HomeKryesoreKrijohet "Akademia e Pushtetit Vendor" për rritjen e aftësive në administratat bashkiake....

Krijohet “Akademia e Pushtetit Vendor” për rritjen e aftësive në administratat bashkiake. Ja struktura, do të drejtohet nga ministri Mazniku

Këshilli i Ministrave vendosi sot miratimin e vendimit të ngritjes së një organizate jofitimprurëse.

Ajo do të mundësojë zhvillimin dhe kualifikimin profesional të qëndrueshëm të të zgjedhurve, nëpunësve civilë dhe punonjësve të tjerë në njësitë e vetëqeverisjes vendore, me qëllim rritjen e performancës profesionale për t’u shërbyer komuniteteve dhe për t’i ndihmuar ato në përmbushjen e funksioneve të veta dhe kompetencave si dhe për përmbushjen e sfidave, që lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu është autorizuar një ministër përgjegjës për çështjet vendore për negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes me njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Ky vendim vjen pas kritikave të njëpasnjëshme të kryeministrit Edi Rama ndaj pushtetit vendor dhe dorëheqjeve të drejtorëve të bashkisë dhe krerëve të njësive administrative.

Vendimi i Këshillit të Ministrave:

V E N D I M
PËR

AUTORIZIMIN E MINISTRIT PËRGJEGJËS PËR ÇËSHTJET VENDORE PËR NEGOCIIMIN DHE NËNSHKRIMIN E MARRËVESHJES ME NJËSITË E VETËQEVERISJES VENDORE PËR KRIJIMIN E PERSONIT JURIDIK SI SUBJEKT I KOMPETENCAVE TË PËRBASHKËTA ME VETËQEVERISJEN VENDORE PËR RRITJEN E KAPACITETEVE TË QEVERISJES VENDORE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 14, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Autorizimin e ministrit përgjegjës për çështjet vendore për negociimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes me njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas pikës 5, të nenit 14, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, për krijimin e subjektit të kompetencave të përbashkëta, në formën e organizatës jofitimprurëse, për zhvillimin e kualifikimin profesional të qëndrueshëm të të zgjedhurve, nëpunësve civilë dhe punonjësve të tjerë në njësitë e vetëqeverisjes vendore, me qëllim rritjen e performancës profesionale për t’u shërbyer komuniteteve dhe për t’i ndihmuar ato në përmbushjen e funksioneve të veta dhe kompetencave, sipas legjislacionit në fuqi, si dhe për përmbushjen e sfidave, që lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

2. Ndihmesa financiare konsiston në mbulimin e kostos fillestare të themelimit të subjektit të kompetencave të përbashkëta dhe të jo më pak se 50% të kostove operacionale të funksionimit të saj për tri vitet e para të funksionimit për përmbushjen e objektivave.

3. Ministri përgjegjës për çështjet vendore merr pjesë në komitetin drejtues të subjektit të kompetencave të përbashkëta.

4. Ndihmesa financiare, sipas pikës 2 të këtij vendimi, të parashikohet në buxhetin e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.

5. Ministri përgjegjës për çështjet vendore sigurohet që, për programet e ofruara, të merret pëlqimi paraprak nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike për miratimin e programit vjetor të trajnimit, pa penguar zhvillimin e realizimin e tij, me përjashtim të rastit kur për module përkatëse vërtetohet se është kryer planifikimi për vitin akademik përkatës nga ana e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike.

6. Ngarkohen ministri përgjegjës për çështjet vendore, Ministria e Financave dhe Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Paralajmerimi i ngritjes para dy vitesh

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku deklaroi se në fillim të vitit të ardhshëm do të ngrihet Akademia e Pushtetit Vendor. Kjo akademi do të synojë trajnimin e administratës së bashkive për çështje të ubanistikës,legjislacionit, prokurimeve, kontrollit të territorit, etj.

Ministri Mazniku theksoi nevojën për bashkëpunim mes pushtetit vendor dhe atij qendror. “Në kuadër të situatës ku gjendet vendi, në raport me afrimin me BE-në, dhe detyrat që vet bashkitë duhet të kenë në raport me këtë moment të rëndësishëm, përgatitjen për të absorvuar fonde nga BE, ashtu sikundër për të implementuar projekte të rëndësishme zhvillimore që do të afrohen”, tha Mazniku.

Ministri, po ashtu vuri në dukje se bashkitë do të duhet t’i përgjgjen edhe momentit tjetër në të cilin ndodhet vendi, atë të shndërrimit në një destiancion turistik.

“Shumë nga qytetet tona duhet të ofrojnë shërbime cilësore, jo vetëm për qytetarët e vendit, por duhet të jenë të gatshëm t’i ofrojnë shërbim cilësor një grupi të madh njerëzish që i bashkohen vendit tonë si turistë gjatë sezonit të verës, por jo vetëm”, u shpreh ministri.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular