HomeOP EDA po i beson New York drejtimin një socialisti?

A po i beson New York drejtimin një socialisti?

NGA AGRON LOCI 

Me fitoren e tij në garën e primareve mes kandidatëve demokratë, për të qenë përfaqësuesi i tyre në zgjedhjet e ardhshme për postin e kryetarit të bashkisë së qytetit më të madh dhe më të rëndësishëm në SHBA, New Yorkut, Zohran Mamdani, ka shkaktuar “një tërmet” në establishmentin politik amerikan.

Dalja në skenën politike, e këtij të riu vetëm 34 vjeç, që deklarohet si përfaqësues i demokratëve “socialistë”, besimtar i devotshëm mysliman, me një qasje të re për politikat lokale, një mbështetës i hapur ndaj çështjes së Palestinës, pikërisht në qytetin me numrin më të madh të banorëve hebrenj në botë dhe që premton e beson se vetëm një qasje ekonomike populiste e majtë është mundësia më e mirë për të adresuar problemet e banorëve të bashkisë më të madhe në SHBA, ka nxitur debate dhe reagime të shumta si në politikë, në media dhe në rrjetet sociale.

Në fakt, do të mjaftonte vetëm të deklarosh se je një demokrat “socialist” që politika dhe media tradicionale amerikane të ngrinin pyetjen se si mundet që dikush të deklarohet “socialist” në vendin që kapitalizmin e ka fe, e ka bindje të palëkundur?

Në vendin që të gjithë suksesin e ka të lidhur pikërisht me hapësirat dhe mundësitë që të ofron kapitalizmi.

Për më tepër si mundet që në kryeqytetin “simbol të kapitalizmit” në NYC, ku ka më shumë miliarderë se në çdo qytet tjetër në botë, të pretendojë të drejtojë një politikan që deklarohet pa droje se “është socialist”?

Një politikan që mendon se “miliarderët nuk duhej të ekzistonin”, dhe që për çudi arrin të marrë mbështetje nga disa prej tyre.

Për SHBA sidomos pas vitit 1945 socializmi e komunizmi janë konsideruar gjithnjë si sinonime të “antiamerikanizmit” ndaj tingëllon si ngjarje me përmasa apokaliptike që një i ri, që nuk ka lindur në ShBA, që ka marrë nënshtetësinë amerikane më 2018, të arrijë të marrë një mbështetje të tillë.

Pas fitores spektakolare vetëm disa ditë më parë, nisur nga deklaratat e premtimet e bëra nga ana e tij, nuk do të vononte sulmi nga përfaqësues të shumtë republikanë që e quajnë “komunist”, “socialist”, “xhihadist”, “antisemit” dhe në shumë raste komentet për të janë të shoqëruara me një fjalor racist, kërcënues, denigrues, islamofob. Madje, vetë presidenti Trump është prononcuar disa herë gjatë kohëve të fundit. E ka quajtur “socialist”, “komunist lunatik”, një njeri me “nivel të ulët inteligjence” apo se “nëse pengon angazhimin e strukturave federale në çështjen e emigracionit të paligjshëm do ta burgosë”, se do të vlerësonte opsionin për ta deportuar apo për t’i hequr nënshtetësinë amerikane e deri tek deklarata e bërë vetëm pak ditë më parë se në rast fitore të një “komunisti” si Mamdani, Washingtoni zyrtar mund të marrë përsipër “të qeverisë” vetë New York-un.

Ndërkohë eksponentët më të rëndësishëm të së majtës demokrate, që për koincidencë janë pikërisht nga qyteti i NYC, si senatori Schumer apo kongresmeni Jeffries, janë shprehur skeptikë në mbështetje të tij. Për ta “socializmi” dhe qëndrimi i hapur pro Palestinës, “dënimi i genocidit” në Gaza, mbi të cilat Mamdani deklarohet hapur, janë një “no go” ndaj dhe mbështetja e tyre për të duket e vështirë.

Por çfarë përfaqëson Zohran Mamdani që ka turbulluar kaq shumë politikën amerikane

Lindur në Uganda me prindër me origjinë nga India, ai ishte vetëm gjashtë vjeç kur preku për herë të parë tokën amerikane. Gati të tërë jetën e ka kaluar në qytetin e NY dhe pavarësisht se nga ana ekonomike familja ka qenë mirë, me një baba profesor universiteti dhe një nënë regjisore filmash, qëndrimet e tij kanë qenë gjithnjë në mbështetje të shtresave të varfra dhe të margjinalizuara njujorkeze. Duke qenë i zgjedhur në pushtetin lokal, ai është një njohës i mirë i problemeve dhe situatës me të cilën përballen miliona njujorkezë të thjeshtë, larg peshës së Wall Strët, shkëlqimit të Broadway apo luksit të Manhattan. Ai akuzon dhe sfidon politikën federale dhe lokale për keqqeverisje me premtimin se do të bëjë më mirë dhe do qeverisë ndryshe për t’u mundësuar bashkëqytetarëve të tij një jetë më dinjitoze para së gjithash më të përballueshme.

Megjithëse i ri në moshë, pa eksperiencë të gjatë politike, me një buxhet shumë të ulët, ia doli të fitojë betejën më të rëndësishme politike pas një fitoreje spektakolare në garën mes kandidatëve demokratë. Madje ajo që bën përshtypje është se në këtë garë ai mposhti një ndër fajkonjtë e vjetër politikë, tre herë guvernatorin demokrat të New York-ut, një përfaqësues të dinastisë politike njujorkeze, si Andrew Cuomo, me një diferencë dhe mbështetje që nuk kish ndodhur ndonjëherë në historinë e primareve demokrate. Për më tepër kjo fitore u arrit ndaj një konkurrenti, i cili pati një mbështetje të madhe mediatike, politike, por edhe financiare madje nga miliarderë që vetëm pak muaj më parë patën mbështetur presidentin Trump.

Në fakt, fitorja e tij shihet si një ndërthurje mes karizmës, njohjes së mirë të realitetit dhe kërkesave të votuesit, ofrimit të alternativave politike që kanë gjetur rezonancë në një pjesë të mirë të banorëve njujorkezë pavarësisht qasjes ideologjike, për adresimin e vështirësive ekzistenciale me të cilat përballen sidomos rinia, studentët, punëtorët, grupet e ndryshme etnike dhe sociale, fushatë kjo e kombinuar me praninë e madhe në rrjetet sociale si dhe me kontaktet “derë më derë” për të prezantuar platformën e tyre.

Por cilat ishin premtimet e tij që kanë marrë mbështetjen, por njëkohësisht edhe reagimin e politikës e medias ?

Ndër premtimet kryesore janë ofrimi falas i shërbimit urban për New York, përkujdesja pa pagesë për fëmijët deri në moshën 5 vjeçare, ngritja e qendrave tregtare me çmime të ulta për banorët, ndërtimi i banesave sociale duke iu ofruar banorëve me çmime të lira, ngrirja e nivelit të qirave për rreth 2 milionë njujorkezë me të ardhura të ulta, rritjen e pagesës së orës së punës deri në 30 $ deri në 2030. Financimin e këtyre premtimeve ai deklaron se do ta realizojë si një kombinim mes fondit federal dhe një politike të re taksimi ku parashikon një rritje të taksave për korporatat dhe milionerët e qytetit.

Por si shpjegohet që dalja në skenën politike amerikane e një individi të tillë që me premtimet e tij për efikasitetin e politikave populiste të majta në përballimin e zgjidhjen e problemeve ekonomike dhe sociale të marrë një mbështetje të tillë?

Është vetëm karizma e tij pas së cilës fshihet një përmbajtje bosh e cila do të shfryhet shumë shpejt nga pamundësia apo pengesat për të realizuar ato që premton apo dalja e tij në këtë moment lidhet me shkaqe më të thella që nuk mund të anashkalohen apo mbulohen dhe që kanë nevojë për një analizë të thellë?

Në fakt, situata aktuale në SHBA karakterizohet nga një mjedisi politik tejet i polarizuar. Republikanët falë fuqisë legjislative që kanë janë të vendosur të përmbushin ato premtime që bënë gjatë fushatës presidenciale. Por shumë prej tyre po rezultojnë se bartin kosto jo vetëm ekonomike, por edhe sociale si dhe nuk kanë përmbushur pritshmëritë e shumë votuesve që i besuan me shpresën për ndryshime të shpejta. Kjo ka bërë, ashtu siç tregojnë sondazhet e kohëve të fundit, që mbështetja e republikanëve në gjashtë muajt e parë të drejtimit të vendit të ketë rënë. Miratimi i disa ligjeve të kontestuara, siç ishte ai i dy javëve më parë, i ashtuquajturi “big beautiful bill”, që pritet të shihet se çfarë ndikimi do të ketë me kalimin e kohës mbi çështje shumë të rëndësishme që lidhen me përkujdesjen shëndetësore, arsimin, mjedisin, rritjen e borxhit federal, sistemin e ri të taksimit, që në thelb favorizon më të pasurit, apo dhe mënyra sesi po zgjidhet çështja e emigracionit të paligjshëm një ndër kryesoret që i dha mandatin republikanëve, e deri tek efekti i tarifave doganore apo efikasiteti për t’i dhënë zgjidhje konflikteve në botë, duket se nuk kanë përmbushur pritshmëritë tek shumë amerikanë.

Por pavarësisht kësaj pakënaqësie për politikat republikane edhe demokratët nuk është se gjatë këtyre muajve e kanë rritur mbështetjen e tyre. Përkundrazi, sondazhet e fundit tregojnë se miratimi i qëndrimeve të tyre ka mbështetje shumë të ulët.

Fakt është se qysh nga humbja e zgjedhjeve presidenciale në nëntor ata ende nuk kanë bërë një analizë mbi shkaqet e asaj humbje. Por vazhdojnë të sillen si në një rreth vicioz pa arritur të ofrojnë alternativa dhe figura të besueshme qeverisëse.

Pikërisht në këtë situatë del në skenën politike një i ri që përmes alternativës që ofron trazon jo pak politikën.

Në fakt, “fenomeni Mamdani” nuk lindi nga Hiçi. Për më tepër ai nuk lindi këto muajt e fundit, apo qysh nga momenti kur ai vendosi të angazhohej në politikën e madhe për t’u zgjedhur kryetar bashkie. Dalja e tij është pasojë e zhvillimeve të brendshme në SHBA të ndërthurura me zhvillimet në nivel global prej shumë dekadash.

Qysh prej fundit të 80 neoliberalizmi ekonomik ka qenë modeli kryesor ekonomik në SHBA model që bazohet në një grup idesh në mbështetje të tregtisë së lirë kapitaliste. Me rënien e komunizmit dhe hapjen e tregjeve në këto vende, por edhe hapjen e tregjeve të mëdha aziatike apo edhe në jugun e globit, tregtia e lirë, shkëmbimi i lirë i mallrave, shërbimeve, ideve filloi të aplikohej në pjesën më të madhe të vendeve të botës duke e kthyer atë në një treg të madh global. Globalizmi kthehet në një fenomen mbarëbotëror. Ai ndikon në rritjen ekonomike në shumë vende, por bart me vete edhe fenomene të tjera.

Kapitali i madh, korporatat miliardere fillojnë të transferojnë linjat e prodhimit industrial si dhe know how nga fabrikat në perëndim drejt vendeve që kanë kosto të ulët të fuqisë punëtore dhe afër burimeve të lëndëve të para. Ky është ai që njihet si “fenomeni i deindustrializimit” që shoqërohet me shkurtimin e shumë vendeve të punës në Perëndim. Por ashtu siç pritej që fitimet e këtyre miliarderëve dhe korporatave në kushtet e globalizmit të ishin të mëdha, dështon e ashtuquajtura “trickle down economics” që justifikonte uljen e taksave për ta me idenë se me rritjen e fitimeve do të përfitojnë shumë njerëz përmes riinvestimit të fitimeve duke krijuar vende të reja pune e për pasojë edhe mirëqenie për shumë njerëz. Në fakt, me kalimin e kohës pasuria filloi të përqendrohej në duart e gjithnjë e më pak njerëzve, ndërsa kemi një polarizim të madh që shkon në dëm të shtresës së mesme dhe punëtorëve.

Ky fenomen ndihet edhe më shumë në SHBA si vendi me industrinë më të zhvilluar në botë. Por nëse neoliberalizmi si qasje ekonomike mori jetë nga një president republikan konservator si Reagan edhe demokrati Clinton, por edhe George W Bush vazhduan ta mbështesin këtë model ekonomik. I pari që filloi ta shikojë me skepticizëm efektin e tij ishte presidenti Obama duke e ndjerë presionin që i vinte nga votuesit e tij të majtë kryesisht nga shtresa e mesme dhe punëtorët ndërsa u përpoq të merrte masa për të taksuar më shumë të pasurit, por pa ndonjë efekt të madh. Fitorja e Donald Trump më 2016 ishte pikërisht sinjali se edhe shtresa e mesme madje edhe punëtorët mund të mbështesnin një individ qoftë ky i pasur, por që premton ekonomi më të mirë për të gjithë, rikthim të lavdisë së dikurshme të industrisë amerikane të prodhimit, e për pasojë edhe rikthimin e kohëve të begata të SHBA. Trump ishte i vendosur të godiste globalizmin pasi tek ajo ndërthurje ekonomike ai shihte venitjen e fuqisë ekonomike amerikane e cila sipas tij po vuan për shkak të Kinës, tregtisë së pabarabartë me vendet e tjera dhe emigracionit. Në të njëjtën kohë ai deklarohet edhe kundërshtar i qasjes neokonservatore në politikën e jashtme amerikane që kish qenë mbisunduese qysh nga koha e presidentit Wilson. Për të SHBA nuk kanë përse të shpenzojnë miliarda dollarë në misione apo ndërhyrje ushtarake jashtë vendit për të ruajtur paqen apo në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Por pavarësisht këtyre qëndrimeve presidenti Trump si gjatë presidencës së parë ashtu dhe gjatë këtyre muajve të parë të së dytës nuk ka arritur të shmangë tërësisht neoliberalizmin ekonomik brenda vendit si dhe neokonservatorizmin nga politika e jashtme. Ulja e taksave për të pasurit, shkurtimi i fondeve për programet e mbështetjes shëndetësore, qasja ndaj problemeve klimaterike etj. janë politika ekonomike neoliberale.

Ndërsa sulmi ushtarak ndaj Iranit pak ditë më parë është një qasje e pastër neokonservatore.

Ndërkohë fitorja e Biden në 2019 erdhi në radhë të parë nga mbështetja që i dha shtresa e mesme e lodhur me premtimet e pambajtura të Trump për një Amerikë sërish të madhe si dhe efektet dhe keqmenaxhimi i situatës me pandeminë. Por edhe Biden nuk arriti të shkëputet nga “loja e dyfishtë” që kishin bërë demokratët prej kohësh duke marrë votat e punëtorëve për t’i shërbyer më vonë të pasurve, korporatave. Pavarësisht se ai u përpoq të ndërmerrte disa nisma ligjore për të taksuar më shumë të pasurit apo në mbështetje të shtresës së mesme, zgjerimit të programeve të asistencës shtetërore etj., në pjesën më të madhe të tyre për shkak të trysnisë politike apo gjykatave, ato mbetën vetëm premtime, të cilat nuk arritën të kthehen në ligj. Inflacioni post – covid dhe efektet e tij në ekonominë amerikane para së gjithash tek shtresa e mesme që për shkak të politikave ekonomike ndër dekada po zvogëlohej, ishin ato që goditën shpresat e demokratëve për të vazhduar qeverisjen. Kamala Harris e kuptoi dy muajt e fundit të fushatës së saj të shkurtër se ekonomia dhe para së gjithash inflacioni ishin kartat që duheshin luajtur në fushatë dhe u përpoq që të tërhiqte pas vetes shtresën e mesme duke ju propozuar një paketë mbështetje dhe premtuar se në rast fitore ajo do të angazhohej në mbështetje të saj, por ishte shumë vonë. Demokratët kishin humbur, madje ende nuk kanë rifituar mbështetjen elektorale të asaj shtrese që ju kish dhënë gjithnjë pushtetin.

Është pikërisht kjo situatë dhe perceptimi i një pjese të konsiderueshme të banorëve të NYC, se dy partitë e mëdha, sado të ndryshme të duken në formë, në thelb janë për ruajtjen e status quo-së, për mbështetjen e të pasurve dhe aspak për interesat e tyre, që favorizoi daljen në skenë të Zohran Mamdanit.

Të këtij individi që kandidon nën siglën e demokratëve “socialistë”, që flet për nevojën e një qasje ndryshe në adresimin e problemeve, që kërkon një rishpërndarje tjetër të të ardhurave dhe që arrin të krijojë frymë, kohezion ndër shumë banorë që ndjehen të papërfaqësuar politikisht. Të këtij individi që nga shumë banorë sidomos të rinj por edhe punëtorë e nëpunës konsiderohet si një simbol i rezistencës ndaj status-quo-së, si një thirrje dhe shembull për nevojën e pjesëmarrjes së një brezi të ri në politikë. Gjithsesi deri në nëntor kur të mbahen zgjedhjet për kryebashkiakun e New York-ut është një kohë relativisht e gjatë dhe lë shumë pak vend për konkluzione të sakta. Deri atëherë mund të ketë shumë zhvillime. Pretendentët demokratë të mundur nga Mamdani si Cuoto ashtu dhe kryebashkiaku aktual Adams kanë premtuar se do të konkurrojnë si të pavarur duke shpresuar tek vota e elektoratit demokrat.

Në të njëjtën kohë me kalimin e ditëve me siguri që Mamdani-t do t’i duhet të përballet me situata dhe sfida shumë më të vështira, me aktorë që përfaqësojnë interesa të mëdha politike dhe ekonomike të cilët do të bëjnë gjithçka për të penguar një “socialist”, një “mysliman”, të bëhet kryebashkiaku i New York-ut. Pasi një sukses i tij do të ishte një ngjarje politike jo pa peshë që mund të ketë ndikim në peizazhin politik të ShBA.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular