Sot në kryeqytetin danez zhvillohet samiti i shtatë i Komunitetit Politik Evropian (KPE), ku do të mblidhen 45 udhëheqës të lartë evropianë.
Në këtë takim do të jetë i pranishëm edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ndërsa fokusi i diskutimeve do të jetë mbi forcimin e sigurisë në Evropë, mbështetjen për Ukrainën dhe ndërtimin e një qëndrueshmërie gjeopolitike në kontinent.
“Udhëheqësit do të fokusohen se si të forcohet Ukraina, në situatën e përgjithshme të sigurisë në Evropë dhe për një situatë më të sigurt gjeopolitike me të cilën përballemi”, thuhet në njoftimin e Bashkimit Evropian.
Samiti do të përfshijë tryeza diskutimi që trajtojnë çështje kyçe për kontinentin, si:
• Kërcënimet tradicionale dhe hibride
• Siguria ekonomike dhe reduktimi i varësive strategjike
• Kontrolli efektiv i flukseve migratore
Përveç sesioneve plenare, udhëheqësit do të ndahen në tri grupe pune, ku pritet të dalin konkluzione mbi sfidat aktuale të sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal.
Bashkimi Evropian në këtë samit përfaqësohet nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ndërsa takimi bashkëdrejtohet nga kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen.
Komuniteti Politik Evropian u krijua në vitin 2022, me iniciativë të presidentit francez Emmanuel Macron, pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës. Që atëherë, samitet e këtij formati janë shndërruar në platformë kyçe për shkëmbimin e ideve politike rreth të ardhmes së Evropës.