NËPËR TINGUJT E NJË VIOLINE
Ankth dhe gëzim.
Pasiguri
dhe rrëfime….
Nëpër të gjithë tingujt e ëmbël e të trishtë
të kësaj violine që ndihet,
që brenda gjirit të natës.
Kush të jetë,
me këta tinguj të dridhshëm,
që prek të gjitha ndiesitë?!
Të gjitha humbjet.
Të gjitha dashuritë.
Të gjitha plagët.
Yjet u bënë prush.
Yjet e largët…
RINIA IME
Rinia ime, ka qenë një vjeshtë.
Disa e dashurojnë. Shumë.
Po unë s’e kam dashur kurrë.
Vjeshtën.
Vjeshtën që ka qenë tek unë.
Ditët që zverdheshin,
e binin në formë gjethesh.
Trishtohesha unë.
Me dimrin në prag.
Vjeshtën thuajse s’e kam dashur kurrë.
Dhe si një fëmijë i vetmuar,
nga gjethet që binin, trishtohesha unë.
Dhe gjëmimet që fillonin të ndiheshin pas pak,
më trembnin shumë.
Pa le kur vinte e ulej këmbëkryq dimri.
Unë, përballë tij.
Ai, dimri i egër, i çmendur,
zhurmë e rrokopujë.
Unë, përmes tij e lënë e vetme, trembesha.
Oh, sa jam trembur unë?!
* * *
Rinia ime, dhe thuajse gjithçka më pas,
të gjitha stinët: dimër, verë, pranverë, vjeshtë,
si vjeshtë e zverdhur
që u venit ditë për ditë,
pak e nga pak.
* * *
Rinia ime, që s’të gëzova dot.
Rinia ime, si gjithë jeta, nëpër tym e nëpër flakë.
NJË FLUTUR YLL E BUKUR
Një flutur yll e bukur vallëzon gjithë melankoli,
Sikur ta ndiej,
Sikur ta dijë
Se është aq jetëshkurtër
Në këtë botë të pafundme
Me aq shumë pafundësi.
Vallëzon, duke lënë nëpër ajër, rrugës nga shkon
Trishtimin e saj.
Atë melankoli.
Pastaj ulet në një petale, akoma dhe më të bukur,
dhe aty pushon përgjithnjë.
RREZET E FUNDIT TË DIELLIT
Rrezet e fundit të diellit që po perëndon
përflakën retë e shpërndara,
si të mbanin ndezur edhe pak
ca shpresa të dëshiruara,
aty-këtu të fikura, aty- këtu të vrara.
Me të perënduar dielli.
Me t’u fikur rrezja e fundit.
Një gri e tmerrshme u përhap.
Qielli mori ngjyrën e plumbit.
Duke përpirë çdo shpresë.
Duke vrarë çdo shpirt.
Vetëm ca xixëllonja të mekura do të regëtinin
me mund nëpër natë,
si të kishin dalë,
nga një shpirt i mbushur me plagë.
Tiranë, e premte, 3 nëntor, 2017
HESHTJA
Heshtja është e thellë. Gati e padurueshme.
Vetëm ai gjeth lëvizi nga një erë,
që erdhi që tutje.
Një flutur e bardhë duke vallëzuar
u shfaq si e dehur nga kjo heshtje,
që nuk e theu aspak.
Një heshtje e thellë
që shtrihet deri tutje, larg…
Si për të mbushur shpirtin ra një kambanë.
Cicëroi një fluturak.
Ca tinguj të mrekullueshëm,
trokitën befas, te ky prag.
Milano, e enjte, 10 shtator, 2015
PUHIZA QË FRYN
Puhiza hyn nëpër gjeth e gjethi nis e fërfërin,
duke drithëruar përbrenda mallin e vjetër,
atë mallin tim!
Vjen dhe e rizgjon kjo puhizë.
Si një shpirt i gjallë që mund të prekë gjithçka.
E gjithçka mund ta lëvizë.
Kjo puhizë.
Kjo puhizë që vjen e drithëron thellë shpirtin tim,
dhe mallit tim të vjetër
i jep jetë.
I jep frymë.
* * *
Oh, kjo puhizë që fryn!
Oh, malli, malli im!
Delvinë, verë, 2017
TË SHKRUAJ DUA
Të shkruaj dua, që në ag, pa gdhirë,
e gjer kur dielli zë e varet në muzg,
e i thotë botës lamtumirë.
Të shkruaj dua.
Gjer kur dielli fiket e veli i kaltër i natës më mbështjell,
e yjet një nga një ndizen nëpër qiell.
Unë prap dua të shkruaj.
Vargjet e mia, gaz e vrerë.
Të ëndërroj dua, të persias, të shkruaj,
siç më vjen mua.
Të ndrijë në harrim, e në harrim të shkruaj.
Për çdo varg që do lind,
të lumturohem e të vuaj.
* * *
Prej ajrit të pranverës që çel manushaqe,
të mbushem me këngë; me këngë e me vargje.
Të mbushem me muzikë.
Të shëtis botës së madhe si një nomad,
si një nomad, natë edhe ditë.
Tiranë, e shtunë, 14 tetor, 2017
MBËRRITA NË QAFËN E MUZINËS. ZGJOHU NËNË!
