Kanë qenë momente të tmerrshme, të papërjetuara më parë në Europë. Tre avionë luftarakë Mig-31 që ishin në fluturim mbi Detin Baltik papritur devijuan mbi ishullin estonez Vaindloo. Një shkelje formale e hapësirës ajrore të Talinit, dhe për rrjedhojë e NATO-s, që u kthye në një provokim të hapur kur njësia ajrore e Moskës u drejtua direkt drejt kryeqytetit. Këta avionë nuk janë vetëm më të shpejtët e forcave ajrore ruse, të aftë të arrijnë 3 mijë kilometra në orë, por janë edhe të vetmit që mund të lëshojnë raketat hipersonike Kinzhal, për të cilat Perëndimi praktikisht nuk ka mbrojtje.
Ndërmjet komandës operative dhe selisë qendrore të Aleancës filluan konsultime aq të shpejta sa edhe të ethshme. Problemi i parë ishte të kuptohej se çfarë synonin të bënin avionët Mig-31: nuk përjashtohej as mundësia që ata të drejtoheshin drejt bazës Ajrore të Amarit, baza më e afërt e NATO-s me kufirin rus.
Prej dhjetë vitesh avionët rusë shpesh hyjnë pa paralajmërim në zonën e kontrollit ajror të Estonisë, larg kufijve: ata e konsiderojnë qiellin mes Shën Petersburgut dhe enklavës së Kaliningradit, e cila ndodhet në territorin e Polonisë, si pjesë të Rusisë. Republika e vogël baltike ka vetëm 1.3 milion banorë dhe nuk disponon as forcë ajrore, as sisteme të mbrojtjes kundërajrore: ajo mbrohet nga NATO, me trupa nga shtete të ndryshme që ndërrohen çdo katër muaj. Distancat në vend janë shumë të vogla: nga ishulli Vaindloo në kryeqytet janë rreth 100 kilometra dhe edhe 40 të tjera deri në aeroportin e Amarit. Një rrugë që avionët Mig-31 mund ta përshkojnë për disa sekonda. Përballë një situate kaq të rrezikshme, drejtuesit e NATO-s urdhëruan një reagim të bazuar në kujdes maksimal: tensionet në kufirin lindor janë shumë të mëdha dhe nuk mund të rrezikohej. U vendos të veprohej me vendosmëri, por pa asnjë gjest që mund të shihej si agresiv, për të mos i dhënë Kremlinit një pretekst për të shkaktuar një incident.
Në atë moment, alarmi u transmetua në Amari. Aty, që nga fundi i korrikut janë të vendosur katër avionë F-35 italianë, me ekuipazhe nga grupi i 32-të ajror i Amendola (Foggia) dhe grupi i 6-të ajror i Ghedi (Brescia). Dy avionë luftarakë janë gjithmonë në gatishmëri të lartë, me katër raketa ajër-ajër në bord, ndërsa pilotët dhe teknikët qëndrojnë gati për ngritje brenda tre-katër minutash kur bie sirena e ngjitjes. Vetëm gjatë gushtit, dy herë janë ngritur për të identifikuar avionë rusë që kanë hyrë papritur në rrugët ajrore civile mbi Baltik.
Dje, ulërima e sirenës i vuri pilotët përballë një realiti shqetësues. Kur u futën në kabinë dhe ndezën motorët, komanda u paraqiti një skenar fare pranë luftës: Avionë Mig-31 po fluturonin rreth Talinit, rreth tridhjetë kilometra larg bazës së tyre. Janë kohë dhe distanca të jashtëzakonshme, tipike për përballje ajrore të afërta të njohura si “dogfight”, të bëra të famshme nga filmi “Top Gun”.
Për këtë arsye, dy avionët luftarakë u ngritën shpejt, por nuk u drejtuan menjëherë ndaj njësisë ajrore ruse: oficerët italianë bënë një manovër të gjerë, duke u larguar nga sulmuesit, në mënyrë që të shiheshin. Në mënyrë paradoksale, ata hoqën dorë nga “padukshmëria”, tipari kryesor i avionëve F-35. Dhe, sapo rusët e kuptuan mbërritjen e tyre, ata u kthyen drejt detit dhe u larguan. Nga pikëpamja teknike, Mig-31 nuk do të mund të përballonin avionët italianë të gjeneratës së gjashtë, të pajisur me pajisje elektronike që mund të verbojnë radarët e tyre. Por në këtë përballje, kapacitetet ushtarake nuk ishin prioritare: qëllimi ishte të shmangej çdo përplasje.
Në Estoni ka edhe një mburojë tjetër italiane: një bateri raketash tokë-ajër Samp-T, sistemi më i mirë europian, i angazhuar në një tjetër mision të NATO-s. Radarët e zbulimit janë gjithmonë të ndezur, por personeli i ushtrisë nuk aktivizoi sensorët e shënjestrimit, sepse kjo do të konsiderohej nga pilotët rusë si një akt armiqësor.
Avionët Mig-31 qëndruan në hapësirën ajrore estoneze për dymbëdhjetë minuta: një kohë shumë e gjatë për standardet e reagimit të NATO-s. Çdo veprim u diktua nga komanda e aleancës, e cila duket shumë e kënaqur me mënyrën se si vepruan ushtarët italianë. Qëllimi i Kremlinit duket i qartë: me hyrjen e avionëve, ai iu përgjigj vendimit të NATO-s për të forcuar kufirin lindor me operacionin “Roja e Lindjes”. Mesazhi rus është i thjeshtë: mund të godasim kur dhe ku të duam. Një provokim, pra, që dëshmon vullnetin për të bërë një shfaqje force. Dhe njëkohësisht për të testuar kohezionin e Aleancës Atlantike: për të kuptuar nëse SHBA-të do të pozicionohen në krah të Europës. Presidenti amerikan Donald Trump i ka injoruar sulmet me dronë që kanë hyrë në Poloni dhe Rumani: tani Putini do të shohë se si do të reagojë ndaj kësaj sfide edhe më të bujshme.