Në përfundimin e mbledhjes së Kryesisë së PD, ku u diskutua lidhur me kandidaturat që opozita do të vendosë për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit në 6 Bashki të vendit, (Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë, Cërrik dhe Tiranë), kryedemokrati Sali Berisha tha se PD do të konsiderojë me seriozitetin më të madh kandidatë të pavarur që do të tregojnë interes për këto zgjedhje.
“PD vlerëson dhe çmon shumë kandidaturat e pavarura. Do konsiderojmë me seriozitetin më të madh kandidatë të pavarur të cilët garojnë si të tillë dhe që konsiderohen të nevojshëm për fitoren e tyre, mbështetjen e PD. Besoj se në një valë me këtë nga diskutimet paraprake janë edhe forcat e tjera opozitare”, tha Berisha.
Gjithashtu kreu i PD-së, tha se u ka dhënë kohë dy ditë kandidatëve të pavarur që të shprehin interesin e tyre për të garuar.
Pyetje: Edhe sa kohe do i prisni?
Berisha: Dy ditët e ardhshme do të ishte kohë e përshtatshme. Sot dhe nesër do të pritet. Nuk ka gjë të përcaktuar, nuk ka asgjë. Por vetë koha është shumë e ngushtë.
Do të kemi kandidatin, ne do e mbështesim, partitë e tjera do e mbështesin ta supozojmë, por unë ftoj personalitete të këtij vendi, e këtij qyteti, të guxojnë sepse ne i mirëpresim absolutisht me shumë sinqeritet.
Fjala e plotë e Berishës
Patëm një diskutim të gjatë, të përgjegjshëm, të lirë. Ajo që predominoj dhe e konsideroj një hap të rëndësishëm në përpjekjen tonë, është se PD ndonëse ka padiskutim kandidatura kalibri për asnjëlloj krahasimi me organizatën kriminale në pushtet, do vlerësojë dhe çmojë shumë kandidaturat e pavarura.
Besoj se në një valë me këtë nga diskutimet paraprake janë dhe forcat e tjera opozitare. Dhe kjo jo vetëm në bashkinë e Tiranës, por dhe në bashkitë e tjera.
Ky është një moment do të mendoja unë, për të gjithë ata qytetarë, intelektualë, ata specialistë, ekspertë që ndihen të gatshëm të përballen me narkoshtetin e Edi Ramës, të matin forcat e tyre në një garë në interesin më të mirë të qytetarëve të marrin vendimin e duhur.
Unë mendoj se kandidati i pavarur, është i pavarur kur deklaron veten, apo nuk është kështu. Por edhe të propozuar, asgjë nuk do të lihet jashtë konsideratës. Natyrisht duhet të jemi realist. Në historinë e modeleve elektorale, të pavarurit e mbështetur nga forcat politike kanë regjistruar suksese të papritura, të themi atë që është. Sot, tani, mund të ju them se në një shtet prej 18 milionësh, në Rhine Westphalia, në Gjermani, të gjithë kandidatët të pavarur, të mbështetur nga forcat politike. Pra, nuk është kjo.
Vendimi është një vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm i jep opozitës shqiptare një dimension tjetër. Kë paraqiti ai? A e kuptoni ju se, çdo njeri tjetër në atë organizatë kriminale mund të dilte para Ogertës. Ogertës desh i ra të fiktë kur e mori vesh, sepse e di barrën e krimit që ka mbi supe. A nuk janë këto nata ma ditën, a nuk është kjo errësira me dritën, dallimi. Ne themi, qytetarët themi, personaliteteve të vendit, intelektualëve të vendit, ekspertëve u themi, atyre të cilët ndihen të gatshëm të përballen të marrin vendimin e duhur dhe ne qëndrojmë të hapur ndaj tyre. Jo lajmi përbën ky, por risinë madhore, prandaj dhe mos bëjmë asnjëherë atë që ja; tani të themi, shihni trungun e pishës sa i madh, tani këto degët nuk na lënë me e pa. Nuk mund të ndodhi kjo.
Dy prej emrave të përfolur si kandidatë të opozitës për Bashkinë e Tiranës, Ermal Hasimja dhe Florian Haçkaj, ishin të ftuar në një lidhje direkte në emisionin “Review” me gazetaren Greta Topjana.
Ekskluzivisht për Euronews Albania, Ermal Hasimja bëri të ditur se paraqet kandidaturën e tij për kryetar të Bashkisë së Tiranës.
Ai iu drejtua drejtpërdrejt Sali Berishës gjatë intervistës, duke e njoftuar publikisht se pranon të kandidojë sipas kritereve që kreu i PD-së përcaktoi këtë të shtunë.
Hasimja theksoi se kërkon mbështetjen e Berishës dhe të partive opozitare, duke paraqitur emrin e tij si një kandidat i pavarur dhe përbashkues për opozitën.
“Me duket pozicioni logjik është që një opozitë e bashkuar të dalë me një kandidat të pavarur, i cili do të mbështetet nga një shumicë sa më e madhe e partive opozitare. Berisha ka kërkuar që edhe kandidatët e tjerë të shprehin dëshirat dhe ambiciet e tyre. Duke pasur këtë mundësi, unë po i drejtohem zotit Berisha dhe kryesisë së PD-së, si dhe forcave të tjera opozitare, duke ju paraqitur publikisht kandidaturën time për kreun e Bashkisë së Tiranës, me të njëjtat kritere që ai ka përcaktuar: kandidat i pavarur, pa logo specifike partie, i mbështetur nga shumica e opozitës. Prandaj, zoti Berisha mund ta quajë kandidaturën time të paraqitur dhe ta shqyrtojë”, tha Hasimja.
Florian Haçkaj, një ndër emrat që përfliten në radhët e opozitës si kandidat i mundshëm për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e pjesshme lokale, ka folur për herë të parë në lidhje me këtë lajm gjatë një interviste në emisionin “Review” në Euronews Albania.
Në fjalën e tij, Haçkaj theksoi se ndryshe nga politika tradicionale, ai dhe figura të tjera të reja vijnë nga përvoja reale me sfidat e qytetarëve dhe nuk janë të shkëputur nga jeta e përditshme e qytetit.
Haçkaj shprehu gatishmërinë për sfidën për kryeqytetin.
“E bukura është që si Ermali, si unë, e kanë është që janë njerëz si të gjithë të tjerët, përballen me sfidat në qytet dhe nuk janë siç janë politikanët sot që janë larg qytetit dhe flasin për problemet duke mos i ndjerë fare. Unë kam rastin të shpreh dy gjëra sot, mbështetjen qoftë për Ermalin, qoftë për Edlirën. Por po ashtu të shpreh gatishmërinë time dhe jam gati për sfidën për kryeqytetin, pra për të qenë përbashkues kundra Ramës. Kemi dhënë modelin për gjithë shqiptarët kundra qeverisë. Njerëzit duan njerëz si ata. Është mesazh që duhet të dalë përtej partisë,” – tha Hackaj.
Nje tjeter personalitet nga shoqeria civile pranon kandidimin per Bashkine Tirane. I pyetur nga startnews.al Agron Haxhimali pranon se eshte gati te kandidoje ne Tirane nese do marr mbeshtetjen e opozites.
Agron Haxhimali vjen nga bota e shoqërisë civile me një integritet të njohur publikisht. Profesor në Universitetin Polis dhe drejtor i Institutit për Bashkitë Shqiptare, ai është autor studimesh mbi pushtetin vendor dhe reformat e decentralizimit. Aktiv në rrjete ndërkombëtare, Haxhimali përfaqëson një zë të pavarur, me përvojë e vizion për një Tiranë të qeverisur ndershmërisht dhe në shërbim të qytetarëve.
Zoti Haxhimali te njejtet gje e ka pranuar dhe ne prononcimet e disa diteve me pare per mediat ku ka shprehur gatishmerine per te qene pjese e gares per Bashkine Tirane. I mbetet lidershipit te PD dhe opozites ta pranoj apo jo si kandidature. Zoti Haxhimali si nje qytetar i angazhuar sidomos me ceshtjen e pushtetit vendor por dhe si intelektual dhe profesor eshte gati te marre persiper kete perballje me kandidatin e mazhorances Ogerta Manstirliu.
Në një mesazh publik një nga figurat më të angazhuara të artit dhe jetës publike shqiptare Florjan Binaj ka shpallur kandidaturën për kryetar të Bashkisë së Tiranës.
Me mbi dy dekada përfshirje aktive në çështje me interes kombëtar, ai vjen si një alternativë e pavarur, larg partive politike, me synimin për ta kthyer bashkinë në një institucion në shërbim të qytetarëve, jo të partive.
Me një thirrje për unitet, ai fton të majtë, të djathtë dhe gjithë spektrin shoqëror që të bashkohen për një ndryshim real. Kandidatura e tij shihet si shprese për rikthimin e besimit dhe dinjitetit në drejtimin e kryeqytetit.
“Të dashur mikesha dhe miq, qytetarë të ndershëm punëshumë e fjalëpakë të kryeqytetit të Shqipërisë. Si një artist i përfshirë në çështje publike me interes Kombëtar prej 22 vitesh, si një kryefamiljar, i rritur në një kryeqytet i cili ka shkatërruar shumëçka në emër të zhvillimit dhe që shumë pak gjëra kanë mbetur ende pa u bërë ish, nisur nga nevoja e menjëhershme për të pasur në drejtim të kryeqytetit një figurë e cila nuk është gjymtyrë e asnjë partie pasi e kemi parë në 34 vite që kjo mënyrë jo e drejtpërdrejtë nuk ka qënë frytëdhënëse në përmirësimin e cilësisë së jetës tonë. Na duhet një drejtues qytetar i zgjedhur nga qytetarët për qytetarët sepse asnjë nga ne nuk mund të presë më edhe 34 vite të tjera. Prandaj kam vendosur, të shpall kandidaturën time për Kryetar Bashkie të Tiranës duke dhënë gjithë veten time për të përfaqsuar sa më denjësisht çdo qytetare dhe qytetar, me apo pa parti, elektoratin gri por pa i ndarë njerëzit në krahë, por si të barabartë, sepse asnjë qytet dhe aq më tepër kryeqyteti, nuk mund ti shërbejë vetëm palës politike që e drejton. Unë besoj se kontributi im do i shërbejë edhe pse gjysëm mandati, shpresës dhe bashkimit, përmirësimit të jetës të të gjithë kryeqytetasve.
Uroj dhe shpresoj që të gjitha partitë politike qe duan vërtet ndryshimin pavarësisht ngjyrave të bashkohen me këtë nismë dhe të kenë besim tek qytetarët ashtu siç qytetarët kanë pasur besim tek ta.
Qëllimi im është, që së bashku, ta nxjerrim bashkinë nga gjëndja në të cilën ndodhet për shkak të politikës dhe t’jua rikthejmë atë qytetarëve si një shtëpi për të gjithë ne. Të rikthejmë besimin tek institucioni i bashkisë në shërbim të komunitetit!
Ftoj të gjithë qytetarët, intelektualët të majtë dhe të djathtë të na bashkohen.
Faleminderit,” shkruan Florjan Binaj.







