Amendimi i 4 ligjeve aktuale që lidhen me planifikimin, zhvillimin, inspektimin, mbrojtjen dhe konfiskimin e ndërtimeve pa leje, si dhe ndryshime në Kodin Penal për mbrojtjen e territorit dhe mbrojtjen nga zjarri janë baza e paketës së masave ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit që u prezantua sot nga kryeministri dhe ministri i Drejtësisë.
Ky do të jetë dokumenti i parë që anëtarët e kabinetit të ri qeveritar do të duhet të firmosin sapo të betohen te presidenti.
Ndryshimet parashikojnë ashpërsim të masave për çdo cm katror që ndërtohet pa leje apo jashtë kushteve të lejes, që veç sanksioneve penale përfshijnë edhe konfiskime.
Do të hartohet një regjistër i ndërtuesve që shkelin lejen, që do të njihet si “lista e zezë” e ku përcaktohen penalitetet.
Pjesë e listës së zezë do të jenë edhe arkitektët që pranojnë të shkelin lejen, por edhe punonjësit e administratës së institucioneve që kanë për detyrë të mbrojnë territorin.
Parashikime ka edhe për ndërtuesit që shesin apartamente pa u dhënë leja e shfrytëzimit. Edhe ndryshimi i destinacionit të objektit do të dënohet.
Çdo objekt në ndërtim do të ketë një inspektor përgjegjës që duhet të raportojë online për ecurinë.
Propozohen ashpërsime të dënimeve në Kodin Penal si për ndërtimet pa leje, ashtu edhe për zjarrvënien. Por kryeministri e shpreh hapur mosdakordësinë: ai kërkon barazimin e dënimit për zjarrvënie me atë për vrasjen.
Për vendosjen e karrigeve dhe tendave të bizneseve, veç lejes do të kërkohet me detyrim edhe mbjellja e pemëve.
Skeptikët Rama i siguron se kjo vëmendje mbi mbrojtjen e territorit nuk do të jetë një aksion apo operacion i radhës që zgjat pak ditë.
Ndërtimet pa leje, Rama paralajmëron inspektorët: Do dënohen për shkeljet
ryeministri Edi Rama paralajmëroi përgjegjësi direkte mbi inspektorët që mbrojnë territorin. Ai tha se çdo zonë do të ketë përgjegjësi të drejtpërdrejtë mbi inspektorët përkatës. Po ashtu, çdo ndërtim me leje do të ketë një inspektor.
“Ata të tjerët që i panë dhe i lanë do të jenë pjesë e një zinxhiri përgjegjësish të ndara. Çdo zonë do të ketë përgjegjësi të drejtpërdrejtë mbi inspektorët përkatës. Çdo ndërtim me leje do të ketë inspektor përkatës dhe gjithë ato paçavuret që janë për t’u çuar nëpër shkolla riedukimi për tu thënë njerëzve shiko çfarë të bën analfabetizmi i ca inspektorëve në Vlorë atje që certifikojnë çdo lloj shkelje të mundshme nuk do të jenë të mundura sepse do të dënohet inspektori drejtpërdrejt. Të gjithë raportimet nuk do jenë më raportime mes injorantësh, por online që do i shohin të gjithë”, tha Rama.
Sipas tij, këto masa janë domosdoshmëri e madhe për të lënë pas këto fenomene.
Rama i ashpër me ndërtuesit e arkitektët: Po na ktheni në kohërat e luftës!
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj fenomeneve të ndërtimit abuziv dhe deformimeve të hapësirave publike në kryeqytet, duke vënë në shënjestër si ndërtuesit, ashtu edhe arkitektët e papërgjegjshëm që, sipas tij, lejojnë transformimin e projekteve fillestare për përfitime personale.
Ai kritikoi ashpër edhe mënyrën se si hapësirat urbane po deformohen nga biznese që shfrytëzojnë trotuaret, duke i krahasuar kushtet e ecjes në rrugë me “kohët e luftës”: “
“Duken ato si kopshtet e Babilonisë, se atë blejnë njerëzit. Ka një ndërtues këtu në Tiranë që ka marrë një leje me një fasadë që ishte e gjitha e gjelbër, këmbë peme nuk ka aty, por nuk do marrë më kurrë leje, sepse njerëzit që kanë paguar aty, kanë paguar edhe pemët. Ti shkon dhe blen apartament dhe shpreson për një komshi të mirë, por të bie përballë një axhustator dhe hap një axhusteri, dhe është si të bjerë dita. Dita kur sharrohet një dërrasë, tik e sharrën në tru dhe mezi pret ditën kur ngjitet ndonjë gomë biçiklete dhe ti nuk kupton gjë. Po a jetohet kështu?
Kështu që besoj se të gjitha këto adresime janë të duhurat. Është një nen masiv që është përdorur në mënyrë abusive, 6 dhe 7, se e mësova dhe unë. Thoshin: kur flisje shumë, 7 është e tmerrshme. ‘Leje për punë përgatitore.’ E kam lejen, thotë ai, e ka zënë gjithë lagjen ai dhe thotë ‘e kam lejen.’
Shyqyr që doli dhe kreativiteti vlonjat, në Lungomare, doli pergolata prej hekuri. Kur dëgjon ‘pergolatë’, thua do shkoj nën ndonjë hardhi dhe do bëj dhe rrush. Atje është hekur gjithandej dhe u mbush Shqipëria me pergolata hekuri, dhe pemët i fusin brenda në lokal, ndërkohë që njerëzit nuk dinë nga të kalojnë, dhe na detyrojnë të gjithëve të ecim si në kohët e luftës: burri para, gruaja mbrapa.
Çudi e vogël në fund fare: rresht për një të gjithë, se s’ka trotuar, dhe ndërkohë, tik e rreshtin tjetër. Tjetri ka rreshtin e vet dhe hajde merre vesh se si bëhet qarkullimi i këmbësorëve.
Më dërgonte dikush një video: ‘Shihe mor shefi si ecin këto!’ Nuk e di. Trotuari i zënë këtej dhe poshtë pemës të gjithë me karrige, që ti të jesh duke pirë kafe, ai vjen parkon makinën, ti ha goditje me derë dhe i bie dikujt tjetër sipër me shpresën që aty s’po kalon njeri e të vrasësh një fëmijë të vogël. Jeta urbane e kryeqytetit!”, tha Rama.
Në fund kryeministri u bëri një thirrje arkitektëve të mos i lënë ndërtuesit të deformojnë projektet e tyre, pasi në të kundërt do bien vetë në “ndonjë gropë”, duke iu referuar masave ndëshkuese që mund të marrin.
“Duhet të mendojmë si njerëz që jetojmë në këtë qytet, rrisim fëmijët, dhe ua them arkitektëve: bëhuni burra, se ju burra jeni, më pak trima, dhe vërini kufijtë ndërtuesve: ‘Ky është projekti im dhe pikë! Mos dilni!’ Dhe s’do e bëjnë më.
Vjen Kengo Kuma, që e kërkon gjithë bota, dhe këtu i del jashtë kontrollit projekti, se arkitekti lokal thotë: ‘Lëreni kinezit, se është për fasadë ai, por le të kapim ndonjë lek.’
Nis tjetri projektin nga Japonia me dru, dhe sheh ti, kthehet në studio lokale me hekur, me argumentin se ne nuk jemi si në Japoni me drurin material tonin, por ne kemi hekurin! Shpresoj të na ndihmoni dhe mos bini në ndonjë gropë, se nuk ju nxjerrim dot pastaj. Po ratë, nuk ju nxjerr dot njeri, dhe thoni sa të doni ‘jam arkitekt’, do shkoni me radhë te supa.”, përfundoi kryeministri fjalën e tij.







