Nga av.Klea Ahmetaj
Në 11 Maj qytetarët Shqiptarë do të votojnë për të zgjedhur partinë, e cila qeveris vendin në 4 vitet e ardhshme. Më shumë se kurrë më parë këto zgjedhje janë vendimtare, për të hapur një derë në demokraci sa më herët, ose për ta mbyllur këtë derë dhe 4 vitet e ardhshme. Por a ka më muskul e nervë për të duruar dhe 4 vite të ardhshme, të njëjtat figura, të njëjtët njerëz, të njëjtat fjalë dhe mendime. Në këto zgjedhje qytarët që kanë duruar shtypjen do të drejtohen drejt partive të reja, administrata do të votoj me dëshirë apo padëshirë, me “kontratën e fshehtë” votën kundrejt vendit të punës? Por… Si ka qënë dhe është Shqipëria? U ndërtuan rrugë e shkolla, por u vodhën fondet. U hapën vende të reja pune, por në këmbim u kërkuan favore, votë dhe votues. Në këtë zgjedhje duhet të votonim për programe politikë, por fatkeqsisht në këto zgjedhje do të votojmë për të mbajtur në mënyrë metaforike “qirin e shpresës” që të mbetet i ndezur për demokracinë. Në këto zgjedhje nuk luftohet për plane, luftohet për të mbajtur në këmbë shtyllën e demokracisë. Si ka qënë dhe është Shqipëria? Në këto vite funksionet në administratë janë mbajtur nga njerëz të emëruar partiak. Emërimet ne përgjedhje nga deputet e zonave, pa meritokraci. Kur aftësive të tyre për marrje pozicionesh pameritokraci po u dilte emri në emisione investigative, qeveria vendosi të kaloj institucionet me shërbim online dhe jo më pritje në zyra institucionale, tashmë serioziteti i shtetit ra me arsyetimin e shërbimit më të lehtë online. Sikur mos të mjaftonte kapja e administratës, tashmë do të vazhdonte dhe “kapja” e gjyqësorit, ku emërimet nga radhët e forumit partiak do të bëhen normale, ashtu si zvarritja e proceseve gjyqësore me qëllim, duke mos i dhënë zgjidhje, me vullnet të plotë. Një sistem ku çdo hap i radhës dihet dhe nuk mund të dal jashtë kornizave, ku lidhja pushtet ekzekutiv, gjyqësor dhe legjislativ është i pandarë. Ekonomia, e përqëndruar në duart e parave të pista, ku pastrimi i parave vazhdon në ritme të shpejta. Kompani, bisnese të ndërtuara nga këto para, të cilat duket sikur po mbajnë ende fuqinë puntore në vend, në fakt po e çojë atë drejt shkatërrimit. Fjalisë se punë ka po nuk ka profesionistë i ka ardhur fundi. Bisneset, të cilat ankohen se nuk kanë punonjës në fakt janë një tjetër tentativë për” t’ja hedhur “ shtetit në abuzimin me pagimin e siguracioneve, mosdeklarimin e të ardhurave, dhe mbështetjes së propagandës qeverisëse punë ka po nuk ka profesionistë. Ku Inspektoriati i punës, që është rregullatori kryesor, nuk funksionon, pasi loja dihet, kush është punësuar dhe mbahet në punë nga qeveria nuk mund të dal kundër saj. Në këto kushte shprehja se “përshtatja është inteligjencë” merr fund. A janë këto zgjedhje një zgjidhje?! Këto zgjedhje janë një zgjidhje, nëse administrata reagon, nëse elektorati gri reagon. Këto zgjedhje e kanë një zgjidhje. Partitë e reja politike. Në të kundërt, në katër vitet e ardhme, do të ketë vetëm një mundësi, dhe ajo është durimi ndaj shtypjes.







