31 vite më parë, fotografi italian, Gianni Bellesia mbërriti për herë të parë në Shqipëri si pjesë e një misioni humanitar, duke shoqëruar dy kamionë me ndihma për familjet e varfra të një vendi që sapo kishte hyrë në rrugën e demokracisë.
Sot, pas tri dekadash, ai kthehet sërish, jo më si vëzhgues i vuajtjeve, por si dëshmitar i një transformimi. Përmes 30 fotografive ai rrëfen historinë e një populli në lëvizje dhe të një kohe që nuk duhet harruar. Fotografitë janë realizuar nga Durrësi në Tiranë, Shkodër e deri në fshatin e thellë të Nënshatit.
Në kujtesën e Bellesias, shqiptarët mbeten njerëz të buzëqeshur e mikpritës, edhe pse jeta ishte e ashpër. Sot, duke parë ndryshimin e madh të vendit, ai ndien admirim për mënyrën se si Shqipëria është rilindur.
“Ishit një vend me njerëz që buzëqeshnin. Edhe pse kalonit vështirësi, ata na prisnin gjithmonë me mirësi. Nga sytë e një italiani, më dukej një popull në zhvillim. Të rinjtë ëndërronin të shkonin në Itali, për të mësuar e për t’u kthyer me njohuritë e reja. Edhe të moshuarit i mbështesnin, sepse shpresonin që dija e perëndimit të sillte ndryshim. Sot, duke parë rilindjen e vendit tuaj, mendoj se ajo profeci e tyre është bërë realitet, dhe kjo më gëzon shumë”, tha fotografi italian.
Ekspozita fotografike “Shqipëria 1994, Një popull në lëvizje” u realizua në bashkëpunim me Foto Klub Durrësi, i cili po promovon gjithnjë e më shumë artin e fotografisë në qytet.
“Është kënaqësi e madhe që ne bashkëpunojmë me të gjithë fotografët e disa shteteve të Ballkanit”, tha Palush Jorgji, kryetar i Foto Klub Durrësi.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun gjatë fundjavës në mjediset e qendrës Kulturore të Fëmijëve Durrës. /rtsh.al/







