Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave kanë miratuar Udhëzimin e Përbashkët, i cili rregullon masën dhe llojet e tarifave fikse për veprimet e ofruara nga Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror (SHPGJSH). Ky udhëzim zëvendëson rregulloren e mëparshme dhe synon të forcojë transparencën në procedurën e ekzekutimit të titujve ekzekutivë.
Udhëzimi, në mbështetje të ligjit të ri “Për organizimin dhe funksionimin e SHPGJSH”, përcakton masat e tarifave, llojet e veprimeve të tarifuara dhe listën e subjekteve që përjashtohen nga parapagimi.
Tarifat monetare, tavani maksimal i detyrimit
Një nga pikat kryesore të udhëzimit është përcaktimi i një tavani maksimal për tarifat përmbarimore. Për titujt ekzekutivë që përmbajnë një detyrim monetar, si kthim shume apo pagim detyrimi, tarifa fikse, në çdo rast, nuk mund të jetë më e madhe se 2,500,000 lekë, pavarësisht vlerës së detyrimit. Tarifa për këto detyrime përllogaritet me tabelë specifike bazuar në vlerën e detyrimit (në lek dhe në përqindje).
Veprimet jomonetare, lirimi i pronës dhe çështjet familjare
Udhëzimi adreson në mënyrë të detajuar edhe detyrimet jomonetare dhe ato të pavlerësueshme, ku tarifat fikse lidhen me pagën bazë minimale:
Lirimi dhe vënia në posedim e pronës të paluajtshme
Tarifa fikse përllogaritet në masën e 2 pagave bazë minimale mujore kur prona nuk ka vlerë të përcaktuar. Nëse prona ka vlerë referuese (sipas Kadastrës ose ekspertit), tarifa llogaritet në përqindje mbi vlerën, sipas tabelës së detyrimeve monetare.
Marrja e fëmijës dhe e drejta e vizitës
Për marrjen e fëmijës dhe lejimin e së drejtës së vizitës, masa e tarifës fikse është 5,000 lekë.
Detyrimi ushqimor (Alimentacioni)
Tarifa fikse që lidhet me ekzekutimin e masës së detyrimit ushqimor është zero lekë.
Ekzekutimi i gjobave dhe sigurimi i padisë
Tarifat fikse janë përcaktuar edhe për detyrime specifike:
Gjobat Penale/Administrative, tarifa është 10% për vlera deri në 100,000 lekë dhe 5% për vlerat mbi 100,000 lekë.
Sigurimi i padisë, tarifat fikse llogariten si fraksione të pagës bazë minimale mujore, në varësi të vlerës së padisë.
Kategoritë e përjashtuara nga parapagimi
Udhëzimi liston katër kategori kryesore që përjashtohen nga detyrimi i parapagimit të tarifës fikse në momentin e nisjes së procedurës:
- Subjektet që përfitojnë ndihmë juridike të garantuar nga shteti ose që përjashtohen për shkak të paaftësisë paguese.
- Subjekti që paraqet për ekzekutim një vendim gjyqësor mbi të drejtat civile në procesin penal.
- Pala kreditore që paraqet për ekzekutim një vendim përfundimtar të gjykatës administrative.
- Organet e Administratës Shtetërore për ekzekutimin e vendimeve për kundërvajtjet administrative.
Sipas udhëzimit, tarifa fikse parapaguhet nga kreditori, por në fund të ekzekutimit i ngarkohet debitorit. Për të gjitha tarifat e parashikuara zbatohet edhe vlera përkatëse e TVSH-së.