Këshilltarët socialistë të Bashkisë së Tiranës do të mblidhen nesër, më 17 shtator, ku një ndër temat e diskutimit do të jetë nisja e procedurave për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Mbledhja pritet të nisë në orën 17:00, në selinë e PS-së dhe ftesën për mbledhjen e kanë marrë vetëm anëtarët socialistë të Këshillit Bashkiak.
Ky është veprimi i parë për nisjen e procedurave për shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës, i cili ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti.
Sjellim ndërmend se në Asamblenë e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama tha se kryeqyteti nuk mund të presë më asnjë ditë duke ia lënë drejtimin një kryetari të pazgjedhur me votë. Rama deklaroi se nuk do të presin procesin e nisur nga drejtësia, por do të futen në garë me kandidaturën e Ogerta Manastirliut për të kërkuar të marrin sërish drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
Si rezultat kryeqyteti dhe 5 bashki të tjera do të shkojnë në zgjedhje brenda kësaj vjeshte.
Veç Tiranës, në zgjedhje do të shkojë edhe Vlora pas dorëheqjes së Ermal Dredhës, Cërriku pas zgjedhjes së Ramës për ta bërë ministër Bujqësie kryebashkiakun e tij, si dhe Berati, Mati dhe Tepelena.