Partia Socialiste i ka drejtuar kryeparlamentarit Niko Peleshi kërkesë zyrtare për marrjen e masave disiplinore ndaj disa deputetëve të Partisë Demokratike, pas tensioneve të forta gjatë seancës së fundit plenare në Kuvend.
Në shkresë thuhet se në seancën që supozohej të ishte akti i parë institucional që përcakton drejtimin politik dhe përbërjen ekzekutive të qeverisë së re, nuk u respektua nga ana e deputetëve të Partisë Demokratike.
“Gjatë kohës që kryeministri ishte në foltore për fjalën e tij, deputetët e opozitës filluan që përmes zhurmave, thirrjeve, rënies me dorë të tavolinave dhe duke u ngritur në këmbë, penguan fjalën e tij”, thuhet në shkresë.
Për mazhorancën, goditja me sende të forta disa herë, në drejtim të kryetarit të Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave nga deputeti Fidel Kreka dhe kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi, është e paprecedentë.
Deputetët demokratë që sipas PS-së, bllokuan foltoren janë:
Gazment Bardhi, Klevis Balliu, Luçiano Boçi, Fidel Kreka, Oerd Bylykbashi, Ina Zhupa, Albana Vokshi, Saimir Korreshi, Gent Strazimiri, Elda Hoti, Xhelal Mziu dhe Lediana Alolli.
PS kërkon mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën për vlerësimin e masës disiplinore.
Kujtojmë se seanca e sotme, 18 shtator, zgjati shumë pak dhe doli jashtë parashikimeve me përplasje të forta mes palëve. Kryeministri nuk arriti ta përfundonte fjalën e tij mbi programin qeverisës, ndërsa ky i fundit u miratua mes zhurmës me 82 vota pro.
Fjala e ministres virtuale ndezi debatet, pasi opozita e konsideroi tallje. Ndërkohë, Rama njoftoi se brenda këtij viti, Diella, që sot mbajti fjalën e parë nga monitorët, do të jetë fizikisht e pranishme në tryezën e qeverisë.