HomeOP EDDilemat mbi Kodin Penal, viktima, prokuroria e katërt/NGA FLORJAN KALAJA 

Dilemat mbi Kodin Penal, viktima, prokuroria e katërt/NGA FLORJAN KALAJA 

Advertismentspot_img

NGA FLORJAN KALAJA 

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale (në vijim KPP) në vitin 2017 shënuan ndër të tjera edhe emancipimin e figurës së viktimës së veprës penale. Jo vetëm kaq, por u prezantuan si subjekte të procesit penal edhe trashëgimtarët e viktimës së veprës penale.

Çdo subjekti që vuan drejtpërdrejtë pasojat e veprës penale, qoftë viktima, nëse është gjallë, dhe trashëgimtarët e tyre, nëse ka ndërruar jetë viktima, ka të drejtë të kërkojë ndjekjen penale të autorit; të legjitimohet si palë civile në procesin penal dhe me padi të kërkojë të zhdëmtohet qoftë për dëmet materiale dhe jomateriale të pësuara; të njoftohet për vendimin e mosfillimit të prokurorit dhe të ushtrojë ankim në gjykatë ndaj tij; të njoftohet për vendimmarrjen e pushimit të çështjes apo akuzës penale nga prokurori dhe të ushtrojë ankim në gjykatë ndaj tij; të njoftohet për kërkesën për pushim të çështjes penale të prokurorit për krimet, të marrë aktet dhe të njihet me to, të marrë pjesë si palë në gjykimin në seancë paraprake dhe të ushtrojë ankim në gjykatën më të lartë ndaj vendimit të pushimit të çështjes apo akuzës së marrë nga gjykata; të njihet me aktet e dosjes kur prokurori kërkon dërgimin e çështjes për gjykim, të marrë pjesë në gjykim si palë dhe të ushtrojë ankim ndaj vendimit të gjyqtarit të seancës paraprake për pushimin të çështjes apo akuzës; të marrë pjesë si palë në gjykimin në shkallë të parë; të njoftohet për gjykimin në apel; dhe të drejta të tjera më pak të rëndësishme që KPP parashikon. Më tej rezulton se KPP nuk parashikon më të drejta për viktimën e veprës penale apo trashëgimtarët e saj për të ushtruar ankim ndaj vendimmarrjes së pushimit të çështjes apo akuzës penale të marrë nga gjykata e themelit, ndaj vendimmarrjes së fajësisë dhe dënimit; apo ndaj vendimmarrjes së pafajësisë.

Duke pasur parasysh se prokuroria është autoriteti i vetëm kompetent që ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit, ushtrimi dhe ndjekja e ankimeve në shkallët e pushtetit gjyqësor është kompetenca e këtij institucioni. Nga kjo panoramë e përgjithshme kuptohet se në fazën e hetimit paraprak viktima e veprës penale ka akses dhe legjitimitet si palë vetëm në momentin e vendimmarrjes së prokurorit për mosfillimin e procedimit penal. Ndërkohë është palë dhe gëzon më shumë të drejta si subjekt procedural në fazën e gjykimit në seancë paraprake. Nga ana tjetër merr pjesë në gjykimin në themel të akuzës por se të drejtat e saj si palë janë shumë të kufizuara, duke mos gëzuar të drejtën e ankimit. Në vijim për lehtësi referimi dhe dallimi do të quhet “viktima e zakonshme”, me qëllim për t’i dalluar këto subjekte me viktimën akuzuese dhe me viktimën e mitur të veprës penale.

Nga këto parashtrime bën përjashtim viktima akuzuese e veprës penale, apo ajo që njihet ndryshe si akuza private. Kështu ka disa vepra penale në Kodin Penal, të cilat, për nga natyra e tyre parësisht private e interesave që cenohen nga veprimet apo mospveprimet e paligjshme, ligji u ka njohur disponibilitetin e ushtrimit të akuzës personit që cenohet nga vepra. Sikurse mban emrin “akuza private”, rezulton se në këto raste personi viktimë e veprës penale gëzon të gjitha atributet e palës kryesore akuzuese, duke ngritur akuzën, duke parashtruar kërkesat për marrjen e provave dhe nga ana tjetër duke gëzuar të drejtat e ankimit në mënyrë të pavarur nga prokuroria ndaj vendimit të dënimit, pafajësisë apo pushimit të çështjes penale apo akuzës.

As viktima e zakonshme dhe as viktima akuzuese nuk kanë asnjë të drejtë ankimi gjatë fazës së ekzekutimit të dënimit penal. E vetmja e drejtë që u njihet atyre, konkretisht dhe kryesisht viktimës së zakonshme, është njoftimi për disponimet e lirimit nga burgu të të dënuarit. Logjika ligjore e mungesës së legjitimitetit të viktimës apo trashëgimtarëve të saj në fazën e ekzekutimit të vendimit penal qëndron tek fakti se këto subjekte nuk gëzojnë më interesa të ligjshme për të pasur cilësinë e subjektit procedural në fazën e ekzekutimit të dënimit, duke qenë se vuajtja e ndëshkimit penal, retribucioni, rehabilitimi dhe risocializimi i të dënuarit përbën çështje të interesit publik. Duke qenë se është kështu, të vetmet subjekte palë në gjykimet e fazës së fundit të procesit penal, konkretisht ekzekutimit të vendimit penal, janë prokuroria (shteti) dhe i dënuari. Sigurisht që ka edhe institucione të tjera me karakter ndihmës që përfshihen si subjekte në fazën e ekzekutimit të vendimit penal, sikurse janë Shërbimi i Provës apo edhe institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Por ato nuk janë subjekte proceduralë palë në proceset e fazës së ekzekutimit por janë vetëm subjekte dytësore publike në raport me prokurorinë. Kjo do të thotë se shteti dhe interesi publik i shoqërisë në fazën e ekzekutimit të vendimeve penale përfaqësohet ekskluzivisht nga prokuroria, institucioni përgjegjës për të ndjekur ligjshmërinë e ekzekutimit të vendimeve penale.

Për herë të parë në historinë 113-vjeçare të shtetit shqiptar, në vitin 2017, u miratua Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur (në vijim KDPM). Në shkronjën “d” të pikës 4 të nenit 34 të tij u parashikua se, kur nga vepra penale rezulton se është viktimë i mituri, pra personi nën 18 vjeç, atëherë viktima e veprës penale ka të drejtë të ushtrojë ankim në mënyrë autonome dhe të pavarur nga prokurori. Kështu, sikurse është hartuar kjo dispozitë, duke mos vendosur kufizime dhe modalitete, kuptohet se viktima e mitur në procesin penal konkurron dhe njëherazi e dublon prokurorin në ushtrimin e çdo ankimi gjyqësor në fazën e hetimit, në fazën e gjykimit në seancë paraprake, në fazën e gjykimit në themel dhe në fazën e ekzekutimit të vendimeve penale.

Në librin “Lirimi me kusht” (2023) e kam vlerësuar të gabuar një rregullim të tillë ligjor, duke vlerësuar se KDPM, përveç se ka garantuar mbrojtjen e posaçme të të miturit (detyrim ky i shtetit i parashikuar nga neni 54/1 i Kushtetutës), ka krijuar edhe një prokurori të tretë, krahas prokurorisë me juridiksion të përgjithshëm (neni 148 i Kushtetutës) dhe krahas Prokurorisë së Posaçme (SPAK, neni 148/dh i Kushtetutës). Nuk është vendi dhe hapësira të zgjatem këtu me analiza standardesh ndërkombëtare apo edhe analiza krahasimore të legjislacioneve në Europë, për të cilat libri “Lirimi me kusht” i ka ezauruar.

Megjithatë, është e nevojshme të sjell në vëmendje se, gjatë hulumtimeve, nuk kam gjetur asnjë standard ndërkombëtar që e detyron Shqipërinë të krijojë prokurorinë e tretë, konkretisht të miturin viktimë e veprës penale, sikurse nuk ka asnjë shtet të dytë në Europë që të ketë një dispozitë të tillë si simotra shqiptare. Shkujdesi dhe mendjelehtësia me të cilën kjo pjesëz norme është shkruar janë papërballueshme për të konkluduar rast pas rasti se vendime të tilla si refuzimi i përgjimit, refuzimi i kontrollit, arresti i paligjshëm, caktimin e një mase më të lehtë sigurimi, rrëzimi i kërkesës për zgjatje të afateve të paraburgimit, refuzimin për zgjatje afati hetimi, kthimin e dosjes për plotësimin e hetimeve, zbatimin e dënimeve alternativave të dënimit me burgim në fazën e ekzekutimit, uljen e dënimeve me 45 apo 90 ditë për sjellje të mirë të të dënuarve, ndërprerjen e ekzekutimit të dënimit, pezullimin e ekzekutimit të dënimit, zbatimin e ligjeve të amnistisë, shuarjet e pjesshme të dënimit, parashkrimin e ekzekutimit të dënimit e të tjera çështje të kësaj natyre janë të paankimueshme nga viktima e mitur e veprës penale.

Qartazi rezulton se legjislatori shqiptar, duke miratuar verbtazi dhe shurdhazi variantin e grupit të punës në vitin 2017, ka krijuar një prokurori paralele në sistemin e drejtësisë shqiptare, që dublon dhe konkurron prokurorinë e zakonshme dhe SPAK sa herë ndodh që të ketë viktimë të mitur nga vepra penale. Mund ta mirëkuptoj dhe ta mirarsyetoj të drejtën e viktimës së mitur për të ushtruar ankim ndaj vendimit të gjykatës për pushimin (neni 387 KPP) apo pafajësinë (neni 388 KPP) në gjykimin penal në themel. Por nuk mund ta rrok dhe mund vetëm të arsyetoj kundër legjitimitetit aktiv të këtij subjekti për të konkurruar dhe dubluar prokurorinë e zakonshme dhe SPAK në ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjyq, konkretisht përmes ushtrimit të së drejtës së ankimit në vendimmarrjet gjyqësore të hetimeve paraprake, në vendimmarrjet gjyqësore të caktimit të llojit dhe masës së dënimit dhe në të gjitha vendimmarrjet gjyqësore gjatë fazës së ekzekutimit të vendimit penal. Një legjitimitet i tillë aktiv i viktimës së veprës penale është më i madh se sa interesi privat dhe futet në domenin e interesit publik dhe se për rrjedhojë nuk mund të ketë më vend dhe hapësirë për ankime private por vetëm për ushtrimin e së drejtës së ankimit, përfshirë apelin dhe rekursin, nga ana e prokurorisë së zakonshme apo SPAK, sipas kompetencës lëndore kushtetuese dhe ligjore.

Ndërkohë KDPM po hyn në vitin e 9 të fuqisë juridike të tij. Ligjvënësi nuk ka reflektuar aspak në këtë drejtim. Ky rregull jeton sot e kësaj dite i pashqetësuar nga ngarkesat e papajtueshme me nenin 148 dhe 148/dh të Kushtetutës. Sikur të mos mjaftonte prokuroria e tretë e konceptuar shkujdesshëm nga grupi i punës që ka hartuar KDPM në vitin 2017, një grup tjetër pune në fundkorrikun e vitit 2025, në një dekor me krerë institucionesh të larta të sistemit të drejtësisë, prezanton me pompozitet dhe gjithë sqimë se projekti i Kodit të ri Penal synon të krijojë një prokurori të katërt. Tashmë radha është e viktimës së zakonshme të veprës penale. Nën një rregull rishtar në të drejtën penale.

Qartazi rezulton se legjislatori shqiptar, duke miratuar verbtazi dhe shurdhazi variantin e grupit të punës në vitin 2017, ka krijuar një prokurori paralele në sistemin e drejtësisë shqiptare, që dublon dhe konkurron prokurorinë e zakonshme dhe SPAK sa herë ndodh që të ketë viktimë të mitur nga vepra penale. Mund ta mirëkuptoj dhe ta mirarsyetoj të drejtën e viktimës së mitur për të ushtruar ankim ndaj vendimit të gjykatës për pushimin (neni 387 KPP) apo pafajësinë (neni 388 KPP) në gjykimin penal në themel. Por nuk mund ta rrok dhe mund vetëm të arsyetoj kundër legjitimitetit aktiv të këtij subjekti për të konkurruar dhe dubluar prokurorinë e zakonshme dhe SPAK në ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjyq, konkretisht përmes ushtrimit të së drejtës së ankimit në vendimmarrjet gjyqësore të hetimeve paraprake, në vendimmarrjet gjyqësore të caktimit të llojit dhe masës së dënimit dhe në të gjitha vendimmarrjet gjyqësore gjatë fazës së ekzekutimit të vendimit penal. Një legjitimitet i tillë aktiv i viktimës së veprës penale është më i madh se sa interesi privat dhe futet në domenin e interesit publik dhe se për rrjedhojë nuk mund të ketë më vend dhe hapësirë për ankime private por vetëm për ushtrimin e së drejtës së ankimit, përfshirë apelin dhe rekursin, nga ana e prokurorisë së zakonshme apo SPAK, sipas kompetencës lëndore kushtetuese dhe ligjore.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular