HomeAktualitetMinistri Hoxha me drejtuesit e Shërbimit Zjarrfikës: Fokusi tek parandalimi. Zjarrvënia e...

Ministri Hoxha me drejtuesit e Shërbimit Zjarrfikës: Fokusi tek parandalimi. Zjarrvënia e qëllimshme është akt kriminal, të zbulohen e ndëshkohen autorët

spot_imgspot_img

Ministri Hoxha me drejtuesit e Shërbimit Zjarrfikës: Fokusi tek parandalimi. Zjarrvënia e qëllimshme është akt kriminal, të zbulohen e ndëshkohen autorët

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha kërkoi të ndërmerren masa për parandalimin, ndërhyrjen e shpejtë dhe efikase në raste zjarresh, por edhe për identifikimin dhe ndëshkimin e çdo autori të zjarrvënieve të qëllimshme. Gjatë takimit me 61 drejtues të Shërbimit Zjarrfikës në vend, ministri Hoxha u shpreh se “të dhënat e viteve të fundit na dëshmojnë se në shumë raste, zjarret shkaktohen drejtpërdrejt nga veprimtaria e pakujdesshme ose qëllimisht e dëmshme e vetë njerëzve”.

Këto mesazhe u dhanë gjatë një takimi të mbajtur pranë ambienteve të Stacionit Zjarrfikës në Kinostudio, Tiranë, ku morën pjesë Prefekti i Tiranës, drejtues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe zyrtarë të tjerë të emergjencave etj.

Duke folur rreth problematikave të zjarrvënieve të qëllimshme, Ministri i Brendshëm kërkoi të hetohet çdo rast dhe të procedohet penalisht kushdo që, me dashje apo nga pakujdesia, shkakton zjarr në mënyrë të qëllimtë.

“Asnjë rast nuk duhet dhe nuk do të mbetet pa përgjegjës. Zjarri nuk është thjesht një fenomen natyror, është shpesh një akt kriminal”, apeloi Hoxha.

Në lidhje me masat për përballimin e problematikave gjatë sezonit veror, Ministri vuri theksin tek bashkëpunimi mes strukturave të ndryshme dhe te parandalimi. “Përballë sfidave me zjarret, ne kemi nevojë për më shumë se sa reagim. Duhet parandalim. Për këtë, na duhet një bashkëpunim i ngushtë me të gjitha strukturat vendore të emergjencës, me njësitë administrative, me kryepleqtë, me shoqërinë civile dhe vetë qytetarët,” – u shpreh Hoxha. Më tej ai nënvizoi se “duhet të forconi koordinimin në nivel vendor, të kryeni inspektime paraprake në zonat me risk të lartë, të rrisni gatishmërinë dhe të zbatoni planet lokale të emergjencës!”

Njëkohësisht Ministri Hoxha bëri me dije se po punohet në drejtim të pajisjes së strukturave zjarrfikëse me mjete dhe ambiente sa më të përshtatshme pune. “Ministria e Brendshme, – tha Hoxha – do të sigurojë gjithë mbështetjen institucionale për t’ju pajisur me mjetet, informacionin dhe mbështetjen e nevojshme. Stacione të reja, si ky ku po zhvillojmë këtë takim sot, këtu në Kinostudio do të shtohen. Mjete të reja do të sigurohen, përmes buxhetit të shtetit, fondeve të bashkive apo donatorëve. Këta të fundit janë prezentë dhe dua të shpreh një falënderim për kontributin e vyer të tyre.”

Për sa i përket bashkëpunimit ndërinstitucional, Ministri i Brendshëm theksoi se “po punojmë ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile si dhe Ministrinë e Mbrojtjes, për të rritur kapacitetet tona kombëtare në luftën kundër zjarreve”.

Në mbyllje të fjalës së tij, Ministri kërkoi një angazhim të menjëhershëm të strukturave të shërbimit zjarrfikës, me qëllim e parandalimit përpara ndërhyrjes.

“Të bashkëpunojmë ngushtë, sepse vetëm të bashkuar mund të jemi efektivë në mbrojtjen e mjedisit, të jetës dhe të pronës së qytetarëve”, tha Ministri i Brendshëm.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular