Barcelona regjistroi fitoren e katërt radhazi në La Liga, e cila e ngjit në krye të renditjes.
Katalanasit triumfuan 2-1 me përmbysje ndaj Real Sociedad, në një ndeshje të vuajtur në shtëpi.
Miqtë kaluan të parë në avantazh, falë golit të shënuar nga Odriozola në minutën e 31-të. Megjithatë, para fundit të pjesës së parë, Barcelona barazoi shifrat me golin e Kounde.
Në minutën e 59-të, ishte Robert Lewandowski, i cili realizoi golin e përmbysjes dhe të fitores.
Ky sukses e ngjit Barcelonën në krye me 19 pikë, 1 më shumë se Reali i vendit të dytë. Sociedad zbret në vendin e 17-të me pesë pikë.
Milani mposhti Napolin 2-1 në “San Siro”, pavarësisht se luajti për gati gjysmë ore me një lojtar më pak. Me këtë fitore, kuqezinjtë shkojnë në kuotën e 12 pikëve, duke u bashkuar me Napolin dhe Romën në krye të tabelës së Serie A.

Skuadra e Masimiliano Alegrit e nisi në mënyrën më të mirë takimin. Vetëm pas tre minutash, Pulisiç depërtoi pas Marianuçit dhe shërbeu një asist perfekt për Saelemaekers, i cili zhbllokoi shifrat. Napoli reagoi, por gjeti përballë një Menja në formë, i cili ndali përpjekjet e Gutierrez dhe Mek Tominej.
Në minutën e 25-të, kuqezinjtë dyfishuan me Pulisiç, pas një aksioni të shpejtë ku u kombinua me Pavloviç dhe Fofana. Topi i tij u devijua nga Huan Zhezus dhe përfundoi në rrjetë, duke e çuar amerikanin në kuotën e katër golave këtë sezon, duke kryesuar klasifikimin e golashënuesve në Serie A.
Pjesa e dytë nisi keq për Milanin: Estupinan shkaktoi penallti dhe u ndëshkua me karton të kuq, pas faullit ndaj Di Lorenco.
Nga pika e bardhë, Kevin De Bryjn nuk gaboi, duke ngushtuar diferencën. Alegri sakrifikoi Pulisiç për të futur Bartesaghin, ndërsa tensioni në fushë u rrit.
Napoli shtoi presionin, por Milani rezistoi me vendosmëri. Rabiot ndali një goditje të Elmas, ndërsa tentativa e Neres u devijua nga Modriç dhe u përplas në traversë. Në shtatë minutat shtesë, kuqezinjtë u mbrojtën me heroizëm dhe siguruan fitoren e katërt radhazi në kampionat.
Me këtë sukses, Milani jo vetëm që u ngjit në krye, por i dha fund edhe serisë prej 16 ndeshjesh pa humbje të Napolit në Serie A, një rekord që ishte më i gjati aktualisht në pesë ligat kryesore të Europës.
MILAN 2-1 NAPOLI
3′ Selemakers, 31′ Pulisiç / 60′ De Bryjn (p)