HomeAktualitetMedia spanjolle rikthen në vëmendje vd*kjen e Saimir Sulës: Familja kërkon zbardhjen...

Media spanjolle rikthen në vëmendje vd*kjen e Saimir Sulës: Familja kërkon zbardhjen e misterit

Advertismentspot_img

Media spanjolle “The Objective” i ka kushtuar një artikull të gjatë çështjes së shqiptarit Saimir Sula, i cili ndërroi jetë në maj të vitit 2020 në një spital në Barcelonë dhe u riatdhesua në Shqipëri pa zemrën e tij. Gjashtë vite pas ngjarjes, familja vijon të kërkojë zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes dhe të zhdukjes së organit.

Sipas medias spanjolle, hetimi i nisur në Barcelonë është mbyllur nga drejtësia vendase ndërsa Prokuroria e Tiranës vijon të mbajë të hapur çështjen për trafik të mundshëm organesh. Megjithatë, hetimet shqiptare janë përballur me vështirësi për shkak të 14 provave të kërkuara nga autoritetet spanjolle, mes të cilave pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e mjekëve dhe personelit që ishte i pranishëm para vdekjes së Saimirit.

Një tjetër pikë e rëndësishme e artikullit është një zemër e mbërritur në Shqipëri në korrik të vitit 2023, me datë vdekjeje 22 prill 2020, ndërsa Saimir Sula ndërroi jetë më 9 maj të po atij viti. Deri më tani nuk është arritur të vërtetohet përmes analizës së ADN-së nëse organi i përket shqiptarit, për shkak të problemeve me ruajtjen e materialit biologjik. Avokati i familjes dhe të afërmit kërkojnë kryerjen e analizës, si dhe sigurimin e provave që sipas tyre, janë thelbësore për hetimin.

Artikulli ngre gjithashtu pikëpyetje mbi bashkëpunimin mes autoriteteve shqiptare dhe spanjolle. Gazetarja investigative Klodiana Lala shpreh dyshime për mungesën e progresit në sigurimin e provave, ndërsa sqaron se nuk ka prova që kryeministrat Edi Rama dhe Pedro Sánchez të kenë ushtruar presion për të penguar hetimet. Familja e Saimir Sulës kërkon rihapjen e çështjes në Spanjë, kryerjen e testit të ADN-së dhe zbardhjen e plotë të asaj që ndodhi me organin e munguar.

Artikulli i plotë nga THE OBJECTIVE

Në fillim të vitit 2020, shtetasi shqiptar Saimir Sula mbërriti në Barcelonë, ku u vendos të jetonte me motrën e tij, Majlindën, e cila banonte prej kohësh në kryeqytetin katalanas. Ai kishte si qëllim të gjente punë dhe të niste një jetë të re. Fillimisht nisi të shiste suvenire për turistët në rrugën La Rambla, më pas aplikoi në një thirrje për të përfituar leje qëndrimi në Spanjë dhe për të punuar si punëtor sezonal në vjeljen e frutave. Në maj të të njëjtit vit, në kulmin e krizës së pandemisë, u shtrua në spital me simptoma të temperaturës. Pak më vonë, motra e tij mori një telefonatë prej tij: “Eja shpejt, sepse po më vrasin”. Ishte 9 maji, ditëlindja e Majlindës.

Kur gruaja mbërriti në qendrën shëndetësore, vëllai i saj kishte ndërruar jetë. Fillimisht ai kishte rezultuar negativ në testin për COVID-19, më pas kishte tentuar të largohej nga spitali në gjendje agjitimi dhe, në fund, ishte neutralizuar nga rojet e sigurisë. Trupi u riatdhesua në Shqipëri, ku mjekët ligjorë zbuluan se i mungonte zemra. Në dokumentet e autopsisë nuk rezultonte se ishte hequr ndonjë organ. Gjashtë vjet më vonë, familja vazhdon të presë përgjigje.

Hetimi i drejtësisë në Barcelonë u mbyll, pasi nuk u konstatuan parregullsi apo lidhje shkakësore me plagët që kishte trupi i pajetë. Megjithatë, Prokuroria e Tiranës mban ende të hapur një çështje për trafik organesh, të cilën nuk ka mundur ta mbyllë, pasi nuk ka marrë 14 provat e kërkuara nga Spanja përmes disa letërporosive. Mes tyre janë pamjet e kamerave të sistemit të videovëzhgimit të spitalit, si dhe dëshmitë e rojeve të sigurisë që e mbajtën nën kontroll para vdekjes, të mjekëve të pranishëm dhe të mjekëve ligjorë që kryen autopsinë e parë.

THE OBJECTIVE ka siguruar dokumente gjyqësore nga çështjet e zhvilluara në të dyja vendet. Pas këmbënguljes disavjeçare të familjes, në korrik të vitit 2023 Shqipëria mori një zemër, me datë vdekjeje 22 prill 2020. Deri më tani, organi nuk ka mundur të identifikohet përmes një testi ADN-je, për shkak të vështirësive teknike që lidhen me faktin se ai mbërriti i konservuar në formalinë. Sipas denoncimit të familjes së të ndjerit, kjo ka dëmtuar materialin gjenetik dhe ka përbërë shkelje të procedurave të përcaktuara.

“Në Institutin e Toksikologjisë dhe Shkencave Ligjore e dinë që ne kërkojmë analizën e ADN-së, dhe megjithatë e ruajnë në formalinë?”, deklaron për THE OBJECTIVE Carlos Sardinero, avokati i familjes Sula. “Kemi një zemër që është ndarë nga trupi pa u vënë në dijeni mjekët ligjorë në Shqipëri: ata e konstatuan këtë kur trupi i Saimirit u riatdhesua. Na u deshën muaj për ta gjetur zemrën; më në fund u shfaq ajo që pretendohet se është zemra, por gjykata e shkallës së parë në Barcelonë nuk lejoi kryerjen e testit të ADN-së, megjithëse zinxhiri i ruajtjes dhe gjurmueshmërisë së provës ishte ndërprerë. Gjithashtu, nuk na u lejua të siguronim pamjet e kamerave për të parë nëse masat e kufizimit të tij kishin qenë proporcionale”, pohon ai.

Deri tani janë kryer ekzaminime mjekoligjore në Barcelonë, Tiranë dhe Bruksel. Avokati thekson se raporti i parë përcakton se “gjendja e agjitimit dhe masat e kufizimit kanë ndikuar në përfundimin fatal”, si dhe përshkruan një bllokim të lehtë arterial, i cili nuk rezulton në analizën e fundit të kryer në Belgjikë. Burime të tjera pranë çështjes hedhin hipotezën se një gabim në etiketimin administrativ të trupit të pajetë, në mes të kaosit të pandemisë, mund të ketë çuar në humbjen e organit.

Spitali del Mar në Barcelonë nuk kryen transplante zemre, një ndërhyrje komplekse që realizohet vetëm në pak salla operacioni. Përfaqësuesit e tij kanë përsëritur “ngushëllimet për familjen” dhe, në përgjigje të pyetjeve të këtij mediumi, kanë theksuar se “spitali ka bashkëpunuar në çdo moment me kërkesat e marra nga hetimi policor dhe gjyqtarët përgjegjës për çështjen”, e cila është “mbyllur në të gjitha shkallët e gjykimit, vendim të cilin Spitali del Mar e respekton”.

Gjithashtu, spitali deklaron se “nuk ka marrë asnjë kërkesë për informacion dhe/ose dëshmi të profesionistëve të qendrës drejtpërdrejt nga drejtësia shqiptare”.

Letërporositë kalojnë përmes institucioneve gjyqësore të të dy vendeve dhe disa zyrave qeveritare. Ministria spanjolle e Drejtësisë ka deklaruar: “Në lidhje me çështjen gjyqësore të hapur në Shqipëri për një vepër të mundshme penale të trafikimit të organeve, e lidhur me zhdukjen e zemrës së Saimir Sulës pas vdekjes së tij në një spital të Barcelonës në vitin 2020, mund të konfirmojmë se nga Spanja janë proceduar të gjitha letërporositë ndërkombëtare të marra në lidhje me këtë çështje”.

Sipas qendrës shëndetësore, “masat e kufizimit fizik zbatohen në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, duke pasur parasysh përdorimin e forcës minimale dhe të domosdoshme, të përshtatur për të garantuar sigurinë dhe duke ndjekur parimin e proporcionalitetit, me qëllim zvogëlimin e dëmeve të mundshme”.

Shërbimi i sigurisë është kontraktuar nga jashtë te kompania Sabico, me drejtuesit e së cilës kjo gazetë është përpjekur të kontaktojë pa sukses. Nga ana tjetër, Prokuroria e Tiranës ka refuzuar të japë detaje për hetimin, me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, Olsian Çela. “Prokurori i Përgjithshëm ka vendosur të mos japë intervistë për shkak të ndjeshmërisë së çështjes”, është shprehur një punonjëse e institucionit.

Mungesë bashkëpunimi nga ana e Spanjës

“Kam dyshime nëse Spanja dëshiron ta hetojë këtë çështje, e cila ndodhi gjatë pandemisë. Shumë familje mund të hapin çështje të tjera në vend për shkak të asaj që ndodhi në spitale. Ata kanë frikë”, dyshon Klodiana Lala, gazetare investigative e televizionit Neës 24.

Edhe pse pranon se “sistemi gjyqësor këtu është i mbingarkuar”, ajo konsideron se “problemi kryesor” për të cilin drejtësia shqiptare nuk ka mundur ta mbyllë çështjen edhe pas gjashtë vitesh është “fakti që Spanja nuk dëshiron ta hetojë këtë çështje”.

“Nëse do të dëshironin, mund të krijonin një grup të përbashkët hetimor mes dy vendeve”.

“Pse mungojnë pamjet e kamerave? Pse nuk kanë ardhur mjekët për të dëshmuar para gjyqtarit?”, pyet gazetarja, e cila kujton se në raste të tjera që përfshijnë të dyja vendet ka pasur një bashkëpunim të mirë, por në këtë rast nuk ka qenë e mundur që drejtësia të marrë dëshmitë e “personave të fundit që e panë Saimirin”.

Ajo sqaron se nuk ka prova që qeveria e Pedro Sánchez – e cila ka të njëjtin orientim politik me qeverinë e Edi Ramës – t’i ketë bërë presion këtij të fundit, apo që ministrat shqiptarë t’i kenë bërë presion drejtësisë. Sipas Lalës, qeveria e republikës ballkanike “ka pasur hezitime” në planin e brendshëm, por publikisht është përpjekur të krijojë përshtypjen se i jep përparësi kësaj çështjeje.

“Kam qenë ministër dhe zëvendësministër i Drejtësisë së Shqipërisë për tetë vjet dhe gjithmonë kemi pasur bashkëpunim të mirë me Prokurorinë dhe Drejtësinë e Spanjës”, shprehet Eduard Halimi, avokat që njeh si legjislacionin e këtij vendi, ashtu edhe çështjen, pasi është një nga juristët që ka përfaqësuar familjen. Ai shpjegon se ekzistojnë marrëveshje dypalëshe, që kanë si qëllim “lehtësimin” dhe “jo bllokimin” e hetimeve.

Republika ballkanike, e cila synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ka “shumë probleme dhe një prej tyre është, sigurisht, pavarësia e gjyqësorit”, vëren juristi. Një çështje që dikur blloku evropian u përpoq ta ndryshonte pa sukses përmes një reforme. Ai mendon se, përtej procedimit të hapur në Prokurorinë e Tiranës, “duhet të kryhet një hetim në Spanjë”, megjithëse dyshon se kjo do të ndodhë për shkak të frikës nga dëmshpërblimet e mundshme.

Ai shpjegon se vendi i tij është pjesë e shumë traktateve që e përafrojnë legjislacionin e tij me atë evropian. Megjithatë, sistemi ligjor shqiptar ka një veçori: faza e hetimit paraprak nuk ka afat për parashkrimin e veprës penale, përveç rastit kur identifikohet një person konkret si i pandehur. Kjo shpjegon pse, në disa raste, procedurat mund të zgjasin kaq shumë, siç ka ndodhur edhe me këtë çështje.

“Sa e vështirë është të bëhet një test ADN-je, një analizë e thjeshtë, ekonomike dhe e shpejtë, brenda gjashtë vitesh?”, pyet Majlinda Sula, motra e Saimirit.

“I kërkoj zotit [Félix] Bolaños dhe Pedro Sánchez të mos heshtin dhe që mjeku ligjor, i cili tashmë e di se çfarë ndodhi me zemrën e Saimirit, të dëshmojë para gjyqtarit”, vijon ajo. Gjithashtu, i kërkon drejtësisë “ta rihapë çështjen në Spanjë dhe të kryejë testin e ADN-së me mostrën që, sipas ligjit, ruhet e ngrirë në Institutin Kombëtar të Toksikologjisë dhe Shkencave Ligjore të Barcelonës”.

“Ata po fshehin diçka. Është e qartë se janë përpjekur shumë për të fshehur të vërtetën: Saimiri është varrosur pa zemër, ndërsa zemra që ata mbajnë të ruajtur në frigorifer ka datën e vdekjes 22 prill, kurse Saimiri vdiq më 9 maj. Vetëm ADN-ja mund të vërtetojë nëse është e tij. Faktet flasin”, përfundon ajo.

Dhe shton: “Është një provë e domosdoshme për hetimin dhe fakti që refuzohet më ngjall dyshime. Familja nuk mund të vazhdojë më ta përballojë këtë torturë psikologjike”.

/ Marre nga “Boldnews.al“

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular