Milani i ri do të fillojë me Igli Taren në rolin e drejtorit sportiv, por edhe me një trajner të ri në pankinën e kuqezinjve. Serxhio Konseisao do të largohet në fund të sezonit dhe detyra e parë e Igli Tares do të jetë të sigurojë një emër që mund të bëjë diferencën në pankinë.
Sipas “SportMediaset”, një media e cila është gjithmonë shumë pranë Milanit, ka një kandidat të qartë për pankinëm e kuqezinjve, me emrin që ka dalë pas bisedave të fundit mes administratorit Furlani dhe vetë Tares.
Trajneri Vinçenco Italiano, ia i cili pak ditë më parë i hoqi Milanit nga duart trofeun e Kupës së Italisë me Bolonjën, është emri të cilin drejtuesit e klubit kuqezi mendojnë se është në lartësinë e duhur për të bërë mirë në Milano. Kësisoj Tare do të bëjë menjëherë një lëvizje për të siguruar firmën e trajnerit i cili gjithsesi ka një kontratë deri në vitin 2026 me skuadrën aktuale.
Negociatat nuk do të jenë të thjeshta, aq më tepër duke parë se Bolonja po i ofron atij aktualisht rinovimin duke zgjatur me një vit marrëveshjen. Ndaj kjo do të jetë prova e parë e mirëfilltë për Taren, i cili duhet të tregojë të gjithë aftësitë e tij për të negociuar me trajnerin dhe për ta bindur të ndërrojë skuadër vetëm një vit pas kalimit te Bolonja.