Komisioni Europian ka reaguar për mediat pasi Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për Barazinë Gjinore. Komisioni thekson se përafrimi me acquis të Bashkimit Europian është pjesë e procesit të anëtarësimit dhe nuk ka të bëjë me agjenda personale apo politike, duke u përgjigjur në këtë mënyrë në lidhje me deklaratat e Sali Berishës për ambasadorin Silvio Gonzato.
“Përafrimi me acquis të BE-së është pjesë e procesit të anëtarësimit, të cilin të gjitha vendet kandidate duhet ta sigurojnë. Kjo nuk ka të bëjë me agjenda personale apo politike, por është një hap thelbësor drejt anëtarësimit në BE”, tha Komisioni Europian.
Komisioni mirëpret miratimin e ligjit dhe thotë se është një tjetër shenjë e përkushtimit të Shqipërisë për të zbatuar reformat
“Siç u theksua edhe nga Komisionerja Kos në postimin e saj në rrjetet sociale dje, “Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë përbërëse e ligjit të BE-së”. Këto janë vlera themelore të BE-së dhe të drejta themelore. Ne mirëpresim miratimin e ligjit për Barazinë Gjinore nga Parlamenti Shqiptar mbrëmë.
Kjo vjen pas rekomandimit në Raportin Vjetor të Komisionit për Shqipërinë për vitin 2025, i cili i bëri thirrje Shqipërisë të sigurojë një nivel të lartë ambicieje dhe është në përputhje me acquis të BE-së dhe standardet evropiane për këtë ligj.
Kjo është një tjetër shenjë e përkushtimit të Shqipërisë për të zbatuar reformat kyçe në kuadër të anëtarësimit në BE”, njoftoi Komisioni.
Kujtojmë se ligji për Barazinë Gjinore u miratua me 77 votat pro të mazhorancës më 6 nëntor. Seanca e Kuvendit ishte e nxehtë dhe me debate pikërisht prej kësaj çështje.
Shumica socialiste kërkoi ndërprerjen dhe kalimin direkt për votim pas 12 orësh, sipas tyre, prej gjuhës së përdorur nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ndaj ambasadorit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.
Në lidhje me këtë çështje pati një reagim edhe nga Komisionerja Marta Kos, e cila tha se barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së dhe ajo nuk është kërkesë private e ambasadorit. “Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm”, tha ajo.
Gjatë darkës, Sali Berisha tha se i kërkon falje ambasadorit nëse është ndjerë i fyer, por theksoi se nuk ka qenë ai qëllimi i tij.







