HomeBotaKush janë 3 baballarët e bashkimit të Gjermanisë, çfarë përmbante dokumenti final...

Kush janë 3 baballarët e bashkimit të Gjermanisë, çfarë përmbante dokumenti final me 10 pika! Mëngjesi historik i 3 tetorit 1990, si e arriti sovranitetin e plotë

Advertismentspot_img

Sot mbushen 35 vjet nga dita e Ribashkimit të Gjermanisë. Kjo është ngjarja më e shënuar për popullin gjerman pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo i dha fund edhe Luftës së Ftohtë, por që fatkeqësisht, 3 dekada më vonë shënoi edhe agresionin rus kundër Ukrainës dhe i ka bërë përplasjet Lindje-Perëndim më të ashpra se kurrë. Gazeta “Panorama” boton me këtë rast një pjesë të përmbledhur të ngjarjeve që çuan në Ribashkimin e Gjermanisë, nga libri “Për Gjermaninë” i ambasadorit Bashkim Zeneli, “Mjeshtër i Madh”.

Si një njohës shumë i mirë i historisë dhe politikës gjermane, me disa libra të botuar, autori përshkruan me shumë detaje përpjekjet titanike të Kohl dhe Genscher, në 11 muajt plot sfida drejt ribashkimit, që nga rënia e Murit të Berlinit. Në kuadër të takimeve 2 plus 4, u desh të zgjidheshin shumë problem politike, juridike, ushtarake, administrative dhe të pushonte së qeni Marrëveshja e Potsdamit. Përkundrejt edhe skepticizmit të disa vendeve perëndimore, ishin Presidenti Bush dhe udhëheqësi sovjetik Gorbaçov, ata që mbështeten fuqimisht këtë aspiratë të popullit gjerman dhe i dhanë “dritën jeshile” ribashkimit të vendit, mbas një ndarjeje të dhimbshme 45-vjeçare”. Në Berlin, në Aleksanderplatz është ngritur një bllok i lartë, shumë i bukur mermeri ku janë vendosur, po në mermer kokat e Kohlt, Bushit dhe Gorbaçovit me mbishkrimin: BABALLARET E BASHKIMIT.

******

BASHKIM ZENELI *MJESHTËR I MADH

PJESA E DYTË

Dokumenti përfundimtar përmbante 10 pika. Vendimtare ishte pika 7, në të cilën thuhej: “Republika Franceze, Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe, Irlandës së Veriut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës u japin fund me këtë dokument të drejtave dhe përgjegjësive të tyre në lidhje me Bashkimin e Gjermanisë si e tërë. Si rezultat, vendimet dhe praktikat 4-palëshe të 4 fuqive mbarojnë përfundimisht. Gjermania e Bashkuar ka kështu sovranitetin e plotë mbi çështjet e saj të brendshme dhe të jashtme”. Ishte vetë zgjidhja e Gjermanisë në të cilën Aleanca do ishte anëtare. Ish-Kancelari i shquar socialdemokrat, Schmidt, dhe një nga 5 miqtë më të ngushtë të Kancelarit Kohl do të shkruante mbas nënshkrimit të Marrëveshjes Përfundimtare 2+4 në Moskë: “Mihail Gorbaçov është një burrë i një kalibri të veçantë, i guximshëm si rrallë kush, vizionar i fuqishëm në qëllimin që i ka vënë vetes në rrugën e reformave të nisura, një bashkëbisedues shumë i mirë, me aftësi të mëdha taktike, një pragmatist i zoti dhe njëkohësisht një idealist shumë i madh.

Që nga koha e Pjetrit të madh, Rusia nuk ka pasur një udhëheqës të tillë me aftësi dhe cilësi të krahasueshme. Gorbaçovi është një Herkul modern, që e kuptoi shumë mirë se mirëqenia ekonomike nuk mund të arrihet pa plotësimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”. Të nesërmen, më 13 shtator, Gensheri me Shevardnadze nënshkruan “Traktatin e miqësisë, fqinjësisë së mirë, partnershipit dhe të bashkëpunimit”. Edhe ky traktat kishte shumë rëndësi për sovjetikët dhe gjermanët. Ky traktat do të nënshkruhej për ratifikim në parlament mbas 3 tetorit, nga qeveria e vetme gjermane dhe nga një parlament i vetëm, mbas zgjedhjeve të përgjithshme. Më 13 shtator 1955, 35 vjet më parë, ishin vendosur marrëdhënie diplomatike midis Bashkimit Sovjetik dhe RF të Gjermanisë. Ky traktat ishte si një model në shumë aspekte i Traktatit gjermano-francez, të 22 janarit 1963. Marrëdhëniet gjermano-sovjetike do të hynin në një epokë të re, 231 marrëveshje kishte nënshkruar Gjermania me Bashkimin Sovjetik, që nga ardhja në fuqi e Gorbaçovit e deri tani, në shtator të vitit 1990. Sigurisht që marrëveshje të rëndësishme ishin nënshkruar edhe më parë, sidomos me furnizimin afatgjatë me gazin sovjetik. Por, bashkëpunimi ishte i munguar.

KONGRESI I UNIFIKIMIT

Më 1 tetor 1990, kur Kancelari Kohl ishte 8 vjet me këtë detyrë, në Hamburg u mblodh kongresi i unifikimit të CDU-së së Perëndimit me CDU-në e Lindjes, kongresi i 38 i CDU, me pjesëmarrjen e mbi 1000 delegatëve. Ai përshëndet me brohoritje Kancelarin Kohl. Delegatët nuk u ulën, ata duartrokasin fuqishëm, pa ndërprerje. Kishin shkuar edhe përfaqësues të 5 landeve të lindjes: Brandeburg, Mecklenburg,-Vorpommeen, Saksen, SaksenAnhalt edhe Thuringen e Berlinit Lindor. U diskutuan 12 pika të Kongresit dhe më në fund u bënë edhe zgjedhjet për kryetarin federal të CDU-së. Helmut Kohl zgjidhet përsëri, tashmë kryetar i CDU-së së bashkuar, me 99 për qind të votave. Vetëm 15 vetë ishin kundër. Një rezultat i jashtëzakonshëm. Ai meritonte çdo nderim për politikën e suksesshme ndaj Bashkimit Gjerman. Askush nuk i ndoqi me aq zgjuarsi dhe nuhatje shanset historike dhe askush nuk i shfrytëzoi ato, si ai.

Më datën 2 tetor mbasdite, Kancelari mbërriti në Berlin. Ishte organizuar një miting i jashtëzakonshëm, me 2 milionë pjesëmarrës. Ishin edhe Presidenti Ëeizcaker, Gensheri, Vili Brand etj.. Festimet e popullit qenë madhështore. Në tribunën e ngritur para sheshit të Raishtagut, me pjesëmarrje që shkonte nëpër Bulevardin 17 Qershori dhe nëpër rrugën drejt Potdames Platz, e mori fjalën Kancelari Kohl. Ai foli për 45 vitet e Gjermanisë së ndarë dhe për ëndrrën e gjermanëve, që asnjëherë nuk u shua, për një atdhe të bashkuar. Ai falënderoi Presidentin e SHBA, Bush, atë të Francës, Miteran, por edhe Kryeministren britanike Thatcher, që edhe deri ditën e fundit nxirrte “kleçka”. Një falënderim dhe mirënjohje të jashtëzakonshme Kancelari Kohl i shprehu homologut sovjetik Mihail Gorbaçov”, që njohu të drejtën e popujve për të vetëvendosur”. Kancelari ngriti peshë zemrat e gjermanëve kur falënderoi popullin e RDGJ-së që “me fuqinë e përhershme të dashurisë për lirinë” mposhti diktaturën e SED-it”. Ai vazhdoi duke iu drejtuar qytetarëve të RDGJ-së, se “askush nga ju nuk do të jetë më keq se dje, të gjithë do të jenë më mirë”.

Më tej u foli për rrugën e vështirë që e priste Gjermaninë e Bashkuar, por ishte i bindur se populli ishte i gatshëm për sakrifica dhe se do t’i kishin shanset për një sukses të përbashkët. “Diktatura mbi 40-vjeçare e SED-it – deklaroi Kohli – ka krijuar plagë të thella në zemrat e njerëzve. Shteti i së drejtës ka për detyrë të vendosë drejtësinë dhe paqen e brendshme. Këtu jemi të gjithë para një provë të vështirë të vlerave. Padrejtësitë e rënda duhet të ndëshkohen, por ne duhet gjithashtu të gjejmë forcë për vëllazërim të brendshëm. Unë u lutem të gjithë gjermanëve: të gëzojmë të gjithë së bashku, me dinjitet, lirinë e përbashkët. 3 tetori ishte një ditë e gëzimit, falënderimit dhe shpresës. Gjenerata e re në Gjermani, ka tani shansin si asnjë gjeneratë tjetër para saj, të jetojë përherë në paqe e liri… “Gjermania është atdheu ynë, Europa e bashkuar është e ardhmja e jonë”. Dhe kështu mund të fliste vetëm një burrë i madh shteti, një gjerman i madh, një europianist i madh. Presidenti amerikan Bill Klinton do të shkruante: “Helmut Kohl është burri më i shquar i shtetit, që nga Lufta e Dytë Botërore. Ne kujtojmë të gjitha vendimet që duhet të merrte mbas rënies së Murit.

Ai i ishte përgjigjur drejt çdo çështje që duhej zgjidhur. i ka zgjidhur drejt për Gjermaninë, i ka zgjidhur drejt për Europën, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ka zgjidhur për të ardhmen e botës”. Flasin të gjithë udhëheqësit Gjermanë, foli në mënyrë prekëse dhe gjermano-lindori nga HalleSale, diplomat ndër më të shquarit ne botë, Hans Dietrich Gensher. Foli edhe Kryeministri gjermano-lindor, Lothar De Maizière, tepër i emocionuar. Ai foli për një “largim pa lot”, për një mision të përfunduar deri në zgjedhjet e reja. Kryeministri gjermano-lindor foli edhe për nevojën e sqarimit të fajeve dhe pafajësive dhe kërkoi, që në radhë të parë, të qëndrojnë përpjekjet për vëllazërim, Kjo ishte themelore. Në ora 2 të mëngjesit sheshi vazhdonte të brohoriste e të thërriste “Kohl, Kohl”.

MËNGJESI I 3 TETORIT

Mëngjesi i 3 tetorit e gjeti Gjermaninë të Bashkuar! Ishte realizuar një qëllim i madh kombëtar, një aspiratë dhe një e drejtë që nuk u fashit kurrë. Kancelari Kohl e quan se ka qenë me fat të madh, që Gjermania u bashkua aq shpejt dhe që marrëveshjet u ratifikuan, sepse më 23 gusht 1991, Presidenti Jelcin, që kishte ardhur në pushtet në mesin e qershorit, ndaloi me një dekret të posaçëm të gjitha veprimtaritë e PK të BS. Të nesërmen Gorbaçovi dha dorëheqjen nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë dhe Presidentit të vendit. Në fakt, Kongresi i Deputetëve të Popullit, në mars të vitit 1990 kishte hequr nga Kushtetuta e BRSS nenin që citonte PK të Bashkimit Sovjetik, si forcë e vetme udhëheqëse të vendit dhe të shoqërisë.

Më 2 dhjetor 1990, dy muaj pas bashkimit do të zhvilloheshin zgjedhjet e para në Gjermaninë e Bashkuar. Rezultati ishte bindës për CDU-në dhe CSU-në, unioni historik – 43.8 për qind. SPD mori 33.5 për qind, FDP 11 për qind. Mbetën jashtë parlamentit të Gjelbërit, që sapo ishin krijuar, e Majta dhe PDS. Më 18 janar 1991 u votëbesua në Bundestag, qeveria e re e koalicionit me liberalët (FDP), nën drejtimin e Kancelarit Kohl dhe me zv.Kancelar dhe ministër të Jashtëm, H.D.Gensher. Për Helmut Kohl kjo ishte zgjedhja e tij e katërt si Kancelar. Marrëveshja përfundimtare 2+4 hyri në fuqi, më 15 mars 1991, 11 ditë mbasi ishte ratifikuar nga parlamentet përkatëse. Kishin kaluar 46 vjet nga kapitullimi pa kushte i Rajhut gjerman dhe vendosja e forcave fituese të Luftës së Dytë Botërore në Gjermani dhe Berlin. Kishin kaluar edhe 30 vjet nga ndërtimi i Murit të Berlinit dhe vetëm 1 vit nga shembja e tij. Tani Gjermania e Bashkuar do ishte një shtet kombëtar sovran.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular