Gucati tha se Clark do të ketë një ndikim të madh për Gjykatën Speciale, duke theksuar se ka qenë shumë afër Hashim Thaçit dhe udhëheqësve të tjerë të UÇK-së
Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, foli sonte më 16 nëntor në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova rreth dëshmisë që do të japë Wesley Clark në Hagë.
Gucati tha se Clark do të ketë një ndikim të madh për Gjykatën Speciale, duke theksuar se ka qenë shumë afër Hashim Thaçit dhe udhëheqësve të tjerë të UÇK-së.
“Unë besoj që Clarku do të jetë një bombë për Gjykatën Speciale, njeriu më i afërt i Hashim Thaçit dhe i të tjerëve, njeriu më i afërt i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Gucati.
Ai shtoi se Clark ka marrë vendime dhe hapa të mëdhenj për bombardimin e Serbisë në atë periudhë. Gucati nënvizoi gjithashtu se nëse UÇK-ja shpallet organizatë kriminale, atëherë sipas tij, edhe NATO mund të konsiderohet e tillë, për rolin e saj në intervenimin kundër Serbisë.
“Po të shpallet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është organizatë kriminale, atëherë do të shpallet edhe NATO organizatë kriminale, që bombardoi Serbinë për gjenocidin që e bëri në Kosovë”, tha ai.
Ai përmendi se dëshmia e Clarkut mund të sjellë zhvillime të rëndësishme në procesin gjyqësor. Gucati theksoi rëndësinë e dëshmisë dhe ndikimin e saj potencial për Gjykatën Speciale.
Hysni Gucati shprehu bindjen se Clarku ka njohuri të drejtpërdrejta mbi vendimet strategjike gjatë luftës.







