Numri i fëmijëve që lindën në vitin 2017 ishte rreth 31 mijë, por fëmijët që i korrespondonin këtij viti ishin vetëm 24,812 kur u zhvillua censi.
Sipas të dhënave nga cens, këtë vit hyjnë në klasën e parë jo më shumë se 24 mijë fëmijë në të gjithë vendin. Gjithsej fëmijët e grupmoshës 0-6 vjeç janë 160,719 sipas cens 2023, nga më shumë se 260 mijë që ishin në vitin 2011.
Duke krahasuar numrin e foshnjave të lindura nga viti 2017 deri në vitin 2023, dhe atyre që ka gjetur cens, rezulton një numër më i ulët fëmijësh. Diferencat janë deri në 20% që është një tregues i pastër i emigrimit të fëmijëve me familjet.
INSTAT ka raportuar se në vitin 2022 në të gjithë vendin kishin lindur 24,688 foshnja, por nga numërimi i Cens ishin vetëm 21 mijë foshnja të moshës 1 vjeç.
Në dy vitet e fundit ka një zbutje emigrimit si azilkërkues, por ka një fenomen në rritje të punonjësve me kontrata të rregullta pune drejt vendeve të BE sidomos drejt Gjermanisë. Fillimisht si punonjës sezonalë, tani ky kontingjent ka siguruar kontrata dhe po merr edhe
familjet e fëmijët. Gjithashtu të dhënat e Cens 2023 kanë zbuluar se numri individëve +6 vjeç që ndjekin
arsimin parauniversitar ishte 317,213 nxënës, teksa në të njëjtin vit shkollor (2023-2024)
INSTAT, referuar Ministrisë së Arsimit, raportoi se arsimin parauniversitar +6 vjeç e ndiqnin 349,827 nxënës. Numri i nxënësve që ndjekin arsimin nga klasa e parë deri në përfundim të shkollës së mesme ishte rreth 27 mijë nxënës më pak ose 9.3% më i ulët se sa shifra zyrtare që është referuar në fillimin e vitit akademik.
