deritanishëm i partisë, që nga 3.5% qeverisi Greqinë në vitin 2015, Aleksis Tsipras shpjegoi se si për të dhe partinë që ai deri sot drejtonte u përfundua një cikël historik dhe po çelej një tjetër që do të shënjohet si rithemelim i SYRIZA-s.
Tsipras foli për një valë të re, një dallgë, me të cilën përballet forca e tij politike: “E kuptoj nevojën për një valë të re shtytëse të SYRIZA-s. Dhe vendosa të tërhiqem që ajo të kalojë. Kam besim, prandaj vendosa të propozoj zgjedhjen e një kryesie të re nga anëtarët e Partisë, siç parashikohet në statutin e saj. Rekurs i menjëhershëm në procedurat përkatëse. Në të cilën, sigurisht, që nuk do të jem kandidat. Por unë do të jem i pranishëm para, gjatë dhe pas tyre.”.
“Ky vendim ka një element dhimbjeje për mua, siç do të kishte për këdo. Por ka edhe një element sfide personale. Të dëshmoj me qëndrimin dhe shembullin tim se në jetë, në politikë, sidomos në politikë që u referohet vlerave, mund të jesh luftarak dhe krijues, ndoshta në disa raste edhe më i dobishëm dhe pa poste. Për të vërtetuar se beteja për ide dhe oferta nuk përcaktohet nga kolltuku që mban.”,- tha ai.

Por përkthimi dhe interpretimi i deklaratave të tij të çojnë në një përfundim tjetër. Fraza e tij, “Unë do të mbetem i pranishëm”, mund të interpretohet edhe si një parathënie e një vazhdimësie diskrete.
Sipas gjasave, Alexis Tsipras ndoshta do të jetë kryetari i grupit parlamentar, ndërsa një tjetër kryetar do të dalë nga zgjedhjet në këtë parti.
Pra, në një farë mënyre vazhdimësia garantohet.

Në deklaratën e tij të dorëheqjes Tsipras foli për nevojën e rithemelimit të SYRIZA-s dhe për nevojën imediate për t’u takuar sërish me vlerat: Unitetin, vetmohimin dhe përgjegjësinë shoqërore; rinovimin e guximshëm vertikalisht nga lart poshtë dhe dhënien fund të mendësive të vjetra.

Ai foli për nevojën e rithemelimit të një partie të re, e cila do të jetë në gjendje të lexojë me modesti dhe me sy hapur kontrastet e reja dhe rrymat e reja të shoqërisë, sfidat e reja të kohës dhe t’u përgjigjet pritshmërive të atyre që do dhe ka zgjedhur të përfaqësojë.

Sipas tij, rezultati negativ zgjedhor mund dhe duhet të jetë fillimi i rithemelimit. Elektorati grek i dha SYRIZA-s një mandat të dyfishtë. Së pari, për t’ju përgjigjur rolit të opozitës zyrtare. Dhe së dyti, të ndryshojë në mënyrë drastike, nëse do të rivijë në qeveri.

Prandaj ai kërkoi riorganizim të menjëhershëm dhe pa asnjë vonesë. Të mos lejojë të humbasë asnjë ditë si në përballjen me pushtetin, ashtu edhe në përballjen me dobësitë, patologjitë dhe problemet e brendshme. Një proces rinovimi dhe rithemelimi i thellë, i cili do të përfshijë të gjithë anëtarët e partisë, por edhe miqtë dhe grupet shoqërore që partia do të përfaqësojë.

Sipas tij rithemelimi i partisë së re është një prioritet i menjëhershëm, që nuk ka të bëjë vetëm me partinë, por me cilësinë e demokracisë, rezistencën ndaj politikave të qeverisë, etj.

Sot Tsipras mori vendime radikale, sepse iu kërkua nga Historia të qëndronte përballë. Përballë me ata, me të cilët kishte ecur, luftuar, përpjekur. Përballë atyre që kishin besuar e prinsin nga au. Qëndroi edhe përballë vetes. Qëndroi edhe përballë atyre që kishte luftuar e, nga të cilët ishte luftuar.

Po liderët tanë në Shqipëri?

Shumë do të doja të dëgjoja nga ata një deklaratë të tillë, e cila të ishte reflektim, analizë e thellë dhe jo vetëm akuza.
Do të doja të dëgjoja e të shihja reflektim të sinqertë, të hapur, të matur e demokratik dhe jo deklarata për rrota, timona e tepsi nën tingujt e defit apo gajdes; apo thyerje kafkash e revolucione.
Por ky është niveli i demokracisë te ne. Demokraci gjithmonë me mllef e përçarje.
Demokraci që u dha vend apo emër atyre që abuzuan me historinë, pasionin, naivitetin, idealizmin, pse jo edhe padijen e shqiptarëve. Demokraci që u dha tribunë vagabondëve dhe horrave që shfrytëzuan gjithçka…
Që gjunjëzuan atdheun, Demokracinë.

32 vite që ndihemi të tradhtuar. Një histori e pafund tradhtie…

32 vite të njëjtët njerëz, 32 vite të njëjtët liderë, që e ngrenë karrierën e tyre mbi “po-të” e interesave dhe dhimbjen e të revoltuarve, mbi shpinën e nacionalistëve, mbi “jo-të” e egoizmit, që ruajnë pushtetin personal dhe njëri- tjetrin në dëm të Shqipërisë e duke mbajtur peng Demokracinë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular