Kur numërimi i votës së diasporës mbaroi, kryesocialisti Edi Rama u dërgoi një mesazh falënderues atyre që garuan në Tiranë.
Gazetari Top Channel Muhamed Veliu e ka siguruar këtë mesazh ku Rama e nis me fjalët “sot ka mbaruar edhe numërimi i votave të diasporës, pra kanë mbaruar zgjedhjet dhe unë dua të ndaj me ju disa fjalë, aq sa lejon kjo dritare”.
Rama më tej e vë theksin tek fitorja të cilën e quan historike në Shqipëri kur thotë se “dua t’ju falënderoj të gjithëve për eksperiencën e një beteje politike të paharrueshme, ku secili e secila beri sa mundi dhe ku rezultati i përbashkët do mbetet në historinë politike të Shqipërisë, e natyrisht edhe në historinë e Partisë Socialiste, si një sukses krejt i veçantë. Faleminderit”!
Disa fjalë posaçërisht ia ka dedikuar atyre që garuan në listat e hapura e u thotë:
“Dua t’i përgëzoj shumë përzemërsisht të gjithë ata dhe ato që në fushën e hapur të betejës, u përpoqën me të gjitha forcat e tyre dhe u bënë fuqi e shtuar e Partisë Socialiste në çdo territor”!
“Urime me gjithë zemër për ata e ato që ia dolën të hyjnë në ekipin e legjislaturës së ardhshme”, thekson i pari socialistëve.
Më tej në këtë mesazh ai thotë:
“Të gjithë atyre qe s’ia dolën u them shumë sinqerisht se duhet të jenë jo vetëm krenarë, për pjesën e tyre të çmuar në fitoren e Partisë Socialiste, po edhe të bindur se në rrugën që vazhdon, me supersfidën historike të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kontributi i tyre do të jetë shumë i nevojshëm”.
“Prandaj kokën lart të gjithë bashkë motra e vëllezër, këtu nuk ka humbës por vetëm fitues!”
Mesazhin Edi Rama e mbyll me këto fjalë:
Duke uruar që të gjeni pak ditë qetësi pranë familjeve e fëmijëve tuaj – Zoti i bekoftë për të gjithë barrën që mbajnë – ju përqafoj të gjithëve me premtimin se nuk do rrimë pa u mbledhur edhe live, jo për ndonjë festë të madhe, po për shijen e një gëzimi të merituar familjar si ky që vetëm ne e dimë se sa kemi punuar e jemi munduar për ta arritur.
Mesazhi mbyllet me një emoji në formën e zemrës dhe numrin 5.