Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë lënë në fuqi këtë të enjte, më 18 shtator, masën e paraburgimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Sjellim ndërmend se të tre këta, sëbashki me ish-presidentin dh eish-kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçin, po akuzohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Duke iu referuar tri vendimeve të datës së sotme, Betimi per Drejtesi raporton se Prokuroria ka pretenduar se “ekziston rreziku që tre të akuzuarit t’i ikin drejtësisë, të kryejnë krime të tjera dhe të pengojnë drejtësinë.”
Sipas vendimit të trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Charles Smith III, megjithëse nuk ka informacion të mjaftueshëm që të tregojë se të akuzuarit do të iknin nga drejtësia në rast se lirohen, ekziston rreziku që ata të pengojnë procedurat gjyqësore dhe të ushtrojnë presion mbi dëshmitarët.
Ndërkohë, sjellim më 15 shtator 2025 kanë nisur dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtjes. I pari që dëshmoi ishte James Rubin, ish-ndihmës i Sekretarit Amerikan të Shtetit, i cili dëshmoi për tri ditë radhazi (15–17 shtator). Pas tij, dëshmoi eksperti ligjor Paul Williams, më 17 dhe 18 shtator.
Pak ditë më parë, më 14 shtator, në Hagë u zhvillua një protestë masive në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, me pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora.
Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara, çështja e mbrojtjes pritet të përfundojë më 14 nëntor 2025, ndërsa parashtresat përfundimtare dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara ndaj viktimave do të dorëzohen deri më 22 dhjetor. Prokuroria ka përfunduar paraqitjen e provave që në prill të këtij viti.