HomeOP EDPD-ja duhet të heqë dorë nga lufta me mullinjtë e erës, Sorosi...

PD-ja duhet të heqë dorë nga lufta me mullinjtë e erës, Sorosi është përdorur gogol për të justifikuar humbjet/nga Ermal Hasimja

Advertismentspot_img

Nga Ermal Hasimja

Është interesant sesi termi “soroist” ka nisur të përdoret edhe nga patronazhistët duke u bërë personifikimi i gjithckaje të keqe që ka nevojë të thjeshtohet.

Në fakt gogoli i Sorosit u përdor fuqishëm nga PD-ja sidomos pas rolit lobues që supozohet se Sorosi luajti për “non gratan” e Berishës. Për të qenë i sinqertë unë mendoj se “non grata” ishte tërësisht e pamerituar, aq më tepër duke patur parasysh panteonin e korrupsionit në Shqipëri. Por gjithashtu duhet thënë se nëse Alex Sorosi e ka luajtur vërtet atë rol, siç dyshoj pa patur prova gjithsesi, atëherë meriton të mbajë përgjegjësinë morale për dëmin që i shkaktoi PD-së.

Por përtej kësaj Sorosi është përdorur si një gogol për të justifikuar rezultat zgjedhore të opozitës. Natyrisht PD-ja vepron në kontekstin e sistemit autokratik të Ramës që i ka marrë frymën parlamentarizmit, por kjo nuk shpjegon vështirësitë e saj për të frymëzuar e bindur votuesin. Nuk shkon Sorosi te cdo votues për ta bindur të votojë Ramën.

Nëse “miqtë” apo “financuesit” e Ramës janë arsyet e vërteta të vështirësive të PD-së atëherë kjo e fundit do të duhet të akuzojë ata që janë financuesit më të mëdhenj të Ramës sot: janë pikërisht ata të cilët PD-ja nuk i akuzon kurrë. Jo sepse nuk i njeh, por sepse të njëjtët financojnë edhe vetë PD-në.

Por cfarë është një soroist dhe a ka të tillë? Ka dy mënyra për ta identifikuar një sorosian:

1.Sipas perceptimit të PD-së është një mbështetës i Ramës. Por nëse shqyrton listën e të akuzuarve si soroistë zbulon se një pjesë e tyre janë në fakt kundërshtarë të hapur të Ramës që në ditën e tij të parë në pushtet. Mes tyre edhe unë.

2.Sipas afërsisë me filozofinë e Sorosit. Këtu na filtrohet lista, sepse 90% e akuzuesve nuk ia dalin të formulojnë ndonjë filozofi sorosiane. Por edhe këtu historia është e thjeshtë dhe prapë do të zbulosh se një pjesë e të akuzuarve nuk kanë lidhje me parimet filozofike që mbron Sorosi sot. Nëse kam vlerësuar mbështetjen e fondacionit për mediat e lira kritike ndaj qeverisë, institucionet e ndërmjetësimit juridik, të drejtat e romëve e egjiptianëve apo transparencën në gjykata, unë nuk jam dakord me një pjesë të strategjisë së re që bie ndesh me filozofinë time politike. Por natyrisht ky është luks intelektual në një vend ku nuk kanë rëndësi idetë, por teoritë e konspiracionit.

Atëherë cfarë mbetet të jetë një soroist? Një kostum universal demonizues që mund t’i vishet kujtdo që duam të kemi kundërshtar. Aq efikase është kjo sa dëgjon edhe socialistë ta përdorin si akuzë, ndërkohë që teorikisht “soroistët” duhet të ishin në krahun e tyre. Prandaj mund të dëgjosh edhe xhevahire si Sorosi kontrollon PD-në, Sorosi organizoi protestën, etj etj. Sepse nuk ka rëndësi logjika, por vetëm nevoja e një armiku të fshehtë që duhet të shpjegojë gjithçka.

Që në fillim të viteve ’90 fondacioni Soros ka qenë donatori kryesor në financimin e shoqërisë civile. Ka financuar fuqishëm edhe qeverinë Berisha. Vështirë të gjesh shoqata apo individë aktivë në shoqërinë civile që të mos kenë kaluar nga Fondacioni Soros. Vijon të financojë media të lira që kritikojnë vazhdimisht qeverinë.

Fondacionit iu vesh roli i gatimit të reformës në drejtësi, të votuar edhe nga vetë PD-ja (natyrisht ishte PD-ja e Bashës që u shpall tradhtar më vonë). Por askush nuk thotë se ajo reformë u bë me sponsorizimin financiar e politik të partnerëve tanë kryesorë, SHBA e BE. Pra përsëri kemi përsëri përzgjedhje të armiqve.

Në përfundim për këtë që dëshiron të thellohet më tepër në mekanizmin e përdorimit të gogolit Soros i sugjeroj të lexojë për proceset e shtrigave në shekullin e XV e XVII në Evropë, për inkuizicioni spanjoll, ose në modernitet për gjyqet ndaj kulakëve apo ato ndaj agjentëve revizionistë në kohën e diktaturës. Kaq efikas është ky diabolizim sa mund të përfytyroj fare mirë se disa nga ata që janë plotësisht dakord me mua nuk do t’ua mbajë t’i bëjnë “like” këtij statusi nga sikleti se mos i etiketojnë si soroistë.

Gogoli i Sorosit mund të ndihmojë ndonjë të ndihet i lumtur që po zhvillon një betejë legjendare e të pabarabartë me gjigandë të frikshëm, por në fund të fundit duhet ta dijë se në fakt po lufton mullinjtë e erës.

E djathta duhet të heqë dorë nga betejat imagjinare dhe të transformojë veten për të fituar betejën e vërtetë kundër qeverisjes Rilindase.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular