Të mërkurën do të përcaktohen katër skuadrat gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë, teksa zhvillohen ndeshjet e kthimit të fazës çerekfinale.
Dy sfidat e para nisin në orën 16:30. Partizani do të përballet me Elbasanin në “Arenën e Demave”, duke mbrojtur avantazhin 1-0 të arritur në takimin e parë në “Elbasan Arena”. Të kuqtë synojnë të administrojnë epërsinë minimale për të siguruar një vend në katërshen më të mirë të kompeticionit.
Në të njëjtin orar, Vllaznia do të presë Bylisin në “Loro Boriçi”. Shkodranët vijnë me moral të lartë pas fitores 1-0 në transfertë dhe kërkojnë të vulosin kualifikimin përpara tifozëve të tyre.
Në mbrëmje, duke nisur nga ora 19:30, luhen dy përballjet e tjera. Egnatia pret Teutën pas suksesit 2-1 në ndeshjen e parë të zhvilluar në “Niko Dovana”, duke qenë një hap larg gjysmëfinales.
Ndërkohë, sfida më e fortë e mbrëmjes do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, ku Dinamo City përballet me Tiranën. Blutë kanë një epërsi të konsiderueshme pas fitores 2-0 në takimin e parë dhe do të tentojnë ta administrojnë atë për të siguruar kalimin në fazën tjetër.








