Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe Elon Musk, janë përplasur virtualisht me ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski, i cili komentoi mbi koston e kompanisë së Musk, Starlink, për të cilën Polonia paguan.
Sikorski ka shkruar në një postim në “X” se Polonia mund të kërkojë një alternativë tjetër për shërbimin e internetit satelitor në Ukrainë, nëse kompania e Elon Musk, SpaceX, nuk garanton një shërbim të besueshëm.
“Starlink për Ukrainën u pagua nga Ministria Polake e Dixhitalizimit me një kosto prej rreth 50 milionë dollarë në vit. Përveç aspektit etik të kërcënimit ndaj një vendi të sulmuar, nëse SpaceX tregohet një furnizues jo i besueshëm, ne do të detyrohemi të kërkojmë një alternativë tjetër për internetin satelitor”, shkroi ai.
Pas këtij postimi erdhi mënjhërë një reagim nga Musk, i cili iu përgjigj ministrit të Jashtëm polak me fjalët: “Hesht, burrë i vogël. Ti paguan vetëm një pjesë të vogël të kostos. Dhe nuk ka asnjë zëvendësues për Starlink.”

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ndërhyri gjithashtu në këtë çështje, duke kritikuar postimin e Sikorskit se ky i fundit po shpik gjëra dhe duke i kërkuar atij të thotë faleminderit. “Thjesht po shpik gjëra. Askush nuk ka bërë ndonjë kërcënim për shkëputjen e Ukrainës nga Starlink. Dhe thuaj faleminderit sepse pa Starlink Ukraina do ta kishte humbur këtë luftë shumë kohë më parë dhe rusët do të ishin në kufirin me Poloninë tani”, shkruan Rubio.

Më pas, Musk ripostoi mesazhin e Rubio-s, duke e mbështetur plotësisht dhe duke thënë: “Ajo që thotë sekretari Rubio është absolutisht e saktë.”
Në një postim të mëvonshëm, Musk mohoi se kompania e tij do të ndërpresë aksesin e Ukrainës në Starlink.
“Edhe pse nuk jam dakord me politikën e Ukrainës, Starlink nuk do t’i mbyllë kurrë terminalet e saj. Ajo që po them është se pa Starlink, fronti ukrainas do të shembet pasi rusët do të bllokonin të gjitha komunikimet e tjera. Ne nuk do ta bënim këtë dhe nuk do ta përdornim si mjet pazari ”, ka shkruar ai.