Deputetët e Kosovës të legjislaturës së nëntë për herë të 12-të do të mblidhen sot në ora 10:00 për konstituimin e Kuvendit. Procesi i konstituimit ka mbetur në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, gjersa partitë tjera, PDK, LDK e AAK, nuk po e përkrahin, duke thënë se nuk është person unifikues.
E sot, deputetët do të mblidhen pas dështimit të 11 seancave për konstituim. Të hënën, kryetari i LVV-së, Albin Kurti i ka dërguar një letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes së cilës i ka ftuar në koalicion qeverisës.
Pas kësaj letre, të martën është mbledhur kryesia e LDK-së, gjersa kryetari i kësaj partie ka mbajtur edhe një konferencë për media.
Abdixhiku në këtë konferencë ka propozuar një qeveri tranzicionale, duke refuzuar kështu koalicion qeverisës vetëm me LVV.
“Kam marrë një letër nga kryetari i VV-së dhe i nxitur nga konsiderata për votuesit e VV-së, kam ndjerë nevojën që t’i përsëris qëndrimet dhe bindjet tona mbi çështjet qe janë ngritur mbi atë. LDK-ja duke parë stagnimin 4-vjeçar, e kam fjalën për aleancat e rrezikuara, rrezikimin e sigurisë nacionale…
E kam vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me z.Kurti. Por, sot vendi është në krizë të thellë institucionale, pikërisht për shkak të partisë së parë. Dhe zgjidhjen nga kjo bllokadë LDK-ja e konsideron të domosdoshme. Propozojmë nisjen e një procesi të ri politik. Në përputhshmëri me këtë LDK-ja propozon nisjen e këtij procesi me të gjitha partitë për nisjen e një qeverie nacionale te tranzicionit”, ka deklaruar ai.
Abdixhiku ka ftuar të gjitha partitë që të bëhen bashkë dhe të ofrojnë zgjidhje.
“Një qeveri me afat të caktuar, deri në zgjedhjen e presidentit të ri”, theksoi Abdixhiku.
Në konferencën për media, ai ftoi Kurtin dhe liderët tjerë politikë për një takim rreth kësaj nisme.
Ai pohoi se kjo do të ishte një qeveri me afat të shkurtër, derisa tha se duhet krijuar qeveria në mënyrë që të shkohet në zgjedhje.
“Qëndrimi i LDK-së është i pandryshuar, pavarësisht a vjen një letër apo disa. Nuk e kam ndërmend ta tradhtoj votuesin e LDK-së. Votuesit tanë le të ndihen të qetë, pra po flas vetëm për një zgjidhje në mes të krizës”, ka pohuar ai. /Telegrafi/