HomeSocialeTransporti për nxënësit e shkollave do të garantohet nga shteti! Pagesat do...

Transporti për nxënësit e shkollave do të garantohet nga shteti! Pagesat do të bëhen në llogaritë bankare, ose nëpërmjet postës! Zbardhet vendimi

spot_img

Qeveria ka miratuar ndryshime të rëndësishme në vendimin për përdorimin e fondeve publike për transportin e nxënësve dhe punonjësve arsimorë, që ndjekin apo punojnë në institucione publike larg vendbanimit të tyre.

Sipas vendimit të ri të Këshillit të Ministrave, përfitues do të jenë edhe fëmijët që ndjekin arsimin parashkollor apo shkollën bazë publike, nëse ata ndodhen më shumë se 2 km larg vendbanimit dhe nuk kanë akses në transport qytetës. Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, në vitin shkollor të kaluar, mbi 18 mijë nxënës dhe rreth 2 mijë mësues kishin nevojë për mbështetje me transportin për shkak të distancave të mëdha nga banesa në shkollë.

Pjesa më e madhe e këtyre përfituesve vijnë nga zonat rurale, ku mungesa e linjave të rregullta të transportit publik ka qenë një ndër pengesat kryesore për aksesin në arsim. Përmes këtij vendimi, qeveria synon jo vetëm të lehtësojë barrën financiare të familjeve, por edhe të reduktojë fenomenin e braktisjes shkollore në këto zona. Vendimi është publikuar në Fletoren Zyrtare ditën e djeshme dhe ka hyrë në fuqi menjëherë. Po ashtu, përcaktohen afate për Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për të organizuar transportin rrethqytetas.

KOMPENSIMI MUJOR

Në bazë të këtij vendimi, llogaritja e fondeve do të bëhet sipas ditëve mësimore, numrit të përfituesve dhe tarifës së biletës. Mësuesit dhe nxënësit do të marrin kompensim mujor për transportin, ndërsa bashkitë do të marrin fondet përkatëse nga Ministria e Arsimit për të siguruar shërbimin. Ndryshimet prekin edhe mënyrën e pagesës, duke e mundësuar atë në llogari bankare apo nëpërmjet shërbimit postar në zonat ku nuk ka akses në banka.

Vendimi përcakton gjithashtu që për vitin shkollor 2024–2025, njësitë vendore do të marrin përsipër detyrat e parealizuara nga drejtoritë arsimore. Transporti do të subvencionohet me 50% më shumë për nxënësit, ndërsa për ata që punojnë apo mësojnë më shumë se 50 km larg vendbanimit do të ketë kompensim të veçantë. Ndryshimet përfshijnë referenca të reja ligjore për distancat dhe kompensimet, si dhe rolin e bashkive në mbikëqyrjen dhe raportimin e këtij procesi çdo katër muaj.

Në të njëjtën kohë, bashkitë do të kenë detyrimin të hartojnë një plan të detajuar për organizimin e linjave të transportit dhe për përzgjedhjen e operatorëve që do të ofrojnë këtë shërbim, sipas standardeve të përcaktuara nga Ministria e Arsimit. “Njësitë e vetëqeverisjes vendore miratojnë, brenda muajit tetor, linjat dhe oraret e transportit rrethqytetës për realizimin e këtij shërbimi në vitin e ardhshëm buxhetor, duke u bazuar në informacionin që u dërgohet nga ZVAP-të dhe ofruesit e arsimit profesional publik sipas kësaj pike. Drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar (DRAP) realizojnë procedurën e prokurimit publik brenda muajit nëntor për vitin e ardhshëm buxhetor, mbështetur në kërkesat zyrtare të dërguara nga ZVAPtë”, – thuhet në vendim.

Kontrolli i cilësisë së shërbimit dhe sigurisë së nxënësve gjatë udhëtimit do të jetë përgjegjësi e përbashkët e bashkive dhe institucioneve arsimore vendore. Ndërkohë, organizatat e shoqërisë civile që veprojnë në fushën e edukimit e kanë përshëndetur vendimin si një hap të rëndësishëm drejt barazisë në arsim. Në përfundim të vendimit theksohet se çdo njësi vendore duhet të raportojë për ecurinë e zbatimit çdo 4 muaj pranë Ministrisë së Arsimit, për të garantuar që fondet e alokuara po përdoren në mënyrë të drejtë dhe transparente./Gazeta Panorama 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular