Durrës, 12 Mars– Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ishin sot në Durrës për të parë nga afër ecurinë e punimeve në kompleksin e ri të Fakultetit të Studimeve Profesionale, që po ndërtohet pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës, një investim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
“Është një investim që do të ndryshojë cilësinë e mësimdhënies në studimet profesionale, sepse fakulteti do të ketë 30 auditore, 15 laboratore të shkencave teknike dhe gjithashtu do të ketë edhe ambiente rekreative për studentët, për ta bërë këtë kampus me standardet më të mira evropiane. Me rëndësi është se ky projekt ka planifikuar edhe bibliotekën dhe laboratoret, të cilat praktikisht zgjerojnë kapacitetet e studimeve në degët profesionale. Degët profesionale në Universitetin e Durrësit janë degë të kërkuara, që kryesisht lidhen me të gjitha profesionet, nga teknikët, teknikët e automjeteve, të inxhinierisë detare dhe të navigacionit dhe shkencave teknike mjekësore”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Ky projekt, me një vlerë prej 1 miliard lekë, do të krijojë kushte moderne për 1,700 studentë dhe 80 pedagogë të këtij fakulteti. Infrastruktura e re do të përfshijë sallë konferencash, biblioteke, terrene sportive dhe ambiente rekreative për studentët dhe stafin akademik.
“Janë mbi 1700 studentë, të cilët do të përfitojnë nga ky investim i ri, që i hap rrugën edhe një investimi tjetër, një rezidencë për studentët, duke e kombinuar edhe me shërbime të tjera publike. Në dy anët e kampusit universitar, ne kemi investime të tjera për sportin, sikurse është Manchester City për akademinë dhe gjithashtu edhe akademia e Rafael Nadalit të tenisit. Kështu bëhet një kompleks i vërtetë i shërbimeve jo vetëm arsimore, por edhe edukative dhe sportive.”, shtoi Ministrja Manastirliu.
Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, që prej themelimit ka treguar qëndrueshmëri në numrin e studentëve të regjistruar dhe vijon të mbështetet përmes investimeve në infrastrukturën mësimore dhe laboratorike.
Përveç Universitetit të Durrësit, investimet e qeverisë shqiptare vijojnë edhe në institucione të tjera të arsimit të lartë, si rindërtimi i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, rikonstruksioni i Fakultetit të Gjeologji-Minierës dhe ndërtimi i Muzeut të Gjeologjisë pranë UPT, ndërtimi i Fushës së Futbollit dhe Pistës së Atletikës pranë Universitetit të Sporteve, si dhe ndërtimi i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike pranë Universitetit të Elbasanit.