HomeOP EDShpresa për Shqipërinë mbetet jashtë Parlamentit/nga Taulanda Jupi

Shpresa për Shqipërinë mbetet jashtë Parlamentit/nga Taulanda Jupi

spot_img

nga Taulanda Jupi
Nga mënyra si nisi kjo legjislaturë, është e pamundur të mos konstatosh një të vërtetë të hidhur: Kuvendi i Shqipërisë nuk është më vend debati real, përballje idesh apo mekanizëm kontrolli ndaj pushtetit. Roli i tij është degraduar në një skenë të mbyllur, ku gjithçka ndodh sipas një skenari të përsëritur: Kryeministri flet me arrogancë e cinizëm, opozita parlamentare proteston me zhurmë – por rezultati është gjithmonë i njëjtë: asgjë nuk ndryshon përkundrazi. Kjo legjislaturë do të mbart çdo çast rrezikun e ndryshimeve kushtetuese të cilat mund të gërryejnë themelet e Republikës së Shqipërisë.

26 korriku 2024 dita e miratimit të Kodit të ri zgjedhor – kur deputetet e Partisë Demokratike bashkuan votat me Edi Ramën ishte dorëzimi pa kushte i opozitës parlamentare, në këmbim të mandateve personale të deputetëve që e votuan.

Në këtë realitet të paralizuar institucionalisht, shpresa për një Shqipëri ndryshe nuk mund të vijë më nga brenda sallës së Kuvendit. Ajo shpresë, nëse ekziston ende, është jashtë parlamentit, në atë pjesë të shoqërisë dhe të spektrit politik që ende beson se demokracia mund të ketë kuptim në këtë vend. Por edhe aty, situata është më e brishtë se kurrë.

Nëse opozita parlamentare identifikohet me Partinë Demokratike, e cila edhe në vitin 2026 do të rikonfirmojë Sali Berishën si figurë qendrore, atëherë duhet pranuar me realizëm: Edi Rama është shumë pranë mandatit të pestë. Jo sepse ka domosdoshmërisht mbështetjen e shumicës morale të vendit, por sepse përballë nuk ka një alternativë serioze, të besueshme, që të frymëzojë dhe të ngjallë shpresë, ka një forcë politike që e ka humbur qëllimin e vet politik.

Prandaj, ky është momenti për një reflektim serioz të çdo fluksi opozitar jashtë parlamentit. Është koha për të vendosur nëse duan të vazhdojnë ekzistencën e tyre politike vetëm si sigla që mbijetojnë, apo si forca që duan realisht të përfaqësojnë një projekt të ri për vendin.

Ky është momenti për çdo individ me mendim të kthjellët opozitar, çdo grup shoqëror dhe qytetar të reflektojnë, sepse në opozitë e në këto kushte askush nuk mjafton.

Politika nuk është vetëm garë për pushtet, është përgjegjësi për të ndërtuar një të ardhme. Dhe kjo e ardhme nuk ndërtohet as duke u dorëzuar, as me frikë, as me llogari meskine “më jep të jap”, as me hipokrizi e fjalë boshe. Ajo ndërtohet së pari me guxim, me vizion, me njerëz që dinë të dëgjojnë, të veprojnë, të lidhen me qytetarët, të kuptojnë dhimbjet, padrejtësitë , pamundësitë e përditshme. Ajo ndërtohet me njerëz që nuk dorëzohen dhe që motorr kanë interesin publik me akte dhe jo me fjalë.

Opozita nuk duhet të ekzistojë vetëm për të qenë kundër Ramës. Ajo duhet të ofrojë alternative dhe të jetë e besueshme. Për këtë duhet të jetë krejtësisht ndryshe nga ai. E ndershme, e hapur, e lidhur me realitetin, e përulur përpara qytetarëve. Dhe mbi të gjitha, e çliruar nga trashëgimia politike që i ka bërë qytetarët të humbasin besimin.

Strategjitë nuk ndërtohen kur afrohen zgjedhjet.
Kurrë nuk është vonë për të bërë atë që duhet.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular