Nga Bujar Leskaj
Dje, më 20 shtator 2025, u zhvillua një përkujtimore solemne në fshatin Mursi, Konispol, e organizuar nga dega e Shoqatës së Ish-Të Përndjekurve Politike Antikomuniste të Shqipërisë, dega Konispol.
U përulëm me nderim dhe vendosëm kurora me lule përpara memorialit në fshatin Mursi kushtuar heronjve të qëndresës antikomuniste, për ata që humbën jetën dhe për ata që rezistuan në burgjet e komunizmit. Ky memorial, i ndërtuar nga vet banorët e fshatit Mursi këtë vit shenjon 17 vjetorin e vendosjes së tij.
Organizatorët e kësaj përkujtimore ishin z.Kristo Gogo, z.Loli Gërbura, z.Petrit Ali Mulla në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës së ish-të përndjekurve Konispol e Mursi, si dhe nënkryetar i PD Konispol.
Në këtë përkujtimore morrën pjesë dhe drejtues nga Shoqata Kombëtare e të Përndjekurve Politike, si z. Arben Dosti (nënkryetar), z. Simon Miraka dhe z. Çelo Hoxha.
Në këtë ceremoni përkujtimore mbajtën fjalën e tyre z.Kristo Gogo, z.Loli Gërbura, z.Kozma Gogo, z.Arben Dosti, z.Petriti Mulla, znj.Matilda Qurku dhe z.Shpëtim Ahmeti.
Nga diskutimet e zhvilluara gjatë ceremonisë, do të veçoja dy diskutimet kryesore të z.Kristo Goga dhe z. Loli Gerbura, dy diskutime të spikatura me vlerë karakteriale, mesazhet e të cilëve përbëjnë një thirrje për reflektim për të gjithë ne që jemi të angazhuar në politikë. Fjalët e tyre janë një burim mësimi.
Në fjalën time theksova rëndësinë e kujtesës historike, sepse një demokraci pa kujtesë është e destinuar të shuhet. Kujtesa është veçanërisht thelbësore kur bëhet fjalë për nderimin e heronjve antikomunistë, dhe në këtë kontekst, fshati Mursi qëndron si një simbol i gjallë i qëndresës kundër diktaturës dhe luftës për liri e demokraci.
Ky fshat mbetet një emblemë e sakrificës dhe rezistencës, i cili për më shumë se pesë dekada e pagoi qëndresën e tij me dhjetëra të burgosur, të pushkatuar dhe të internuar nga regjimi komunist. Gjithashtu, solla në vëmendje vlerat e jashtëzakonshme të fshatit Mursi, rolin e tij të spikatur në qëndresën antikomuniste dhe kontributin e paharrueshëm në ndërtimin e demokracisë në vendin tonë. Propozova gjithashtu dhe ngritjen e një Muzeu kushtuar ish-të përndjekurve të këtij fshati, gjë për të cilën duhet të punojmë të gjithë në realizimin e tij.
Në këtë përkujtimore, nderimi iu dha emrave të atyre që dhanë jetën dhe vuajtën persekutimin e regjimit komunist.
Fshati Mursi, gjatë periudhës së diktaturës, u bë një prej epiqendrave të qëndresës antikomuniste. Me 32 burra dhe gra të burgosur politikë, 27 familje të internuara, dhe 43 individë të arratisur jashtë vendit, Mursia vuajti përtej çdo kufiri të mundshëm. Ky ishte një fshat që nuk u dorëzua, nuk u përkul para dhunës dhe persekutimit të regjimit gjakatar komunist.
Me 1200 vite burg, internime dhe vuajtje, fshati Mursi qëndroi i fortë dhe i patundur. Ai ishte një simbol i heronjve antikomunist, një fshat që nuk pranoi kurrë t’i dorëzohej diktaturës.
Ky memorial i qëndron si një dëshmi e guximit të një populli të thjeshtë, por të fortë, që përballoi mizorinë e regjimit pa u thyer.
Memoriali në Mursi shënon emrat e martirëve nga ky fshat, të vrarë apo humbur jetën nëpër burgje:
Vasil Dhimo Gjika – i vrarë në kufi
Sotir Nikolla Konomi – i vdekur në burg politik
Kostandin Petro Vaso – i vdekur në burg politik
Vasil Koço Mello – i vdekur në burg politik
Thoma Jani Koloj – i vdekur në burg politik
Vangjel Anastas Dhjamanti – i vdekur në burg politik
Sotir Theodhori Taho – i vdekur në burg politik
Jani Koço Danga – i vdekur në burg politik
Vangjel Dhimo Gjika – i vdekur në internim
Katerina Lole Çifteli – i vdekur në internim
Qëndresa antikomuniste e Mursit nuk është thjesht një element i historisë lokale, por është pjesë e një tradite më të gjerë të qëndresës shqiptare ndaj regjimit komunist.
Memoriali i Mursit është një kujtesë e përjetshme e këtyre heronjve dhe e betejës së paepur që ata zhvilluan për të mbrojtur vlerat më të shenjta të një shoqërie të lirë dhe demokratike.
Mbas kësaj ceremonie përkujtimore, aktiviteti vazhdoi me biseda me familjarë të familjeve të persekutuara nga regjimi komunist, të cilët ishin të pranishëm në këtë përkujtimore.
Fshati Mursi mbetet një simbol i qëndresës antikomuniste dhe i forcës së një populli që, përkundër të gjitha përpjekjeve për ta thyer, qëndroi e papërkulur përballë së keqes.
Të pranishëm ishin gjithashtu drejtues të Partisë Demokratike, znj.Matilda Qurku, ish-kandidate për deputete e Partisë Demokratike, znj.Manjola Cikuli, ish-kryetare e PD Sarandë, z. Shpëtim Ahmeti, kryetar i PD Sarandë, z. Shpëtim Iljazi, kryetar i PD Finiq.